Papunësia në Shqipëri bie në nivel rekord, në 10.5%

Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri arriti në 10,5%, në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rekord historik minimal.

Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,03 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,1% dhe për gratë 11,1%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e papunësisë është rritur me 0,2 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,2 pikë përqindje për gratë.

Reklama e sponzorizuar

Ndonëse papunësia ka rënë në shkallë kombëtare, ajo është rritur tek të rinjtë. Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7,6 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje.

Punësimi bie në industri, rritet në shërbime

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%.

Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2022 në tremujorin e tretë 2023, është rritur me 1,2%. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 3,0% në sektorin e bujqësisë dhe me 2,0% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 6,1% në sektorin e shërbimeve.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2023, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1%. Punësimi ulet me 2,5% në sektorin e industrisë dhe me 1,3 në sektorin e shërbimeve, ndërsa u rrit me 7,3 në sektorin e bujqësisë.

Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 73,4 %, ndërsa për gratë është 62,2%.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,7 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje. Në tremujorin e tretë të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,8%.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e punësimit të të rinjve është rritur me 1,1 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e dytë 2023 ështe rritur me 0,7 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit është 78,2%.

Shkalla e punësimit

Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 1,6%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,5%, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.5%, duke pësuar rënie me 0,03 pikë përqind, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022 dhe është ulur me 0,2 pikë përqind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 76,1 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 2,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,3 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 82,2%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 12,1 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,8 pikë përqindje dhe për burrat me 2,5 pikë përqindje

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 57,5%.

Ky tregues është rritur me 2,6 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,8 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë 2023. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 84.6%.

\