Kosova, edhe Qeveria aktuale dhe ministrja Artane Rizvanolli, që me ardhjen e tyre në pushtet para rreth 3 vjetësh,e kanë ditur disponomin ndërkombëtar anti-qymyr dhe njëkohësisht afatet e caktuara për të larguar atë nga prodhimi i rrymës, por, nuk është se ka lënë ndonjë gjurmë serioze në ndërtimin e kapaciteteve të mundshme të reja të energjisë së rinovueshme për të zëvendësuar fabrikat e rrymës me qymyr (lexo: termocentralet e stërvjetruara) me burime të ripërtëritshme.
Mehmet GJATA
Kosova ka aderuar në aleancën globale, që ka qëllim dhe mision heqjen graduale të prodhimit të energjisë me qymyr. Kosova është bërë pjesë e Aleancës së Energjisë Përtej Qymyrit (Powering Past Coal Aliance) të shtunën (më 1 dhjetor 2023) në Konferencën e OKB-së për Ndryshime Klimatike (COP28) në Dubai, duke iu bashkëngjitur, kështu, shteteve si ShBA, Norvegji, Republika Çeke, Qiproja, Republika Domenikane e Islanda, të cilat kanë aderuar njëkohësisht në këtë Aleancë.
Aleanca “Powering Past Coal” filloi gjashtë vjet më parë dhe kishte 50 vende anëtare deri të shtunën kur Shtetet e Bashkuara dhe gjashtë të tjerë u bashkuan kësaj Aleance.
Ndërsa, siç raportojnë mediet, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke njoftuar për këtë Aleancë, ka thënë se “Kosova me këtë rast përfiton mbështetje në përshpejtim të zhvillimit të energjisë së pastër, qasje në burime financiare e ekspertiza teknike, bashkëpunim në hartim e zhvillim të politikave, si dhe këmbim të informatave e praktikave më të mira”.
Por, pos përfitimeve të pritshme dhe të apostrofuara nga ministrja Rizvanolli, aderimi në këtë Aleancë, nënkupton edhe detyrimet e Kosovës (sikundër edhe të pjesëtarëve të tjerë) gjithnjë në kuadër të angazhimeve të tjera ndërkombëtare që tashmë janë të legjitimuara si Marrëveshja e Parisit dhe Deklarata e Sofjes, për dhënien fund të përdorimit të qymyrit për të prodhuar energji elektrike për të kontribuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe zero emetimet e gazrave serrë.
Sado që ministrja jonë nuk përmendi ndonjë vit si afat kohor se cili parashihet të jetë koha e fundit e dhënies fund të qymyrit si resurs kryesor të prodhimit të rrymës (Kosova aktualisht mbi 90 për qind të energjisë elektrike e prodhon në bazë të qymyrit), pak a shumë dihen afatet goxha ultimative të përcaktuara të angazhimeve paraprake ndërkombëtare (më herët është apostrofuar viti 2035 si kohë e fundit e dhënies fund të qymyrit).
Me fjalë të tjera, Kosova, edhe Qeveria aktuale dhe ministrja Artane Rizvanolli, që me ardhjen e tyre në pushtet para rreth 3 vjetësh, e kanë ditur disponomin ndërkombëtar anti-qymyr dhe njëkohësisht afatet e caktuara për të larguar atë nga prodhimi i rrymës, por, nuk është se ka lënë ndonjë gjurmë serioze në ndërtimin e kapaciteteve të mundshme të reja të energjisë së rinovueshme për të zëvendësuar fabrikat e rrymës me qymyr (lexo termocentralet të stërvjetruara) me burime të ripërtëritshme.
Kosova akoma është “në fund të pusit”, edhe në tejkalimin e krizës energjetike (ka mungesë evidente të rrymës së prodhuar nga termocentralet vetanake të stërvjetruara, në bazë të linjitit, por, edhe në zhvillimin e tranzicionit, që nënkupton zëvendësimin e fabrikave të rrymës me qymyr me sosh në bazë të erës dhe të diellit.
