Investimet në Kosovë, pra edhe ato kapitalet, edhe investimet e jashtme, edhe ato në projekte industriale dhe energjetike, edhe investimet në sektorin privat, në këtë periudhën e pasluftës kanë qenë të dështuara, të papërmbushura në asnjë objektiv në të shumtën e viteve. Ndërsa, Qeveria Kurti 2 ka premtuar shumë dhe ka huqur shumë në përmbushjen e këtyre premtimeve.
Buletini Ekonomik
Informacioni i publikuar këto ditë në shumë medie për dështimet e sivjetshme të investimeve në sektorin privat në Kosovë, dhe i plasuar në hapësirat dominante të shumë medieve kosovare, po të analizohej gjithanshëm dhe më detajisht, del të jetë vetëm një huqje në kuadër të dështimeve të investimeve të tërësishme në Republikën tonë. Ndërsa, që në fillim duhet thënë se dështimet në investime në Kosovë, nuk kanë ndodhur vetëm sivjet, as vetëm në mandatin e Qeverisë Kurti 2, por kanë ndodhur thuaja në të gjitha vitet që nga paslufta.
Kosova, me fjalë të tjera, në asnjë periudhë, as vit pas vitit 2000, nuk është shquar për ndonjë investim mbresëlënës, as për shifra imponuese. Përkundrazi, investimet, edhe ato, të jashtme, edhe kapitale, edhe në sektorin privat kanë qenë minimaliste dhe shumë nën investimet e shteteteve të rajonit, madje edhe nën ato që kanë popullsi të përafërt me ne dhe treg pak a shumë të përafërt me tonin.
Por, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Shqipëri, që na kanë mposhtur bindshëm për nga investimet, po del të kenë pasur njerëz me ide që u treguan edhe të shkathtë për të bërë projekte joshëse dhe intriguese, gjë që te ne kanë munguar dhe vazhdojnë të mungojnë, respektivisht nuk u angazhuan nga zyrtarët, pos në raste tepër të rralla nga vendimmarrësit. Prandaj, jemi ku jemi…
Investimet në Kosovë, pra edhe ato kapitalet, edhe investimet e jashtme, edhe ato në projekte industriale dhe energjetike, edhe, siç u bë publike tani, investimet në sektorin privat, në këtë periudhën e pasluftës kanë qenë të dështuara, të papërmbushura në asnjë objektiv në të shumtën e viteve. Hiç vitet 2012 dhe 2013 kur është përmbyllur autostrada “Ibrahim Rugova” dhe pesë vjet më vonë kur ka ndodhur finalizimi i autostradës Prishtinë – Shkup, realisht, nuk ka pasur ndonjë investim tjetër për t’u përmendur, qoftë për ndonjë projekt industrial, prodhues apo energjetik, që do të gjeneronte vende të reja pune, por edhe të ardhura aq të nevojshme për Kosovën e varfër.
Edhe në vitet e mëhershme, sipas një raporti hulumtues të publikuar të GAP-it, nuk shihet se ka pasur ndonjë shifër edhe aq të theksueshme investimesh kapitale (më 2014 -24 për qind, më 2015-25 për qind, më 2017 – 20 për qind, më 2018-26 për qind, më 2019-16 për qind, më 2020 11 për qind, më 2021- 19 për qind dhe më 2022 vetëm 9 për qind, që, gjithsesi, është më i ulëti në dekadën e fundit, siç u potencua në shumë raporte të publikuara gjatë vitit të shkuar).
Dhe, për rekordet negative të investimeve, por edhe për rënien e tyre në dy-tre vjetët e fundit, qoftë edhe minimalisht, në të gjitha rastet, duhet fajësuar pa hezitim, në veçanti edhe qeveria aktuale, ministrat e saj, të cilët premtuan shumë dhe huqën edhe më shumë.
