Shtyrjet e deritashme të finalizimit të “Autostradës së Gjilanit”

Tashmë janë vonuar pabesueshëm shumë punët në autostradën Prishtinë – Gjilan, të diskutueshme që në fillimet e nisjes të saj, por vonesa të mëdha dhe jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh ka edhe në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë (dhe në autostradën Prishtinë-Pejë). Premtimi më i ri i kryeministrit: Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Dollc-Gjakovë, e Drenas-Skenderaj, do të përfundojnë këtë vit, më 2024 pra. Çmimi i ndërtimit të autostradës fillimisht ka qenë rreth 88 milionë euro, ndërsa në Ligjin për ndarje buxhetore të këtij viti, del se vlera totale e autostradës Prishtinë-Gjilan do të jetë rreth 129 milionë euro.

Mehmet GJATA

Shumë premtime për finalizimin e disa rrugëve të Kosovës, që janë arterie të rëndësishme dhe jetike të qarkullimit rrugor (të njerëzve dhe të mallrave) në vendin tonë, dhe të ndërlidhjes së qendrave të ndryshme me kryeqytetin e republikës, dhe që janë nisur kaherë të modernizohen, të zgjerohen ose të rehabilitohen janë bërë edhe nga qeveria aktuale. Por, në këto dy-tre vjetët e fundit, edhe më 2023, sidomos janë shënuar edhe jo pak raste të mosrespektimit të këtyre premtimeve, të mosrespektimit të afateve të proklamuara edhe nga disa herë duke vonuar pakuptimisht dhe duke i lënë ato si “pika të zeza” të shumë aksidenteve edhe me viktima, dhe me qarkullim të vështirësuar me vite.

Për të qenë më konkret, po e ripërsërisim se tashmë janë vonuar pabesueshëm shumë punët në autostradën Prishtinë – Gjilan, të diskutueshme që në fillimet e nisjes të saj, por vonesa të mëdha dhe jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh ka edhe në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë (dhe në autostradën Prishtinë-Pejë).

Reklama e sponzorizuar

Në të gjitha këto magjistrale, pos autostradës Prishtinë – Gjilan, tashmë ose është përafruar një dhjetëvjetësh, një dekadë pra, qëkur kanë filluar punimet, ose tashmë është tejkaluar edhe dhjetëvjetshi, për çka ka raportuar shumë herë Buletini Ekonomik.

Në këtë tekst, për shkak të aktualitetit dhe ripreokupimit të sërishëm në këtë fillimvit nga autoritetet e vendit (Qeveria, kryeministri, ministrat përkatës…), dhe premtimeve më të fundit se Autostrada Prishtinë- Gjilan, më në fund sivjet do përmbyllet, po rikujtojmë ecuritë e ndërtimit të kësaj arterie, të vlerësuar, gjithsesi, si e rëndësishme jo vetëm në sektorin e infrastrukturës sonë rrugore.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, të mbajtur në fillim të kësaj jave, kryeministri Albin Kurti ka folur edhe një herë lidhur me projektet infrastrukturore që pritet të finalizohen sivjet dhe ato që pritet të nisin. Kreu i ekzekutivit të vendit, me këtë rast, ka deklaruar se Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Dollc-Gjakovë, e Drenas-Skenderaj, do të përfundojnë këtë vit, më 2024 pra. Ndërkohë, sipas kryeministrit, do të fillojë puna edhe në autostradën Bresalc-Dheu i Bardh, në rrugën Kijevë-Zahaq, në rrugën nga autostrada “Ibrahim Rugova” deri te hyrja në tunelin e rrugës Prizren-Tetovë, dhe në rrugën Drenas-Kroni i Mbretit.

“Sa i përket infrastrukturës rrugore, vitin 2024 do të jetë vit i përfundimit të disa projekteve të vjetra dhe fillimi i disa të rejave. Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Dollc-Gjakovë, e Drenas-Skenderaj pritet të finalizohen sivjet. Paralelisht, do të fillojë puna në autostradën Bresalc-Dheu i Bardh, në rrugën Kijevë-Zahaq, në rrugën nga autostrada “Ibrahim Rugova” deri te hyrja në tunelin e rrugës Prizren-Tetovë, dhe në rrugën Drenas-Kroni i Mbretit”, ka thënë Kurti.

“Kurse sa i përket infrastrukturës hekurudhore, këtë vit pritet që të bëhet hartimi i projekteve kryesore të linjave hekurudhore Prishtinë-Pejë dhe Klinë-Prizren, si dhe përfundimi i studimit të fizibilitetit dhe projektit ideor të linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës”, ka deklaruar Kurti.

Por,dihet fare mirë se për Autostradën Prishtinë-Gjilan, Kurti kishte premtuar se do të finalizohet në dhjetor të vitit të kaluar, por nuk ndodhi përmbyllja e këtij investimi, të nisur kaherë.