Kosova, pra, dështoi të ndërtojë një termocentral 500 megavatësh, aq sa vlerësohej se i nevojitej vendit për të sfiduar krizën energjetike për disa vite në vazhdim, kur realisht kishte mundësi dhe kur akoma nuk ishte “dënuar” qymyri si burim energjetik. Dhe, përkundër deklarimeve të parreshtura të autoriteteve se “energjia elektrike është interes kombëtar” dhe deklaratave të kreut të Qeverisë aktuale se “këto dy vjet e gjysmë qeverisje, kemi punuar në mënyrë metodike për zgjidhjen afatgjate që meriton vendi ynë”, dhe përkundër vizioneve dhe ideve mbresëlënëse, ka fare pak rezultate të ndërtimit të impianteve të energjisë së rinovueshme.
Praktikisht, Kosova po e përmbyllë edhe vitin 2023, vetëm me Parkun e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës (me kapacitet 105 megavatësh), të ndërtuar para dy-tre vjetësh nga kompani dhe kapital i huaj dhe një park solar me kapacitet fare të vogël (36 megavatësh), në Kitkë të Kamenicës, të ndërtuar nga investitor turq, po kështu, para disa vitesh. Kemi edhe ca hidrocentrale me fuqi minimaliste, të ndërtuara vite e vite më parë, dhe që sasia e energjisë elektrike të prodhuar në to, as që ia vlenë të përmendet.
Në këtë mënyrë, Kosova, me vonesat e ndjeshme të realizimit të ndonjë projekti të ri të energjisë së rinovueshme, ka të ngjarë të huq edhe synimet e programuara për pasjen e kësaj energjie sipas dokumenteve zyrtare të zhvillimit të sektorit energjetik, ndër to të Strategjisë të zhvillimit të energjisë në periudhën 2022-2031.
Kosovës, siç është vlerësuar tashmë me qindra e qindra herë, i duhen urgjentisht një numër kapacitetesh (dhjetëra sosh) të energjisë së ripërtëritshme nga 100 e më shumë megavatësh. Kapacitetet e reja të energjisë së gjelbër, dhjetra kapacitete në bazë të erës dhe të diellit (500 megavatë deri më 2025 dhe 1300 megavatë deri më 2031), (synimi për të pasur Kosova një termocentral 500 megavatësh, ose për të rindërtuar tërësisht tre blloqe të termocentrale Kosova A, siç mendohej dhe planifikohej për vite të tëra, tani praktikisht është i parealizueshëm), janë synim, vizion dhe premtim edhe i Qeverisë Kurti 2, që nga shpërfaqja e krizës energjetike dhe nga domosdoja dhe nevojat imediate të Republikës për energji elektrike.
Por, pas Dubait, po del të jenë edhe obligim ndërkombëtar për t’u përmbushur ngutshëm. Dhe, sipas mendimit të ekspertëve të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, Kosova, edhe megjithë varfërinë ekstreme të saj, ka pasur shumë herë mundësi dhe vazhdon të ketë akoma, pra për të ndërtuar një e më shumë kapacitete energjetike, qoftë në bazë të erës, qoftë në bazë të diellit.
Mirëpo, Kosova, megjithë vizionet e mira dhe synimet goxha konkrete të parapara edhe me dokumente zhvillimore, ndër to edhe me Strategjinë energjetike 2022-2031, ka ngec dhe vazhdon të mbetët prapa sa i përket ngritjës së kapaciteteve të rinovueshme.
Edhe gjatë këtij viti, Kosova, autoritetet e saj, sidomos ministrja Rizvanolli dhe kryeministri Kurti, nuk kanë lënë ditë pa bërë shumë premtime të mëdha, të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së rinovueshme. Kanë bërë disa herë prezantime të projekteve që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe kanë propaganduar, në raste edhe kanë promovuar dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë së rinovueshme në Kosovë. Por, ka fare pak vepra, sado që nuk prajnë premtimet e pandalura për dekarbonizimin e Kosovës nga zyrtarët.
Në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, e mbajtur në Prishtinë më 24 maj, Kurti kishte vënë në dukje se “qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme”. Ai me këtë rast ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme. “Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, kishte deklaruar kryeministri Kurti me këtë rast.
Fjalë të mira dhe goxha vizione, pa veprimet e nevojshme institucionale për ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, kanë edhe deklarimet e stërpërsëritura dhe të bëra monotone, të ministrës së Ekonomisë, Artane Rizvanollit’, të bërë po kështu, në të njëjtin Forum. Dhe, me këtë rast, Rizvanolli i atribuoi merita Qeverisë aktuale, punës që është duke u bërë aktualisht, sipas saj, në “ndërtimin e parkut solar 100 MË në KEK, i cili mundëson që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese; Projektin e impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MË që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, që është një nga projektet më të mëdha në Evropë si dhe – Investimin më të madh në Historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MÇ-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”.
