“Paga të vogla” – Mësuesit kosovarë shfrytëzojnë pushimet pa pagesë për emigrim

Pushimet mjekësore dhe ato pa pagesë janë bërë një mënyrë për mësimdhënësit kosovarë për ta testuar shpërnguljen në vende evropiane duke mos e rrezikuar vendin e punës në Kosovë. Zyrtarët dhe sindikalistët arsimorë thonë se ky fenomen mund të popullarizohet edhe më shumë pas liberalizimit të vizave për Kosovën.

Me një dashuri të madhe për ngjyrat, diplomë master në pikturë dhe 16 vjet përvojë pune si mësimdhënës në Komunën e Drenasit në Kosovë, Bekim Istogu u largua për ta nisur një jetë të re në Gjermani.

Ani pse e donte shumë profesionin e tij, Istogut i ishte mbushur mendja për ta lënë këtë karrierë në fillim të vitit 2022.

Reklama e sponzorizuar

Shkak për këtë ishte paga e ulët që merrte në atë kohë, rreth 420 euro në muaj, dhe që kishte rrezik t’i ulej edhe më tej pasi iu zvogëlua numri i orëve.

“…Duhet të jenë 20 orë në javë për ta marrë një rrogë [të plotë] sa e merrnim atëherë. Rashë në 15, [u bë] një rrogë shumë e vogël”, thotë Istogu për Radion Evropa e Lirë.

Në vitet e fundit, Kosova është përballur në vazhdimësi me rënie të numrit të nxënësve duke krijuar në disa vende edhe tepricë të mësimdhënësve.
Para se ta linte punën, Bekimi punonte në tri shkolla të ndryshme në fshatra të Drenasit, për ta arritur numrin e nevojshëm të orëve mësimore.

“Në tri shkolla të udhëtoja, më shkonte rroga në naftë më shumë”, kujton ai.

Si zgjidhje ai e pa një kompani të familjarëve të tij në Gjermani që merret me dizajnim të hapësirave të brendshme dhe të jashtme të ndërtesave.

Atij iu bë kontrata për të punuar si ekspert në përzgjedhje të ngjyrave dhe arriti të marrë vizë pune si profesionist i certifikuar.

“E kam nostrifikuar diplomën, më është bërë njohja e diplomës dhe kam shkuar direkt në Ambasadë [të Gjermanisë] kam aplikuar dhe brenda dy javësh më është bërë viza”, thotë ai.

Përveç procedurave për migrim, Bekimit i duhej kohë edhe për ta testuar nëse jeta dhe puna e re në Gjermani do t’i përshtatej. Ai deshi ta bënte këtë duke mos e rrezikuar menjëherë punën që e kishte në Kosovë.

“Unë, realisht, e kam marrë një pushim mjekësor dhe kam ardhur direkt këtu, e pashë që ia vlente të rrija dhe… e kam thirrur drejtorin dhe i kam thënë që vendi im [i punës] të lirohet”, thotë Bekimi.

Ai tregon se e mori pushimin njëvjeçar pa pagesë me arsyetim shëndetësor, por thotë se nuk i kujtohet se sa kohë pas marrjes së këtij pushimi e njoftoi punëdhënësin se nuk do të kthehej më.

Rreth një vit e gjysmë pas migrimit të tij, Istogut iu bashkua në Gjermani edhe familja e tij – bashkëshortja me dy djemtë, njëri 12 e tjetri 4 vjeç.

Edhe bashkëshortja e tij punonte si edukatore me fëmijët e nivelit parafillor në Drenas. Ajo, siç thotë Istogu, nuk mori pushim mjekësor, por vetëm e la punën për t’iu bashkuar në Gjermani.

“Vështirë ka qenë t’ia dalim [në Kosovë], për shembull ta mendojmë më gjatë të ardhmen. Duke u rritur fëmijët, duhet shkollimi, veshmbathja e të tjera”, thotë ai.

Bekimi – i cili, në vitin 2018, kishte marrë mirënjohje në nivel komunal në Drenas si mësimdhënës i dalluar – thotë se shtysë e madhe për migrim ka qenë edhe mungesa e sigurimeve shëndetësore publike në Kosovë.

Pushimet, metodë e shpeshtë emigrimi për mësimdhënësit

Bekimi thotë se në kohën e emigrimit të tij, nuk ishte i vetmi që e kishte përdorur metodën e shfrytëzimit të pushimit për të dalë jashtë vendit.

Këtë fenomen e ka ngritur si shqetësim edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në Kosovë.

Rrahman Jasharaj, kryetar i kësaj sindikate, thotë se kanë informacione jozyrtare se numri i punëtorëve të arsimit në Kosovë që kanë bërë kërkesa për pushim njëvjeçar, arrin deri në 300.

“Me siguri një pjesë e tyre kanë angazhime të tjera, por ekziston frika te ne se një pjesë e madhe prej tyre mund ta provojnë fatin jashtë vendit apo në sektorë të tjerë brenda në Kosovë. Dhe, po e gjetën veten, ata nuk do t’i kthehen sistemit arsimor”, thotë Jasharaj.

Në Kosovë, qeveritë lokale nëpër komuna janë punëdhënës zyrtarë të mësimdhënësve dhe drejtoritë komunale të arsimit merren me rekrutimin dhe aprovimin e pushimeve të mësimdhënësve.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar kërkesa për informacione nëpër të gjitha komunat, por një pjesë e madhe nuk i janë përgjigjur kësaj kërkese.

