Në bursën hungareze HUPX, prej nga rëndom Kosova importon energjinë elektrike, sipas çmimeve të prezantuara në orët e paraditës së të premtës (5 janar 2024), një megavat-orë kushton 96 euro, ndërsa në orët e pikut çmimi i megavatit do të jetë sot 106 euro. Gjithsesi, ky çmim do jetë edhe më i lartë kur t’i shtohen kostot e bartjes së energjisë elektrike.
Buletini Ekonomik
Përkeqësimi i situatës elektroenergjetike në Kosovë, si pasojë e rënies së bllokut B1 të termocentraleve Kosova B dhe të bllokut A4 të Kosovës A, e ka kushtëzuar kompaninë për furnizimin e konsumit të Kosovës me rrymë, KESCO, të importojë një sasi goxha të madhe të energjisë elektrike për të përmbushur nevojat e konsumatorëve kosovarë me energji elektrike.
Sipas zyrtarëve të KESCO-s, të enjten në kohë piku, kur konsumi arrin nivel të lartë të shpenzimit të rrymës (mbi 1000 e sa megavatë-orë) , ishte planifikuar të importohet, praktikisht gati gjysma e energjisë së nevojshme për konsum, ose diku rreth 600 megavatë-orë.
Dje, çmimi i një megavat-orë të rrymës në bursën hungareze HUPX, prej nga rëndom Kosova importon energjinë elektrike, ka kushtuar saktësisht 82 euro gjatë ditës, ndërsa në orët e pikut çmimi i një megavati ka arritur në 98 euro.
Mirëpo, në këtë çmim duhet llogaritur edhe koston e bartjes së energjisë nga vendi i importimit deri në destinacion, kështu që çmimi i një megavati të rrymës së importuar ka qenë diku te 100 euro.
Sot, po në bursën hungareze, një megavat-orë kushton akoma më shtrenjtë.
Sipas çmimeve të prezantuara në orët e paraditës së të premtes (5 janar 2024), një megavat-orë kushton 96 euro, ndërsa në orët e pikut çmimi i megavatit do të jetë sot 106 euro. Gjithsesi, ky çmim do jetë edhe më i lartë kur t’i shtohen kostot e bartjes së energjisë elektrike.
Me kthimin e bllokut B1 të teremocentraleve Kosova B në prodhim, që nga zyrtarët e KEK-ut është paralajmëruar të bëhet gjatë ditës së sotme, Kosova automatikisht do të ketë import më pak për 250 megavatë-orë, sa është edhe kapaciteti i kësaj njësie prodhuese.
Defekti teknik i shkaktuar në B1-shin të mërkurën (më 3 janar), për shkakun e të cilit kjo njësi prodhuese doli jashtë procesit të prodhimit, siç kanë njoftuar zyrtarët e KEK-ut kishte të bënte me rrjedhje të ujit në kalldanë e bllokut, ndërsa sanimi i këtij defekti teknik parashihej të zgjasë diku rreth 48 orë. /Buletini Ekonomik/