Kuvendi i Kosovës sesionin pranveror do ta nis të enjten me seancë të jashtëzakonshme për çështjen e çmimit të energjisë elektrike.
Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Me mbështetjen e 40 deputetëve nga partitë tjera opozitare, si Grup Parlamentar i PDK-së kemi thirr seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar çështjen e çmimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Konsiderojmë se sot nuk ka gjë më të rëndësishme që sesioni parlamentar mund të fillojë sesa me diskutimin për çmimin e energjisë”, tha Tahiri.
Ai shtoi se kanë propozuar gjithashtu një rezolutë për uljen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok tarifave.
I dini shqetësimet e qytetarëve që po paguajnë çmimet e larta të energjisë në vendin tonë. I kemi propozuar Kuvendit edhe një rezolutë në bazë të cilës kërkojmë uljen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok tarifave. Ditën e enjte do ta kemi vetëm këtë seancë të propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së”, tha Tahiri. /Telegrafi/