Edhe të dhënat më të reja të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, se në tremujorin e tretë të këtij viti, investimet private kanë rënë për rreth 20%, janë tronditëse dhe trishtuese dhe flasin tejdukshëm për dështime të tjera të investimeve të dikastereve aktuale përkatëse qeveritare. Në Kosovë, në këta muaj të 2023 – tës, ende nuk ka ndonjë njoftim për ndonjë investim të vlershëm kapital, për ndërtimin e ndonjë kapaciteti prodhues që do të gjeneronte vende të reja pune, për ndonjë partneritet serioz publiko-privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Për të qenë korrekt, që në pranverë është bërë publike shpallja e ankandit të parë nga Qeveria e Kosovës për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavatësh në vlerë 75 milionë euro, dhe tani për tani, ka mbetur me kaq, përkundër siç është thënë shumë herë, interesimit të madh të shumë kompanive, sidomos të jashtme. Por, sado i rëndësishëm të jetë ky hap (lansimi i këtij ankandi), deri te realizimi i këtij projekti, domosdo do të duhet të kalojë një kohë e gjatë edhe nëse paraqitet ndonjë investitor potencial në këtë ankand.
Ndërsa, projekti i paralajmëruar, që në fillim të vitit 2022, me emërtimin “Solar4Kosova”, pas nënshkrimit të “marrëveshjes së nën-huazimit dhe nën-grantit mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ngrohtores së qytetit “Termokos”, më 11 dhjetor 2023, duket të jetë bërë më i kuptueshëm dhe më i qartë për publikun, sidomos për atë kryeqytetas, të cilit, në njëfarë mënyre i dedikohet ai, dhe nga i cili do të përfitojnë më së shumti kryeqytetasit. Janë saktësuar shumë objektiva të njohura dhe të panjohura deri më tash të këtij projekti, realizimi i të cilit do të kushtojë diku rreth 80 milionë euro. Dhe, këto dy projekte, njëri vetëm i inicuar dhe tjetri pak a shumë më afër nisjes së realizimit të tij, janë vetëm një “pikë ujë në deti’, nga premtimet e panumërta zhvillimore të zyrtarëve dhe autoriteteve aktuale vendimmarrëse të Kosovës.
Ndërkohë, opozita, përfaqësuesit e saj që trajtojnë dhe preokupohen më seriozisht me zhvillimet ekonomike, si gjithherë, deklarohen edhe më pesimistë rreth investimeve në përgjithësi.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë kohë më parë se viti 2023 do të jetë vit i humbur në investimet kapitale. Sipas tij, “Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sikurse në vitin paraprak: Po vazhdojnë investimet e ulëta kapitale, po vazhdon grumbullimi i mjeteve në llogarinë bankare të Qeverisë, dhe po vazhdon bllokada e investimeve kapitale në komuna nga Qeveria duke mos i alokuar mjetet nga të hyrat vetanake të komunave”.
Prandaj, s’ka si mos ta shpreh shqetësimin edhe kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, kur vlerëson për medie se “mungesa e investimeve në këtë sektor (bëhet fjalë për sektorin privat), ka ndikuar negativisht në biznese, të cilat aktualisht, sipas tij, janë në një gjendje shumë të rënduar”.
“Ecuria e investimeve ka filluar të ketë një rënie edhe në vitin 2023 duke shikuar edhe 3 mujorin e parë edhe të dytin e të tretin. Tanimë gjendja e bizneseve është shumë e keqe, shumë biznese janë duke luftuar për mbijetesë…”, ka thënë ai për medie.
Përkundër deklaratave të vazhdueshme të qeverisë për rritje ekonomike, njohës të ekonomisë vlerësojnë se ekonomia e vendit ka stagnuar. Ndërsa, ish-ministri i Financave Haki Shatri, ka thënë se “mungesa e investimeve, shumë biznese dhe kompani prodhuese po i çon drejt falimentimit”.