“Autostrada Prishtinë—Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit” deklaronte kurti më 21 korrik 2023, duke uruar madje për këtë autostradë, të pritur shumë kohë.

“Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve. I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të parë dhe llotit të dytë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave Smallushë dhe Sllovi që të kenë gjithashtu qasje. Gjithsej kjo pjesë do të ketë gjatësinë prej 22.8 km, prej Banullës në Lipjan te Bresalci në Gjilan”, kishte deklaruar kreu i qeverisë në korrik të 2023-tës.

Ndërsa, para kabinetit qeveritar. në mbledhjen e fundit të qeverisë, ai ka deklaruar se Autostrada Prishtinë-Gjilan do të përfundojë këtë vit, pa dhënë ndonjë shpjegim, edhe më të voglin, për shkaqet e zvarritjes dhe prolongimit të afatit edhe për një vit. Mirëpo për këtë autostradë, finalizimin e saj, nuk është vetëm ky afat i prolonguar dhe as premtimi i vetëm i parealizuar nga autoritetet aktuale. Dihet, ndërtimi i kësaj arterie rrugore në gjatësi 122.6 kilometrash, nisi para gjashtë vjetësh, që në fillim të nismës së punëve parashihej të përfundonte brenda 30 muajsh, apo në fund të vitit 2020.

Në vitin 2018, në nismë të ndërtimit të rrugës është thënë se kjo autostradë, buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë 87 milionë euro. Por, në Ligjin për ndarje buxhetore të këtij viti, thuhet se vlera totale e kësaj autostrade është rreth 129 milionë euro. Kjo autostradë, pos lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të Anamoravës (të komunës së Gjilanit dhe të Kamenicës) pritet të lehtësojë edhe ndërlidhjen e trafikut të Kosovës me Serbinë Jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës.

Të përkujtojmë se edhe pse pati jo pak zëra kundër nisjes së autostradës Prishtinë-Gjilan dhe sidomos kundër shtrirjes së linjës së saj dhe ngutisë për ta nisur sa më shpejtë këtë autoudhë, në fund të shkurtit të vitit 2018, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj (saktësisht më 27 shkurt 2018, pas takimit të tij me Lutfi Hazirin, kryetar i komunës së Gjilanit në atë kohë), pati deklaruar se edhe pse ka pasur kundërshtime për autostradën Prishtinë-Gjilan, punimet e ndërtimit do të fillonin brenda disa javësh.

Sipas tij, kjo autorrugë do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe do ta lehtësonte lëvizjen e qytetarëve.

“Ka pasur zhurmë, por ne kemi qenë të vendosur bashkë me kryetarin (e kishte fjalën për Lutfi Hazirin) dhe bashkë me kabinetin, që ky projekt të zhvillohet dhe tanimë merr fund dhe është nënshkruar kontrata dhe fillojnë punimet. Falënderoj kryetarin e komunës, por edhe gjithë qytetarët e kësaj ane që kanë qenë këmbëngulës që ky projekt të zhvillohet dhe të jetë realitet dhe ne brenda disa javësh do të fillojmë punimet dhe mendoj që kjo anë më nuk do të ketë probleme sa i përket lëvizjes së lirë, korridoreve, lidhjeve të korridoreve dhe sidomos këto rrugë të kenë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik”, pati thënë Lekaj më 18 shkurt të 2018-s, i cili pak ditë më parë, po më 2018, kishte nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila do të kushtonte, sipas tij, 88 milionë euro në segmentin e gjatë 22.3 kilometra, të kontraktuar për ndërtim të autostradës së gjatë 47 kilometra gjithsej.

Siç dihet, kundërshtarët më të ashpër dhe më të zëshëm kundër trasesë së përzgjedhur dhe të përcaktuar nga Qeveria e Ramush Haradinajt, për ta ndërtuar autostradën Prishtinë-Gjilan, ishte familja Pacolli në krye me Behgjet Pacollin (atëherë ministër i Jashtëm në Qeverinë Haradinaj). Ata këmbëngulnin, se traseja e përzgjedhur anashkalon pjesën dërrmuese të Karadakut, por edhe të shumë fshatrave të Komunës së Prishtinës dhe jo vetëm, dhe si e tillë ishte e gabueshme dhe se sipas tyre, kishte edhe konotacion politik.

Sidoqoftë, autostrada nisi së ndërtuari në trasenë e përcaktuar nga qeveritarët e atëhershëm dhe pikënisja nga Prishtina është dhjetëra kilometra larg kryeqytetit, për çka pati jo pak vërejtje nga publiku dhe subjektet politike.

Zëvendësministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, në një konferencë për media pati thënë se “Pal Lekaj nuk e ka prekë këtë projekt, e kemi gjetur të tenderuar. Pal Lekaj edhe Ramush Haradinaj e kanë shtyrë këtë projekt sepse kanë dashtë që edhe Anamorava të jetë pjesë. Autostrada e Gjilanit po lidhet me tri autostrada tjera”, nguli atëbotë këmbë para medieve Kadriu, duke shtuar se “është problem i Pacollit nëse largohet nga koalicioni.

