Sot janë hapur zyrtarisht korridoret ajrore me Republikën e Shqipërisë, që do të shkurtojnë kohën e fluturimit por edhe uljen e sostos.
Por, përveç hapjes së korridoreve ajrore me Shqipërinë, sivjet planifikohet të hapen edhe korridoret ajrore me Malin e Zi, raporton Express.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky do të jetë prioritet.
“Ndërkaq, sot pasdite, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimin Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu do të marrim pjesë në ceremoninë zyrtare pas hapjes së korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë, prioritet do ta kemi për të dhe ministrinë e tij, që këtë vit të jetë edhe hapja e korridoreve ajrore edhe me Malin e Zi”, ka deklaruar Kurti.
Në ceremoninë e hapjes së korrdiroreve Kurti tha se ky hap e sjell Kosovën më afër normalizimit të hapësirës së poshtme të saj ajrore.
“Duke shkurtuar trajektoren e udhëtimeve për dhe nga Kosova, koha e udhëtimit ulet prej 8 deri në 12 minuta. Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dioksidit të karbonit”, tha Kurti.
“Përtej përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, koha e shkurtuar e fluturimeve sjell edhe përfitime për mërgatën tonë, rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletave dhe për destinacione të reja për dhe nga aeroporti i Prishtinës”, shtoi ai.
Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, ishte arritur në vitin 2020.
Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.