Zyra e Rregullatorit për Energji ka miratuar kërkesën e Alpex për fillimin e tregtimit të energjisë në kursin shqiptar. Ky proces pritet të fillojë nga 1 shkurti, që për ZRRE-në konsiderohet hap i rëndësishëm për vendin.
Në mbledhjen e sotme të bordit të këtij institucioni, kryesuesi Ymer Fejzullahu tha se ky është rasti i parë i bashkimit të dy tregjeve.
Skender Muqolli nga Departamenti i Tregut në ZRRE, tha se kërkesa për bashkim të tregut i plotëson kushtet e nevojshme.
“Pas analizimit të vlerësimit të dokumentit dhe kërkesës, vlerësojmë se kërkesa e Alpex i plotëson kriteret dhe i paraqitet bordit të ZRRE-së për shqyrtim. Alpex kërkon nga ZRRE miratimin e fillimit të tregtimit për zonën tregtare të Kosovës, në përputhje edhe me parashikimet e nenit 5 të marrëveshjes kornizë mbi tregjet e energjisë elektrike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sipas marrëveshjes të nënshkruar në vitin 2021”, shtoi ai.
Ndërsa, si një hap të rëndësishëm e konsideroi këtë të sotmin, kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar kërkesën e KOSTT-it për ndryshim/modifikim të licencës, kjo pas nisjes së faturimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës.
Fejzullahu, tha se me fillimin e faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në veri, përfundon obligimi i KOSTT-it për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike.
“Ky obligim që ka qenë për KOSTT, përfundoi pasi që deri tash ka qenë barrë për të. Por duhet të theksohet se rregullatori me vendosjen e obligimit i ka lejuar edhe mjetet për të”, tha ai.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se nga 1 janari, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.
Sipas kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit.