Deponoi rreth 300 raste në Prokurori nga 2018-a, ZKA: S’kemi marrë përgjigje

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka konfirmuar se Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZKA) ka deponuar rreth 300 raste potenciale në Prokurori të Shtetit që nga viti 2018, prej tyre 51 raste me elemente potenciale të veprave penale.

Për këto raste ajo shtoi se nuk kanë evidencë se sa prej tyre janë në procese gjyqësore, pasi që sipas Spancës mekanizmi kthyes nga Prokurori i Shtetit nuk është funksional.

“Nga 2018 deri në 2022 në total kemi dërguar diku 300 raste më elemente potenciale të veprave penale te prokurori i shtetit, vetëm për 2022 kemi dërguar 51 raste me elemente potenciale të veprave penale. Kemi lidhur një marrëveshje të bashkëpunimit më Prokurorin e Shtetit me qëllim që të marrin një informatë kthyese të shohim se ku janë rastet të cilat i kemi dërguar te Prokurori i Shtetit por që ende ky mekanizëm nuk është duke funksionuar si duhet dhe nuk kemi marrë informata kthyese. Ne marrim informata kthyese nga gjykatat themelore të regjionit jo në mënyrë të strukturuar, ka raste kur fillojnë hetimet apo ngrihen aktakuzat që ne pastaj të ndërlidhemi me rezultatet tona të auditimit, por jo që i kemi të konfirmuara nga prokurori i shtetit që për x raste janë ngritur kaq aktakuza apo kanë pushuar hetimet”, tha Spanca.

Reklama e sponzorizuar

Spanca potencoi se raportet e tyre e masin performancën e institucioneve që menaxhojnë me paranë publike dhe nuk janë organ obligues, por që mund të shfrytëzohen nga mbikëqyrësit kompetentë.

“Ne lëshojmë rekomandime të auditimit, ata që administrojnë me paranë publike krerët e institucioneve publike do të duhet të merrnin parasysh, nuk janë obligative por janë obligative në aspektin e përmasimit të performancës së vetë ministrive, komunave apo agjencive të pavarura, si dhe ndërmarrjeve publike, nuk është e detyrueshme, është mirë që të mbahen llogaridhënës në këtë aspekt ka mekanizma të cilët i mbajnë llogaridhënës, është komisioni për mbikëqyrje të financave publike i cili i mbanë llogaridhënës ministrat për zbatimin e rekomandimeve të auditimit”.

Spanca ka shtuar se në tetor të vitit të kaluar kanë dërguar planin vjetor dhe për vitin 2024 do të auditojnë edhe disa ndërmarrje publike si Trepçën, KEK-un, Prishtina Parkingun dhe RTK-në.

“Në tetor të këtij viti kemi dërguar planin vjetor të auditimit te komisioni për mbikëqyrje të financave publike, i cili edhe është i obligueshëm me ligj dhe ne planifikojmë kryerjen e 123 auditimeve, ku përfshihen të gjitha auditimet të detyrueshme të parregullsisë për ministritë, komunat dhe agjencitë e pavarura, si dhe te ndërmarrjet publike. Për dallim nga viti paraprak që kemi audituar, këtë vit kemi vendosur në plani tonë auditues pasqyrat financiare, auditimin e pasqyrave financiare të Trepçës, do të vazhdojmë me auditimin e pasqyrave të Korporatës Energjetikë të Kosovës dhe Radio Televizionit të Kosovës, përveç kësaj kemi përfshirë në planin auditues edhe tema me interes, disa prej tyre është menaxhimi i sektorit të ndërtimit në Kosovë, është një auditim të cilin po e kryem për herë të parë, pastaj lista e pritjes së pacienteve, në sektorin e shëndetësisë, licencimi i mediave i cili pritet të publikohet në fillim të vitit 2024, auditimi i Prishtina Parking”, përfundoi Spanca. /EO