Përkeqësohet gjendja energjetike në Kosovë: Blloku B1 i Kosovës B dhe A4 i Kosova A, jashtë prodhimit

Termocentrali 'Kosova B'

Sipas zyrtarëve të KESCO-s, në kohë piku, kur konsumi arrin nivel të lartë të shpenzimit të rrymës, pritet të importohet, praktikisht gati gjysma e energjisë së nevojshme për konsum. Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s, për Buletinin Ekonomik ka thënë sot (e enjte, 4 janar) se “KESCO ka paraparë të importojë deri në afro 600 megavatë-orë energji elektrike”. Sipas zyrtarës së KESCO-s, çmimi i energjisë elektrike të importuar sillet diku te mbi 100 euro për një megavat. Në këtë mënyrë, importi i kontraktuar siç thonë në KESCO, vetëm për ditën e enjte ka arritur në 1.1 milionë euro.

Buletini Ekonomik

Situata elektroenergjetike në Kosovë, në këtë fillimit është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të rënies nga prodhimi i bllokut B1 të Kosovës B të mërkurën, si pasojë e defekteve teknike dhe të bllokut A4 të Kosovës A. Mungesa e energjisë elektrike të prodhuar nga këto dy njësi do të thotë më konkretisht se Kosova ka në dispozicion diku rreth 400 megavatë-orë më pak energji elektrike (blloku B1 ka kapacitet 260 megavatësh, ndërsa A4 ka 130-140 megavatë).

Aktualisht, siç kanë njoftuar për Buletinin Ekonomik zyrtarët e Shërbimit për Informim në KEK, në prodhim gjenden blloku B2 i Kosovës B (270 megavatë-orë) dhe A3 e A5 me kapacitet 135, përkatësisht 140 megavatë-orë. Gjithsej prodhimi nga termocentralet e vendit sot sillet diku rreth 545 megavatë-orë. Dhe kjo sasi e rrymës nuk është as për së afërmi e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e shtuara të konsumit në këto ditë dimri, që ka tejkaluar 100 megavatëshin, ndërsa në orët e pikut ka arritur edhe në 1200 megavatë.

Reklama e sponzorizuar

Prandaj, kompania për furnizimin e konsumit të Kosovës me rrymë – KESCO, kushtimisht është e detyruar të importojë sasi të madhe të rrymës për të përmbushur disi nevojat e konsumatorëve kosovarë me energji elektrike. Sipas zyrtarëve të KESCO-s, në kohë piku, kur konsumi arrin nivel të lartë të shpenzimit të rrymës, pritet të importohet, praktikisht gati gjysma e energjisë së nevojshme për konsum.

Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO, për Buletinin Ekonomik ka thënë sot se “KESCO ka paraparë të importojë deri në afro 600 megavatë-orë energji elektrike”. Më saktësisht, sipas saj, në orën 23:00 të së enjtes parashihet të importohen 598 megavatë energji elektrike.

Sipas zyrtares së KESCO-s, çmimi bashkë me pagesën për bartjen e energjisë elektrike të importuar sillet diku te mbi 100 euro për një megavat. Në këtë mënyrë, importi i kontraktuar vetëm për ditën e enjte ka arritur në 1.1 milionë euro.

Duhet thënë se shifrat e lartpërmendura të prodhimit të energjisë elektrike nuk kanë të bëjnë edhe me furnizimin e veriut të vendit, rajon ky që furnizohet nga kompania Elektrosever, e cila e ka marrë detyrën dhe ka filluar me operimet në terren nga 1 janari i këtij viti. Pjesa veriore e vendit konsumon rreth 5 për qind të totalit të energjisë elektrike, ndërsa qytetarët kosovarë të asaj ane do të paguajnë në fund të muajit faturat për herë të parë paslufte. Nga viti 2017 ato para janë paguar nga Buxheti i Kosovës, ndërsa furnizimin e tyre e ka bërë KOSTT, kompani publike në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

Tutje, në KEK kanë njoftuar se blloku B1 i Kosovës B pritet të kthehet në prodhim që nesër. Ekipet e mirëmbajtjes tashmë e kanë detektuar defektin teknik dhe kanë nisë punët për të rehabilituar sa më shpejtë këtë njësi prodhuese. Bëhet fjalë për rrjedhje të ujit në kalldanë e B1-shit, ndërsa sanimi i këtij defekti teknik do të zgjasë diku rreth 48 orë. /Buletini Ekonomik/