Në Komunën e Drenasit, sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2023, 16 mësimdhënës dhe punëtorë të tjerë të arsimit kanë kërkuar pushime pa pagesë me kohëzgjatje nga një muaj e deri në një vit. Ndërkohë, në Podujevë dhe Dragash janë dhënë nga pesë pushime.

Kur lejohet marrja e pushimeve pa pagesë?

Puna e mësimdhënësve në Kosovë rregullohet me Ligjin për zyrtarët publikë, ndërsa orari i punës dhe pushimet e tyre rregullohen me Ligjin e punës.

Ligji i punës përcakton disa raste kur punëtorëve u lejohet marrja e pushimit pa pagesë për periudhë deri njëvjeçare. Këto raste përfshijnë ngritje në karrierë, shërbim jashtë vendit dhe përfshirja në raste gjyqësore.

Pushimi mjekësor, në anën tjetër, mund të merret me pagesë deri në disa muaj dhe deri në një vit pa pagesë.

“Ndryshe thonë me gojë e ndryshe me shkrim”

Gjatë vitit 2023, Besnik Hulajt, drejtor i arsimit në Komunën e Deçanit, i erdhën në tavolinë gjashtë kërkesa për pushim pa pagesë. Arsyetimi zyrtar ishte për ngritje në karrierë.

Por, sipas Hulajt, mësimdhënësit nuk mund ta dëshmonin mjaftueshëm këtë arsyetim andaj kërkesat iu refuzuan. Hulaj thotë se arsyeja e vërtetë e tyre ishte emigrimi.

“Ndryshe thonë me gojë e ndryshe me shkrim… Pra, arsyeja ishte emigrimi, sepse ky është vend i vogël dhe ne njihemi mes vete… por e binin një arsye që po shkojmë të ngrihemi në karrierë”, tregon ai.

Nëse një mjek ia lejon një mësimdhënësi tre muaj pushim ose 21 ditë pushim mjekësor e mësimdhënësi nuk është i sëmurë fare, duhet marrë masa edhe ndaj mjekëve”.

Disa mësimdhënës të kësaj komune, sipas Hulajt, megjithatë gjetën një metodë tjetër për të testuar emigrimin.

“Ka pasur raste që kanë marrë tre muaj pushim mjekësor dhe nuk janë kthyer më. Pastaj, nga një letër e kanë dërguar te drejtori i shkollës dhe më pas drejtori i shkollës e dërgon te ne kërkesën për hapjen e vendit të lirë të punës”, shpjegon Hulaj.

Sipas Hulajt, kjo metodë është edhe më shqetësuese. Ai thotë se duhet bërë hetim të përgjithshëm të vërtetësisë së pushimeve mjekësore që jepen nga mjekët në Kosovë.

“Nëse një mjek ia lejon një mësimdhënësi tre muaj pushim ose 21 ditë pushim mjekësor e mësimdhënësi nuk është i sëmurë fare, duhet marrë masa edhe ndaj mjekëve. Ne nuk jemi ekspertë të hetojmë në spitale, ne bazohemi në letra [dokumente]”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të dhëna nga Inspektorati Shëndetësor se a ka hetime apo masa disiplinore ndaj stafit shëndetësor në Kosovë për keqpërdorime të tilla, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit.

A mund të përkeqësohet fenomeni?

Sipas Besnik Hulajt, problemi i parë që paraqitet pas largimit të një mësimdhënësi në këtë formë, është vonesa në rekrutim.

“Kemi pasur shumë probleme, e ngecje, sepse për shembull, na vononte një muaj një rekrutim që ta bëjmë në bazë të procedurave”, thotë ai.

Sipas tij, mundësia më e lehtë e udhëtimit pas liberalizimit të vizave për Kosovën në vitin 2024, mund ta rrisë edhe më shumë numrin e mësimdhënësve që migrojnë në këtë formë.

“Pushim vjetor e kanë një muaj, gjithçka mund të bëjnë, sepse kushtet ekonomike e bëjnë të veten”, thotë ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, nga Kosova u larguan rreth 41.500 banorë. Ky numër ka ndjekur një trend rritjeje në vitet e fundit – përveç në vitin 2020, kur udhëtimet ishin kufizuar shkaku i pandemisë COVID-19. Ndër arsyet e cekura për emigrim nga Kosova ka qenë edhe punësimi.

Me Ligjin e ri për zyrtarët publikë, që hyri në fuqi në shkurt të vitit 2023, mësimdhënësve iu rritën pagat. Varësisht nga niveli arsimor ku punojnë dhe nga përvoja e punës, ata paguhen nga 580 deri në 610 euro.

Rritja e pagave, sipas kryesindikalistit Jasharaj, ishte “e vogël dhe nënçmuese”.

“Ata kanë pritur shumë më tepër”, thotë Jasharaj, i cili po ashtu mendon që kushtet e vështira ekonomike të mësimdhënësve do t’i shtyjnë ata edhe më tej drejt migrimit.

“Kemi frikë se mund të shtohet [si fenomen], sepse komunikojnë kolegu me kolegë dhe po shkuan një pjesë e madhe jashtë dhe po u stabilizuan atje, kemi frikë që rrugën e tyre mund ta vazhdojnë edhe të tjerë dhe gradualisht mund të hetohet edhe mungesë e stafit arsimor”, thotë Jasharaj.

Paga mesatare në Kosovë është 520 euro. Ndërsa, në vitet e fundit – shkaku i pandemisë COVID-19 dhe luftës në Ukrainë – çmimet për shumë produkte dhe shërbime janë rritur dukshëm. /REL/