Korporata Energjetike e Kosovës ka paditur në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji (KESCO) dhe Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), prej të cilave po kërkon miliona euro dëmshpërblim.
KEK-u ka angazhuar kompani amerikane ku po kërkon shërbime për përfaqësim në arbitrazh, për të paditur KEDS-in dhe KESCO-n.
Gazeta Infokus mëson se arsyeja e kësaj padie është vonesa e pagesave të faturave për furnizim me energji elektrike qysh nga marsi i vitit 2020 për KEDS-in ndërsa për KESCO-n nga marsi 2020 deri në mars të vitit 2022.
KEK-u është duke e paraqitur këtë padi duke qenë se KEDS dhe KESCO sipas KEK-ut e kanë arsyetuar vonesën duke iu referuar arsyetimit të Forcës Madhore sipas nenit 10 të Marrëveshjes për Furnizimin me Shumicë të Energjisë Elektrike. Shuma e mosmarrëveshjes arrin 7,433,937,80 euro ndaj të pandehurve.
Sipas KEK-ut në dokumentin që ka parë Gazeta Infokus, kjo kompani ka pasur komunikime të vazhdueshme me të pandehurit pra dy kompanitë e lartcekura në lidhje me këtë çështje por që nuk kanë arritur në ndonjë marrëveshje.
Këtu bëhet fjalë për një numër të madh faturash e që sipas Korporatës Energjetike të Kosovës, për mos pagesën e tyre KEDS dhe KESCO kanë përdorur si arsyetim edhe pandeminë COVID-19.
Në dokument thuhet se pala përgjegjëse, me anë të një letre me shkrim (nr. 31 dhe 32, referencë KEDS/KES|Co, e datës 2 maj 2023), ka refuzuar propozimin e KEK-ut për emërimin e ekspertit dhe ka konsideruar se institucioni i vetëm kontraktualisht kompetent për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje në përputhje me nenin 28, paragrafi 4 të BSA, është organi kompetent i arbitrazhit, siç është kontraktuar.
Gazeta Infokus ka raportuar se fillimisht KEK-u ka paraparë që pagesa e përfaqësuesve ligjor në arbitrazh do ti kushtojë 300 mijë euro por kompania amerikane, “Squire Patton Boggs (US) LLP” me seli në New York, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka kërkuar 736 mijë euro.
“Lënda e kësaj kontrate ka të bëjë me shërbime profesionale ligjore dhe specifike të përfaqësimit pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Swiss Arbitration Center”), nga avokat të licencuar dhe me përvojë të përfaqësimit në një institucion të tillë të arbitrazhit. KEK-u është palë paditëse, derisa KEDS dhe KESCO është palë e paditur. Kontesti lidhet me interpretimin dhe kalkulimin e disa aspekteve të raportit kontraktual në mes të palëve, derisa Padia e KEK-ut është inicuar pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit, në përputhje me rregullat e saj”, thuhet në njoftimin për kontratë.
Gazeta Infokus ka dërguar pyetje në KEK dhe KEDS për të kërkuar më shumë detaje në lidhje me këtë rast por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.