ArtMotion për largimin e disa kanaleve televizive: Ka skaduar marrëveshja me DigitAlb

Operatori kabllor “ArtMotion” ka dalë sot me një sqarim të thjeshtë për publikun, pas ankesave të shumta të klientëve rreth heqjes së dhjetëra kanaleve televizive nga platforma e tyre.

Kanalet e hequra janë kryesisht ato të DigitAlb-it të Shqipërisë, që përfshijnë kanale sportive ku transmetoheshin ligat ndërkombëtare, ato të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe kanalet e TvKlanit të Shqipërisë dhe ai i Top Chanel.

Në këtë sqarim për publikun, nga ArtMotion kanë thënë se vetëm ka skaduar marrëveshja mes tyre dhe DigitAlb-it.

Reklama e sponzorizuar

“Ju njoftojmë se përmbajtja e ofruar në platformën tonë transmetohet në përputhje me afatet kohore të ëprcaktuara në marrëveshjet komerciale me bartësit e të drejtave të kanaleve përkatëse. Si rrjedhojë, kanalet që ishin siguruar përmes marrëveshjes me DigitAlb janë larguar, meqë ka skaduar marrëveshja mes ArtMotion dhe DigitAlb”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre, ata kanë provuar të gjejnë zgjidhje për sigurimin e të drejtave për transmetim, mirëpo nuk kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshje sërish në momentin e fundit.

“Për shkak të kompleksitetit të sigurimit të të drejtave programore, ArtMotion, përkundër përpjekjeve dhe bisedimeve për të siguruar përmbajtjen nga DigitAlb, nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje të re për shkak të ndryshimeve në kushtet e negociuara në mes të palëve në momentet e fundit, veprim ky i cili na ka pamundësuar që të sigurojmë këtë marrëveshje”, kanë shkruar tutje nga ArtMotion.

Por, klientët e ArtMotion me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik kanë thënë se i gjithë ky ndryshim ka ardhur pa asnjë paralajmërim nga ana e kabllorit.

“Unë para dy muajve e kam nënshkru kontratën me këtë ofertë në Artmotion ku ka qenë e përfshime edhe Digitalb, Top channel. Pas dy muaje, me 1 janar janë hequr këto kanale. Ndihem i mashtruar nga kjo kompani”, ka thënë ai në kushte anonimiteti.

Ai thotë se oferta e ArtMotion që ai ka vendosur të nënshkruajë kontratë për të, ka pasur në reklamim edhe programet e DigitAlb-it.

Njësoj është rasti edhe me klientët e tjerë të operatorit Kujtesa, për të cilin ka pasur mjaft shumë ankesa për heqjen pa paralajmërim të një numri të kanaleve televizive.

Ndërkohë, edhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka reaguar sot ndaj ankesave të shumta të qytetarëve për heqjen e dhjetëra kanaleve televizive të DigitAlb nga platformat e operatorëve kabllor në Kosovë.

Ndonëse, në kontratat e klientëve, dispozitat ligjore mbështeten vetëm në rregulloret e ARKEP-it, kjo e fundit thotë se përgjegjëse për adresimin e ankesave nga qytetarët për largimin nga transmetimi të kanaleve përkatëse, është Komisioni i Pavarur për Media (KPM).

Sipas disa kontratave të klientëve me operatorët përkatës që i ka parë Buletini Ekonomik, ato mbështeten pikërisht në Rregulloren për Kontratat, Transparencën, publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundor të shërbimeve të komunikimeve elektronike, e cila është e hartuar nga ARKEP-i.

Kjo rregullore aktualisht ua pamundëson klientëve që t’i shkëpusin kontratat me operatorët kabllor, edhe në rastet kur ka largim të kanaleve pa paralajmërim.

Mirëpo, ARKEP në një përgjigje për Buletinin Ekonomik thotë se janë duke u munduar të ndryshojnë këtë rregullore, për t’ju mundësuar klientëve shkëputjen e kontratave sipas dëshirës.

“Në këtë drejtim, duke qenë të vetëdijshëm për faktet e referuara më lartë dhe marrë për bazë numrin e ankesave gjithnjë e në rritje të konsumatorëve, ARKEP e ka konsideruar të nevojshme që të adresohet edhe kjo çështje dhe vendosen dispozita të caktuara, të cilat përfshijnë të drejtën e konsumatorëve për ndërprerjen e kontratave të kombinuara për secilin element të saj, duke përfshirë kanalet televizive”, thuhet në përgjigjet e tyre.

Ndërkohë, Buletini Ekonomik gjatë tërë ditës sot, ka raportuar për ankesat e konusmatorëve rreth heqjes së dhjetëra kanaleve të DigitAlb nga transmetimi pa asnjë paralajmërim nga platformat e operatorëve Artmotion dhe Kujtesa, në kundërshtim me rregulloret në fuqi të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Klientët kanë thënë se ndihen të mashtruar nga këto dy kompani, pasi në kohën kur i kanë nënshkruar kontratat me këta dy operatorë, ata kanë zgjedhur pikërisht ofertat ku ishin të përfshira edhe kanalet e DigitAlb.

Pra, ky veprim nga ana e kabllorëve në fjalë, është bërë pa paralajmërim të klientëve për këtë ndryshim, ani pse ARKEP i obligon të njëjtat përmes rregulloreve që paralajmërimi të bëhet 30 ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

Në nenin 5, pikat 5.1, 5.2, 5.3 të rregullores së lartë cekur të ARKEP-it, përkufizohet kështu:

5.1. Parapaguesit kanë të drejtë që të shkëpusin kontratën e tyre pa u ndëshkuar pas paralajmërimit për modifikim të kushteve të kontratës të propozuara nga ndërmarrësit që ofrojnë shërbime dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike.

5.2 Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë kontratën.

5.3 Në rast të rritjes së tarifës, parapaguesi ka të drejtë të shkëpus kontratën pa u ndëshkuar deri në ditën e fundit të muajit pas pranimit të faturës së parë si rezultat i këtyre ndryshimeve.” /Buletini Ekonomik/