Inspektorati i Tregut thotë se kanë intensifikuar inspektimet në prag të festave të fundvitit

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar se tashmë kanë intensifikuar inspektimet tek operatorët ekonomik, në prag të festave të fundvitit.
Sipas njoftimit të tyre, ekipet e Inspektoratit janë shpërndarë në qytete të shumta të Kosovës, ku për çdo ditë po realizohen inspektime të vazhdueshme me qëllim parandalimin e abuzimeve eventuale me çmimet e produkteve.
Krahas saj, sipas tyre, inspektorët sipas përgjegjësive ligjore, po bëjnë inspektime edhe në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, sigurinë e produkteve dhe shërbimeve, tregtimit të naftës dhe derivateve të naftës, parandalimin e praktikave të pa drejta tregtare, luftimin e ekonomisë jo formale, shërbimeve hoteliere dhe turistike.
“I gjithë ky angazhim në terren ka për qëllim zbatimin dhe garantimin e ligjshmërisë në tregtimin e mallrave në tregun e Kosovës për mbrojtjen e konsumatorëve dhe interesin publik”, thuhet në njoftimin e tyre.
Te subjektet ekonomike ku hasen parregullësi përgjatë inspektimeve, Inspektorati i Tregut thotë se sipas dispozitave ligjore në fuqi, do të shqiptojë gjoba mandatore dhe do të iniciojë procedura gjyqësore ndaj tyre.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes mbikëqyrjes së tregut dhe luftimit të manipulimeve në treg, mbetet maksimalisht e përkushtuar për të garantuar ligjshmërinë dhe mbrojtjen e konsumatorit. Ftojmë qytetarët që të jenë të vëmendshëm gjatë blerjeve, dhe për çdo shkelje të të drejtave të konsumatorit, të vazhdojnë të adresojnë ankesat/njoftimet në Inspektoratin e Tregut, përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, sqarojnë ata.
Për çdo rast qytetarët ftohen të raportojnë në:
Tel: 0800 11000 ose
E-mail: Konsumatori@rks-gov.net
“Të gjitha kërkesat dhe raportimet tuaja do të shqyrtohen me kujdes.”