Arsyeja e vetme e stopimit momental të këmbimit të rrymës është mos pasja nevojë e konsumeve të dy korporatave energjetike (të KESH-it dhe të KEK-ut) për energji shtesë për nevojat e konsumeve të veta.
Buletini Ekonomik
Ka ditë dhe javë madje, që këmbimi i energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri është zero. Nuk ka pra, fare këmbim të rrymës ndërmjet të dy shteteve shqiptare, ndërsa arsyeja e vetme e stopimit momental të këmbimit të rrymës është mos pasja nevojë e konsumeve të dy korporatave energjetike (të KESH-it dhe të KEK-ut) për energji shtesë për nevojat e konsumeve të veta.
Zyrtarë të KEK-ut i kanë thënë sot Buletinit Ekonomik se ofertat nga të dy anët për energji shtesë janë në tavolinë, dhe po qe se ka nevoja për rrymë shtesë për të plotësuar nevojat e konsumit me rrymë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, sistemet elektroenergjetike të dy vendeve janë fare të gatshme të aktivizojnë këmbimin e rrymës.
Ç’është e vërteta, Kosova sivjet, për dallim nga viti 2022, edhe gjatë muajve të verës, kur rëndom në Shqipëri ka nevojë më shumë për energji elektrike, për shkak të remonteve të detajuara dhe në kohëzgjatje disamuajshe në të dy blloqet e termocentraleve Kosova B, nuk ka pasur mundëi reale të deponojë edhe aq shumë energji elektrike në KESH. Thuaja i tërë deponimi i sivjetshëm i Kosovës në Shqipëri, ka qenë kthim borxhi ndaj KESH-it, me të cilën sasi goxha të madhe ishte ngarkuar KEK-u gjatë sezonit të vjetshëm dimëror.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë dimrit të shkuar (2021-2022) është bërë një këmbim realisht i madh i rrymës ndërmjet dy shteteve shqiptare. Kosova, në saje të prodhimit stabil gjatë muajve të verës kishte deponuar në Shqipëri diku mbi 220 mijë megavatë-orë, ndërsa Shqipëria në saje të vjeshtës me të reshura të bollshme, dhe mbushjes së akumulimeve të ujit në Kaskadën e Drinit, ia ktheu në tërësi këtë sasi KEK-ut, dhe deponoi rrymë shtesë diku rreth 180 mijë megavatë-orë në KEK.
Gjatë verës së këtij viti, Kosova, sa herë ka patur teprica, ka kthyer këtë borxh, por siç u tha më lartë, 2023-ta, për shkak të remonteve në Kosova B, ka pasur më pak prodhim nga kapacitetet e veta, që nënkuptohet edhe më pak mundësi për të deponuar rrymë, qoftë edhe si kthim borxhi, në KESH. Tani borxhi i KEK-ut ndaj KESH-it është diku rreth 40 mijë megavatë-orë.
Aktualisht, gjendja e furnizimit të konsumeve të të dyja vendeve nga prodhimi vetanak është stabil dhe nuk ka ndonjë mungesë të theksueshme të rrymës. Në Kosovë, ka kohë që nga termocentralet e Kosovës që gjenden në prodhim, respektivisht nga blloku B1 dhe B2 të Kosovës B, me kapacitet të secilit bllok prej 260 megavatë-orësh dhe A3-shi dhe A5-shi të Kosova A, me gjithsej 260 megavatë-orë, janë prodhuar thuaja në vazhdimësi diku afër 800 megavatëshit. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive – plus më së paku rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).
Kjo sasi e energjisë elektrike, sipas zyrtarëve të KEK-ut, ende është e mjaftueshme për të furnizuar pa probleme të theksuara konsumin e vendit. Edhe në Shqipëri, situata elektroenergjetike tani është stabile, dhe këtë e kanë mundësuar reshjet e tetorit dhe nëntorit të sivjetshëm. Reshjet e shumta dhe të zgjatura në fund të nëntorit në rajon (në vendin tonë, në shtetet fqinje dhe sidomos në Shqipëri), ishin tejet dobiprurëse dhe përmirësuan ndjeshëm bilancet energjetike të vendeve që kanë më shumë hidrokapacitete elektroenergjetike. Këto reshje kanë ndikuar më së shumti në përmirësimin e gjendjes energjetike në Shqipëri, ku vrullshëm dhe brenda disa ditësh, praktikisht u mbushen akumulimet e ujit në Kaskadën e Drinit, duke ua bërë të mundshme hidrocentraleve të Shqipërisë prodhimin maksimal të rrymës.
Në sajë të ujërave të bollshme, sistemi elektroenergjetik shqiptar, qëkur u mbushën me ujë bazenet në kaskadën e Drinit, nisi edhe të eksportojë një sasi të mirë të rrymës, t’i kthejë borxhet në rrymë dhe zuri ta përmirësojë gjendjen financiare, të rënduar nga importet në sasi të mëdha të rrymës për nevojat e veta gjatë kohëve kur nuk kishte ujë të mjaftueshëm. Duke pasur vazhdimisht teprica, KESH-i gjatë dimrit dhe në anën tjetër Kosova – nevojë për më shumë energji elektrike se sa që prodhonin termocentralet e saja, shpresohet seriozisht edhe gjatë këtij dimri në huazimet e rrymës nga Shqipëria, ndërsa këtë sasi KEK-u do ta kthejë gjatë muajve të verës, kur rëndom ka teprica në Kosovë. /Buletini Ekonomik/