Tenderi i dyshimtë: MINT synon t’ia paguajë afro 900 euro ditën një eksperti të huaj që i ndihmon me çështjen e investimeve

Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po i nevojiten dy ekspertë – një i huaj dhe një vendor – që t’ua hartojnë një strategji për tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendore në Kosovë. MINT-i për këtë ka vendosur që ta “hapë” kuletën. Për 85 ditë pune, ekspertit ndërkombëtar nga kjo ministri ia kanë caktuar 75 mijë euro. Ndërkaq, për ekspertin vendor i kanë rezervuar 25 mijë euro për 100 ditë pune. Megjithatë, për vendorin nga ky dikaster e kanë anuluar aktivitetin e prokurimit, meqë s’kanë pranuar oferta. Sipas përllogaritjeve të shumave të parapara, i bie që eksperti i huaj t’i marrë afro 900 euro në ditë, ndërkaq ai nga Kosova 250 euro në ditë.

MINT-i ka njoftuar të mërkurën që shkoi për anulimin e aktivitetit të prokurimit Lot 2 “Angazhimi i një ekspertit vendor për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime dhe Planit të Veprimit me Kostim”. Në arsyetim thuhet se arsyeja e anulimit të aktivitetit të prokurimit është se nuk kanë pranuar asnjë ofertë.

 

Reklama e sponzorizuar

 

Për këtë Gazeta Insajderi e ka kontaktuar MINT-in për të kërkuar sqarime shtesë, mirëpo nga ministria kanë dhënë arsyetimin e njëjtë sikurse në njoftim. Nga ky dikaster s’kanë bërë të ditur nëse janë në proces të vlerësimit të ofertave për ekspert ndërkombëtar.

“Procedura e prokurimet është me 2 Lote dhe është anuluar Loti-2 “Angazhimi i një ekspertit vendor për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime (Politika Kombëtare për Investime) dhe Planit të Veprimit me Kostim”, me arsyetimin nuk kemi pranuar asnjë ofertë”, thuhet në përgjigjen e MINT-it për mediumin.

Vlera e parashikuar e kontratës, e cila është publikuar më 23 nëntor, është 100 mijë euro75 mijë euro parashihet t’i ndahen ekspertit ndërkombëtar për 85 ditë punë ndërkaq 25 mijë euro për ekspertin vendor për 100 ditë pune.

 

 

Sipas përllogaritjeve, i bie që eksperti ndërkombëtar të paguhet afro 900 euro në ditë, ndërkaq ai vendor 250 sosh.

Për çka do të paguhen me gjithë këto para ekspertët?

Sipas dosjes së tenderit, Strategjia Kombëtare për Investime trajton mundësinë për tërheqje të investime të huaja dhe vendore në Kosovë. Përkundër që pagesat mes ekspertit vendor dhe atij ndërkombëtar dallojnë, të dyve iu kërkohet të hartojnë dokumente strategjike dhe të identifikojnë zonat me potencial për investime.

“Strategjia Kombëtare për Investime do të trajtojë mundësitë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe atyre vendore në Kosovë. Fushat me prioritet do të jenë në përputhje me politikat sektoriale të sektorëve prioritar, Ligjin për investime të qëndrueshme, Strategjinë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të biznesit 2030 dhe duhet të ndërlidhet me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030. Këto politika dhe dokumentet strategjike do t’i paraprijnë  analizave për sektorët që do të identifikohen për investime dhe do të përcaktohen fushat e ndërhyrjes. Kjo strategji, përveç sektorëve, duhet të identifikon zonat dhe hapësirat më me potencial për investime, përkatësisht do të ketë edhe synim promovimin e Kosovës për investitorë të huaj”, thuhet në përshkrimin e dosjes së tenderit.

Eksperti vendor në bashkëpunim me ekspertin ndërkombëtar, do të përkrah Departamentin e Investimeve, si dhe grupin punues në finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime 2030 (Politika e Investimeve)  në të gjitha fazat deri te finalizimi të këtij dokumenti:

Mbështet hartimin e draftit të parë të dokumetit strategjik;

Merr pjesë dhe mbështet ekspertin/en ndërkombëtar/e në punëtori;

Mbështet hartimin e dokumentit final të strategjisë;

Angazhohet së bashku me Grupin punues në hartimin e  Planit të Veprimit dhe kostimit;

Pas përfundimit të konsultimeve kompleton dokumentacionin e Strategjisë Kombëtare të Investimeve, Planit të Veprimit me kostim dhe Raportin e konsultimeve, konform kërkesave nga UA (QKR) nr.07/2018.

Nga eksperti ndërkombëtar kërkohet diploma e universitetit të nivelit Master në ekonomi, administrim biznesi, menaxhim apo fushë që ndërlidhet me obligimet.

“Aftësi shumë të mira komunikuese, këshilluese dhe negociuese  Njohuri shumë të mira pune të aplikacioneve kompjuterike (p.sh. MS Office)  Kërkohet rrjedhshmëri në të shkruar dhe të folur të gjuhës angleze”, thuhet në specifikat e dosjes së tenderit.

E njëjta kërkesë vlen edhe për ekspertin vendor, por që këtij të fundit i kërkohet edhe “aftësi për të siguruar raporte të shkruara të strukturuara mirë”.

“Aftësi analitike dhe aftësi për të interpretuar të dhënat dhe informacionin e mbledhur nëpërmjet instrumenteve kërkimore sasiore dhe cilësore; Aftësi shumë të mira komunikuese, këshilluese dhe negociuese”.

Saga e Qeverisë Kurti me ekspert

Një nga ekspertët më të përfolur kohëve të fundit ka qenë Gani Jakupi. Ai po i merr 7.500 euro pagë mujore nga Ministria e Punëve të Jashtme e Donika Gërvallës. Ai jeton në Spanjë por është angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si ‘këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike’.

Kontrata pesë faqëshe, që përmban pjesën kryesore me tri fletë dhe dy me një aneks-kontratë, e obligon Jakupin qe merr 7,500 euro pagë mujore nga Kosova, që të angazhohet kryesisht në: takime me gazetarë, artistë, drejtorë festivalesh, etj.

Përveç pagës mujore, Jakupit i mbulohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, edhe shpenzimet e takimeve me gazetarë e artistë.

Në kontratën bazë, Gani Jakupit i përcaktohet fushë-veprimtaria e takimeve me gazetarë e artistë në shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg).

Por në aneksin e kontratës, i zgjerohet edhe pak kjo fushë-veprimtari dhe i caktohet edhe: Brukseli e Parisi.

Insajderi pati raportuar për afërsinë e Jakupit me njerëz të lartë të pushtetit, si dhe mundësinë për konflikt interesi mes Jakupit e ambasadorit Bajrami.

Bajrami e Jakupi janë bashkëthemelues të festivalit ndërkombëtar të romanit grafik ‘GRAN Fest Kosova’. /Insajderi.org/