Po të shikohen edhe shifrat e proklamuara të investimeve të huaja nga autoritetet dhe zyrtarët e Kosovës, të realizuara bie fjala, gjatë vitit të kaluar (2022), në Republikën tonë, duken goxha numra imponues dhe krahasuar me një vit më parë, sikur fitohet përshtypja se në janë shënuar goxha rezultate në tërheqjen e kapitalit të jashtëm, këtu, në Kosovën e varfër. Sepse, nuk është edhe aq e vogël, as minimaliste e dhëna se “Investimet e Huaja Direkte vitin e kaluar kanë arritur në 778.2 milionë euro”, e dalë nga raporti i BQK-së, por e proklamuar në disa raste edhe nga zyrtarë të lartë aktual.
Kjo shifër, sipas BQK-së, i bie të jetë diku rreth 85 për qind, më shumë se në vitin 2021. Por, dihet se këto investime në shifra jo pak imponuese nuk janë të efektshme, as investime reale të jashtme, as prurje e kapitalit të prekshëm të huaj. Dihet se deri më tash (edhe sivjet pra), investimet e huaja direkte (IHD-të), kryesisht janë investuar në patundshmëri, respektivisht në blerjen e banesave nga mërgata kosovare dhe aty-këtu ndonjë toke. Pra, edhe më 2022, edhe më 2023, sikundër edhe në shumë vite të tjera të pasluftës, sektori i patundshmërisë ka vazhduar të mbetet më atraktivi dhe më i rëndësishmi për investime të huaja dhe përbën mbi 60 për qind të gjithsej IHD-ve. Thjesht, në këto vite nuk u ndërtua ndonjë objekt industrial, apo prodhues çfardolloji qoftë, që është për t’u veçuar.
Ndërkohë, është e dëshmuar gjithanshëm se investimet në patundshmëri (në blerjen e banesave dhe të lokaleve), qoftë edhe me paranë e ardhur nga jashtë, nuk e kanë efektin as të përafërt të zhvillimit ekonomik, të gjenerimet të kapitalit, të krijimit të vendeve të punës dhe të rritjes reale të zhvillimit ekonomik. Prandaj, po të analizohen më detajisht investimet e huaja direkte në Kosovë, nuk dalin të jenë edhe aq rezultative dhe të efektshme, megjithë shifrat goxha të larta të apostrofuara. Kosova edhe më tutje po ngec ekonomikisht, po stagnon edhe në realizimin e investimeve kapitale, edhe në tërheqjen e parasë nga investitorë të jashtëm. Në Kosovë edhe në këta muaj të shkuar të 2023-tës ka ngritje pa kontroll çmimesh të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre themelore ushqimore, ka varfëri të madhe, ka papunësi enorme dhe ikje brengosëse të qytetarëve nga vendi i tyre. Ndërsa, ka mundur të bëhet shumë më shumë në përmbushjën e investimeve në tërësi, edhe në konditat e pasojave të theksueshme post-Covid, edhe në rrethanat e përqëndrimit të fokusit te skemat sociale dhe në zbutjen e pasojave të krizës energjetike botërore, që tepër negativisht u shpërfaqë edhe në vendin tonë.
Qeveria aktuale me një vendosmëri më të madhe dhe me një përkushtim më serioz, gjithsesi, ka pasur të gjitha parakushtet për të nisur ndonjë kapacitet energjetik nga burimet e rinovueshme, siç u proklamua në vazhdimësi në këtë periudhë. Një kapacitet 100 megavatësh, qoftë nga era, qoftë nga energjia solare, Kosova ka pasur të gjitha mundësitë vetjake që së paku ta nisë në këtë vit, e pse jo edhe ta finalizojë ndonjë projekt të energjisë solare, për çka parashihet më pak kohë për ta realizuar, por edhe më pak mjete financiare se sa bie fjala një kapacitet me kapacitet përafërsisht të njëjtë me energji nga era. Prandaj, po të kishte më shumë vendosmëri, vizione dhe projekte me nisma konkrete, mundësitë janë këtu, por ato duhet shfrytëzuar. /Buletini Ekonomik/