Qytetarët e Kosovës kanë postuar nëpër rrjete sociale faturat e dhjetorit të energjisë elektrike, duke pretenduar se “janë të fryera”.
Ekonomisti Bashkim Mustafa, ka reaguar në lidhje me këtë situatë duke kërkuar që të hetohen implikimet e bordit të ZRRE-së siç thotë ai në favor të KEDS-Kesco.
Po ashtu kërkon të hetohet ministrja Rozeta Hajdari, siç thotë Mustafa “për mos marrjen e masave dhe matjen e intensitetit të kalibrimit të orës dixhitale dhe mbrojtjen e konsumatorit”.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se çmimi i rrymës nuk duhet të rritet sepse është i nevojshëm për konsum si buka, kripa, uji, vaji.
”Energjia elektrike është burimi kryesor i konsumit të amvisërive, jo vetëm për ngrohje siç pretendohet nga KEDS-Cesko i mbrojtur nga Qeveria. Energjia përfshihet në grupin e produkteve të nevojshme për konsum si buka, kripa, uji, vaji.. COICOP-it: prandaj Qeveria e nuk duhet të rrisë çmimin dhe ta bëjë të papërballueshëm! Kur çmimi i energjisë u ngrit në prill të këtij viti nga ZRRE-ja, miratuar nga Qeveria. Ne kemi reaguar dhe kemi theksuar se kalkulimi i kostos dhe metodat e llogaritjes nuk përkojnë me realitetin, kushtet dhe rrethanat e Kosovës dhe formula e llogaritjes së kostos ka qenë e gabuar”, ka deklaruar ekonomisti.
“Këtë gabim qytetarët do ta paguajnë me rritje të faturave të këtij muaji, që fatkeqësisht pritet të vazhdojë, nëse nuk ndalet. Në kohën e inflacionit, qeveria në vend që të ndihmojë familjet, e bën edhe më të vështirë mbijetesën e tyre. Në këto rrethana konsumatori – qytetari është plotësisht i pambrojtur, sepse organet qeveritare dhe rregullatorët e ekonomisë janë në shërbim të KEDS-Cesko s! Urgjentisht të hetohen implikimet e bordit të ZRRE-së në favor të KEDS-Cesko. Të hetohet Ministrinë Rozeta Hajdari për mos marrjen e masave dhe matjen e intensitetit të kalibrimit të orës dixhitale dhe mbrojtjen e konsumatorit”, ka thënë ai.