Pacolli nuk u tërhoq nga koalicioni, kurse autostrada nisi së ndërtuari sipas përzgjedhjes së Haradinajt e Pal Lekajt, dhe ajo edhe katër vjet qëkur nisën punët po vazhdon ende të ndërtohet, pa qenë e ditur se kur do të përfundojë dhe pa asnjë afat të bërë publik së fundi se kur do të finalizohen punët rreth kësaj autostrade, ndërtimi i së cilës po stërzgjatet, po tejkalon të gjitha parashikimet dhe afatet e përcaktuara në nismë të ndërtimit të saj.

Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), më 2022 dhe në fillim të 2023-tës, kishin deklaruar për medie se punimet janë duke u zhvilluar në segmentet e rrugës Banullë-Bresalc në gjatësi 22.37 kilometrash dhe aktualisht është duke u punuar në gërmime, mbushje, punimin e strukturave të betonit, largimin e ujërave nga rruga, sigurimi i skarpateve dhe mureve mbrojtëse me beton dhe gabione.

Zyrtarët e MMPHI-së pa saktësuar shumë, kishin thënë se “në segmentin e projektuar të autoudhës së gjatë 47 kilometra janë kontraktuar 22.37 kilometra. Në këtë pjesë të kontraktuar janë duke u zhvilluar punime në të gjitha (8) lotet e kontraktuara, në disa pjesë janë punuar edhe asfaltuar segmente të caktuara”.

Për vonesat goxha të mëdha të respektimit të afateve të deritashme të ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Gjilan, në MMPHI fajin ua vënë pengesave rreth shpronësimeve, gabimeve në projektin kryesor dhe mos pagesave të pronave me kohë si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këtë projekt.

Në Ministrinë e Infrastrukturës duke u përgjigjur në interesimin e Buletinit Ekonomik rreth çmimit të paraparë të ndërtimit të autostradës, më konkretisht në pyetjen se deri tani, a ka tejkalime financiare në realizimin e derikëtushëm të këtij projekti, ata kanë theksuar se “Çmimi i ndërtimit të autostradës i kontraktuar ka qenë përafërsisht 88 milionë euro. Punimet janë duke u ndërtuar sipas kontratës dhe kushteve të kontratës. Nuk ka tejkalime por bazuar në terrenin e ndryshueshëm edhe problemet me projekt, ka punë të paparapara që nuk e tejkalojnë vlerën e mundësive kontraktuale deri më 10%”.

Ndërsa, në Ligjin për ndarje buxhetore të këtij viti, del se vlera totale e autostradës Prishtinë-Gjilan do të jetë rreth 129 milionë euro. Në këtë ministri kishin thënë gjatë vitit të kaluar se sektorët përkatës që janë të ngarkuar në Qeverinë Kurti 2, kanë vlerësuar se ky projekt duhet të përfundojë në bazë të kontratave që operatorët ekonomikë kanë me MMPHI-në. Po kështu, në ministri parashikonin ta përfundojnë projektin në tërësi, ndërsa rreth afatit se kur mendohej të përmbylleshin të gjitha punët, pra të finalizohej autostrada Prishtinë – Gjilan, në MMPHI kanë thënë shkurt se “punët do të përmbyllen pasi që të eleminohen të gjitha pengesat e sipërcekura”.

Ndërkohë, në fillim të këtij viti (2024) zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë thënë për medie se janë paraqitur probleme të ndryshme të paparashikuara gjatë fazave të ndryshme të ndërtimit të rrugës, nisur nga rrëshqitja e dheut, riformatimi i kontratave dhe rritja e sipërfaqeve të shpronësimeve.

“Problemet që kanë dalë gjatë rrugës kanë ndikuar që projekti të mos finalizohet në vitin 2023, ashtu siç kemi premtuar. Gjithsesi, ne mbetemi optimistë që autostrada deri në Bresalc të Gjilanit, do të finalizohet gjatë këtij viti”, kanë thënë në MMPHI për REL.

Ç’është e vërteta, në një nga mbledhjet e fundit të Qeverisë së Kosovës për vitin 2023, është marrë vendimi për shpronësimin e disa prej parcelave shtesë në mënyrë që të vazhdojnë punimet pa probleme. Kjo është pak a shumë ecuria e zhvillimeve të ndërtimit të Autostradës Prishtinë – Gjilan, që nga 2018-ta deri më 2024. A do të përfundojë sivjet, më në fund, siç po deklarohen autoritetet dhe kryeministri, mbetet të shihet në fund të vitit. Por, çdo shtyrje eventuale e mëtejshme e finalizimit të kësaj rruge bëhet edhe më e pakuptimtë dhe gjithsesi shumë më e përfolur edhe në publik. /Buletini Ekonomik/