Çmimet e derivateve në Kosovë, vazhdojnë të jenë 1.30 cent deri në 1.39 cent për diesel dhe 1.26-1.30 cent për benzinë.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, shpreson se në këtë vit çmimet e derivateve të jenë më të ulëta.
“Viti 2023 që e lamë pas, ka qenë me çmime te arsyeshme dieseli 1.30 cent deri 1.39 cent, ndërsa benzina 1.26 cent deri 130 cent. Po këto çmime i kemi edhe sot. Me shpresë që në vitin 2024 çmimet e derivateve të jenë më të ulëta . Vitin qe e lamë pas ishte me shumë sfida dhe probleme. Dëshiroj që viti 2024 të jetë më i favorshëm për ne dhe qytetarët tanë, ku me shpresë do t’i kemi çmimet më të ulëta në tregun kosovar, çmime më të volitshme”, tha ai për RTKlive.
Ndërsa thotë se çmimet e derivateve në Kosovë vazhdojnë të jenë më të ulëtat në rajon, përveç Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, Berjani thotë se duke pasur parasysh gjendjen ekonomike në vend, çmimi real do të duhej të ishte 1 euro.
“Jemi tregu më i lirë në regjion përveç Maqedonisë Veriore, e cila e ka akcizën më të ultë për 22 cent. Megjithatë çmimi real për qytetarët duke pasur parasysh gjendjen ekonomike çfarë e kemi, kishte me qenë 1€. Por kjo nuk varet nga shoqata dhe as nga Qeveria, por nga berza dhe organizata prodhuese OPEC”, tha Berjani.
Ndryshe, sipas tij, çmimet në Shqipëri janë Dieseli 1.81 cent dhe Benzina 1.80 cent. Ndërkaq, në Serbi – çmimet e dieselit janë 1.70 cent dhe benzina 1.72 cent.