Raporti i BQK-së: Eksportet e Kosovës në rënie, deficiti tregtar arrin në 3.29 miliardë euro

Banka Qendrore e Kosovës së fundmi ka publikuar bilancin e pagesave për muajin shtator 2023.

Sipas BQK-së, eksportet e mallrave të Kosovës u ulën ndjeshëm këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Eksporti për këtë periudhë është zvogëluar për 7.2 për qind dhe shënoi vlerën 645.5 milionë euro deri në shtator.

Reklama e sponzorizuar

“Eksporti për këtë periudhë është zvogëluar  për 7.2% dhe shënoi vlerën 645.5 milionë euro (695.5 milionë euro ishte deri në shtator 2022). Ndërsa, importi i mallrave shënoi rritje të lehtë prej 2.6% duke arritur vlerën  3,935.6 milion euro (3,835.3 milion euro ishte deri në shtator 2022)”, ka njoftuar BQK.

Ndërsa, sipas BQK-së deri në shtator të këtij viti kishte deficit tregtar në vlerë 3.29 miliardë euro, që është për 4.8 për qind më lartë se vitin e kaluar.

“Bilanci tregtar në mallra deri në shtator të këtij viti kishte deficit në vlerë 3.29 miliardë euro, që është për 4.8% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raportin për statistikat e bilancit të pagesave për muajin shtator 2023. /Telegrafi/