Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar qytetarët dhe bizneset se të gjitha denominimet në Euro të kartëmonedhave dhe monedhave të vërteta (origjinal), pa përjashtim, janë mjet i vlefshëm pagese në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit, asnjë autoritet tjetër nuk mund të vendos për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave.
“BQK duke njohur rëndësinë që ka furnizimi i ekonomisë së Republikës së Kosovës me para të gatshme dhe nevojën të ruhet besueshmëria dhe integriteti i Euros në përdorimin e saj si mjet pagese, është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti kundër ligjor, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale dhe teknike”, thuhet në komunikatën për media.
Reklama e sponzorizuar
“Si rezultat i bashkërendimit të aktiviteteve që dalin nga detyrat dhe plani i përbashkët, dhe veprimit efektiv të konfiskimit të një sasie të madhe të monedhave të denominimit prej 2 € nga organet e zbatimit të ligjit, ku edhe BQK kishte kontribut, edhe më tej udhëzohen qytetarët dhe bizneset të vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar gjatë transaksioneve me këtë denominim”.
Tutje thuhet se monedhat e vërteta janë të dallueshme nga ato të falsifikuara dhe se ka disa mundësi që të identifikohen.
Sipas BQK-së, monedhat e falsifikuara përgjithësisht kanë veti të ndryshme magnetike nga ato të vërteta, si dhe në pamje kanë një kualitet të dobët të detajeve, zakonisht ngjyrë të ndryshme të rrethit dhe sipërfaqes brenda rrethit dhe mungesë të shkronjave në skaje. Prandaj, BQK ka udhëzuar qytetarët dhe bizneset që për një verifikim më të lehtë të bazohen në manualin e publikuar në vijim:
“Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Nenit 296 të Kodit Penal Nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës dhe Nenit 19 dhe 20 te Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë, dënohet me gjobë ose burgim. Prandaj, në rast të dyshimit, qytetarët dhe bizneset udhëzohen që të kontaktojnë Policinë e Kosovës në mënyrë që monedhat e dyshuara si të falsifikuara të tërhiqen nga qarkullimi dhe të dërgohen për analizë tek Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ashtu qe te luftohet burimi i prejardhjes së tyre dhe shpërndarjes brenda vendit. Luftimi i këtij fenomeni do të vazhdojë dhe bashkëpunimi i tillë është i nevojshëm për rezultate efektive nga organet e zbatimit të ligjit”.