Kontrata komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, Abazi: Shpresoj të zbatohet, hap drejt faturimit në katër komunat në veri

Ditë më parë KEDS dhe Elektrosever kanë nënshkruar kontratën komerciale që konsiderohet se është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë në pjesën veriore të Kosovës.

Eksperti i çështjeve të energjisë, Dardan Abazie cilëson si pozitive marrëveshjen, pasi pritet të integrojë sistemin energjetik në veri në kuadër të sistemit energjetik të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Abazi tha se shpreson që kjo marrëveshje do të gjejë zbatim të plotë dhe e njëjta të mos mbetet vetëm në një hap politik.

“Marrëveshja me çka kemi parë nga marrëveshjet e Brukselit është pozitive dhe i mundëson sistemit tonë,  integrim të plotë. Shpresojmë në zbatim të plotë dhe e njëjta të mos mbetet vetëm një hap politik”, vlerësoi Abazi.

Ai gjithashtu kërkoi që të bëhet publike marrëveshje nga ana e ZRRE-së ose Ministrisë së Ekonomisë.

“Gjithashtu, presim publikim të marrëveshjes dhe jemi të shqetësuar që e njëjta nuk është publike deri më tani. I bëjmë thirrje ZRRE-së dhe Ministrisë të bëjë publikimin e saj të menjëhershëm. Sidoqoftë, e shohim si një hap pozitiv drejtë integrimit dhe rritjes së konkurrencës në tregun e energjisë”, ka thënë Abazi.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian (BE) ditë më parë e ka mirëpritur nënshkrimin kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës KEDS dhe kompanisë, Elektrosever.

Miroslav Lajçak me anë të një postimi në X e ka quajtur këtë si një hap të rëndësishëm për zbatimin e plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.

Edhe, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se nënshkrimi i kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, është edhe një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës.

Bislimi thotë se “më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasi që pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën”.

Arritjen e kësaj marrëveshje e kishin mirëpritur po ashtu edhe ambasadorët e huaj të akredituara në Kosovë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka shkruar se ky është një lajm i mirë dhe se tani duhet të ketë zbatim pa vonesa.

“Vërtet lajm i mirë, tani kemi nevojë për zbatim të qëndrueshëm pa vonesa të mëtejshme!”, është shprehur Rohde.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott e ka quajtur si të rëndësishëm arritjen e kësaj marrëveshje.

“Unë e mirëpres këtë progres të rëndësishëm në zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë”, ka shkruar ai.

Edhe nga KEDS kanë thënë se ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë.

Ata janë shprehur të kënaqur që e kanë arritur këtë moment siç e quajnë ata “historik”.

Ndryshe, kjo kontratë mes KEDS-it dhe Elektrosever, ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022”.