Të dielën në Prishtinë protestohet për hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”

Të dielën në Prishtinë do të protestohet për hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”.

Protesta është organizuar nga “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë”, të cilët edhe kanë ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestë, transmeton Telegrafi.

“Nesër, në ora 12:00, ne organizojmë një protestë thelbësore për hapjen e rrugës Xhorxh Bush, një rrugë e cila mund të hapet lehtësisht duke i larguar betonat që e mbyllin. Thirrja është e hapur për çdo individ të lodhur nga këto praktika të kryetarit të komunës tonë. Përparim Rama premtoi se rruga do të mbyllej vetëm për një test 1-javorë, pastaj tha se do të ishte e mbyllur vetëm për trafikun urban, duke lejuar kalimin e autobusëve dhe taxit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Siç thonë ata “realiteti është një varg gënjeshtrash pas gënjeshtrash, duke mbyllur rrugën përfundimisht”.

“Kërkojmë një Prishtinë më të lirë dhe të përshtatshme për të gjithë. Ju lutemi, bashkohuni për një qytet më të mirë dhe më të hapur”.

Ndryshe, sot kryetari i Prishtinës para mediave ka prezantuar planin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”, ku ka njoftuar se planifikojnë të bëjnë lidhjen e disa hapësirave.