Por, Artane Rizvanolli, as autoritet e tjera nuk e thonë një fjalë të vetme konkrete, se ku kanë arritur realizimi i këtyre projekteve (ndërtimi i parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 2 vjet e më shumë dhe projektet e tjera të apostrofuara këtu). Ndërsa, siç dihet, ndërtimi i parkut solar në KEK, ende as që ka nisur. Tani për tani akoma mbetët vetëm vizion ky projekt i cili parahikohej të ketë kapacitet 100 MË, dhe do të kushtojë përafërsisht 95-105 milionë euro. Po, dihet edhe e dhëna se parashihet të ndërtohet mbi kodrat e dheut, të krijuara prej hirit të qymyrit të djegur në termocentralet e KEK-ut. Nuk është bërë akoma përgatitja e dosjes së tenderit dhe as që bëhet fjalë për përzgjedhjen e punëkryesit të këtij parku solar. Kurse, realizimi i projekteve të apostrofuara nga ministrja, siç është impianti ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MË që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, dhe investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energji, që veçohet nga Rizvanolli, ”Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”, janë projekte që nuk varen nga Qeveria jonë, por nga investuesit, ata të jashtmit, të cilët, deri më tash vetëm sa kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin financiarisht këto projekte. Tani ka mbetur goxha i paqartë edhe fati i ankandit të parë, të shpallur që në pranverë për një kapacitet solar (parashihet të ndërtohet diku në rajonin e Rahovecit), për të cilin u bë shumë zhurmë, por që ngeli pashpjegueshëm në gjysmë të rrugës. Në fakt, sipas zyrtarëve interesimi për këtë ankand ka qenë shumë i madh. Madje, sipas tyre, për te kanë shprehur interesim rreth 200 pretendentë, shumica nga bota, por për shkaqe të panjohura dhe për pa sqarime zyrtare, po shtyhet vazhdimisht afati. Deri tani janë prolonguar tre afate të caktuara nga zyrtarët.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, më 12 maj , me rastin e shpalljes së ankandit të parë solar (Ankandi Solar 100 MË) ripërsëriste se “ky potencial do të shtojë benficione shtesë sa i përket zvogëlimit të kostos dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtëritshme. “Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik. Ky është një progres i gjelbër i prekshëm“, kishte thënë ai me këtë rast. Por, kur do të bëhet kjo, ose sa duhet të presin kosovarët për ta pasur këtë projekt, që realisht është modest për nga kapaciteti dhe jo i pa përballueshëm financiarisht edhe nga Kosova e varfër?
Po e përsërisim për të satën herë: Në Kosovë ende, as në vitin e kaluar, as në këta muajt e shkuar të 2023-tës, nuk është bërë asnjë nismë ndërtimore, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër, ndërkohë që në shumë shtete të botës, edhe në Ballkan, “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke e bërë real dhe evident një ndryshim të mrekullueshëm dhe dramatik në ngritjen e kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. Në këtë mënyrë, duket e zymtë, e zbehtë dhe thuaja e parealizueshme perspektiva e premtuar për impiante të reja, dhe patjetër vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga kryeministri Kurti se parashikohet “për më pak se 10 vjet, më shumë se 1.300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, sikundër që janë të diskutueshme premtimet e ministres Artane Rizvanolli dhe parashikimet ambicioze të vijëzuara në Strategjinë energjetike të Kosovës 2022 – 2023, që siç dihet, objektiv strategjik ka dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme, derisa Kosova ka mungesë të vazhdueshme të energjisë elektrike. Nëse nuk bëhet ndonjë kthesë goxha radikale në qasjën e zyrtarëve për të pasur impiante të reja të energjisë së rinovueshme dhe nëse autoritetet e Kosovës nuk bëhen më serioz në përmbushjën e premtimeve dhe të obligimeve ndërkombëtare për energji të gjelbër, fare lehtë do të bëhen fjalë të kota edhe këto të fundit të ministres Rizvanolli të deklaruara të shtunën që shkoi në Dubai për përfitimet e mbështetjes ndërkombëtare në përshpejtim të zhvillimit të energjisë së pastër. /Buletini Ekonomik/