Departamenti amerikan i shtetit, përmes një zëdhënësi të tij, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë vendimin e Bankës Qendrore për pezullimin e dinarit serb. Thirrja erdhi pak ditë pas vendimit të Bankës Qendrore për heqjen nga tregu të dinarit serb dhe pas reagimeve edhe të Bashkimit Evropian, i cili kërkoi që për këtë çështje të flitet në Bruksel.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë”, thuhet në reagimin e Grafikë- Departamenti i shtetit Amerikan.
Por, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se në territorin e Kosovës duhet të zbatohet kushtetuta dhe në këtë formë në Kosovë duhet të qarkullojë vetëm një monedhë.
Ndërkohë qytetarët serbë në Mitrovicën e veriut janë shprehur të shqetësuar se si do të mund t’i marrin të ardhurat e tyre të cilat vijnë nga Serbia
“Problemi është se nuk do të mund t’I marrim as rrogat, as asistencën sociale, as pensionet e as shtesat për fëmijë, ne krejt këto i marim me dinar, nëse ndodh kjo s’kemi ku ti marrim dhe do të na duhet të shkojmë në Rashkë dhe do të jetë me të vërtetë problem”.
Vendimi i Bankës Qendrore pritet të hyjë në fuqi prej 1 shkurtit. Organet e sigurisë në Kosovë thonë se nuk kanë një plan të veçantë për zbatimin e vendimit, por zëvendës drejtori i policisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut Veton Elshani, tha se policia nuk do t’i përndjekë qytetarët që posedojnë dinarë serbë.
“Ende nuk kemi njohuri për këtë vendim, vendime të tilla zakonisht kur merren shkojnë tek drejtori I policisë pastaj ai e shpërndan tek ne po ajo që mund të them është se nëse vjen puna për reagim ne jemi të gatshëm në numër të mjaftueshëm, por unë sa di është se ne nuk do të shkojmë mas njerëzve që ti shohim se a kanë dinar a po jo, nëse paguajnë në shitore apo taksi…”, tha Elshani.
Rregullorja e re e BQK-së parasheh që importi dhe eksporti i monedhave dhe i të gjitha valutave do të jetë e drejtë ekskluzive e saj. Deri më tani dinarët kanë hyrë nga Serbia përmes bankës popullore të Serbisë, e cila ka një filialë të saj në Leposaviq. Ndonëse nuk ka një shifër të saktë se sa mund të jetë dëmi që ekonomik që Serbia ka shkaktuar në Kosovë përmes valutës së saj në dinarë, ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se përdorimi i dinarit serb brenda Kosovës është antikushtetues dhe i paligjshëm. Ai megjithatë tha se dinari serb mund të këmbehet dhe ruhet në bankat e Kosovës
“Çështja e dinarit ka qenë sfidues që nga paslufta ju e dini që nga viti 99 valutë zyrtare në Kosovë ishte marka gjermane, pastaj u konvertua në euro dhe më vonë ne kemi shtetin e Kosovës dhe u rregullua gjithçka me ligjin e bankës qendrore pra që një valutë është e vetme në Kosovë dhe valutat e tjera mund të ruhen dhe të përdoren për qëllime të konvertimit apo për të kryer pagesa ndërkombëtare pra po flasim për një ligj që është publiku në mars të vitit 2012”, tha Mehmeti.
Njohësi i rrethanave Branislav Kërstiq tha se Serbia të ardhurat për banorët serbë i ka i përdorur në formë shantazhi, në mënyrë që të njëjtit të krijojnë trazira Brenda territorit të Kosovës. Ai thotë se nevojitet që të institucionet e Kosovës të krijojnë modalitete për ta ndaluar dinarin serb në mënyrë që të mos i dëmtojnë qytetarët e këtij komuniteti
“Duhet të gjenden modalitete ato janë kryesoret dhe përqindja e tatimit ajo është e rëndësishme se a do të heket ajo a do të paguajnë tatim vetëm në Serbi a do të paguajnë tatim për Kosovë a do të ketë dialog Teknik pra këto janë çështjet, në anën tjetër ne këtu në veri kemi një armatë të njerëzve jo punëtor të cilët tash e 13 vjet marrin rroga nga Serbia dhe nuk dëshirojnë të punojnë”, tha Kërstiq.
Herën e fundit kur bashkësia ndërkombëtare i kërkuan Kosovës të pezulloj një vendim ishte për çështjen e targave “KM” dhe zgjedhjet komunale të cilat u bojkotuan nga qytetarët Serb në katër komunat veriore, duke shkaktuar një valë trazirash.