Që nga viti 2018, kompania Eurowings GmbH ka gëzuar monopol të pastër në Kosovë në tregun e aviacionit. E njëjta, përmes një vendimi të ministrisë përgjegjëse për transport atëherë, kishte fituar të drejta të pakufizuara për trafik ajror nga dhe për në destinacionin e Zvicrës.
Kjo kontratë ishte lidhur në bashkëpunim me operatorin vendas të autorizuar – Kosova Airlines, që së bashku t’i ushtrojnë këto të drejta të pakufizuara për dhe nga ky destinacion, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërsa tani, pas më shumë se 5 vjetësh, kësaj kompanie i është revokuar më në fund autorizimi i lëshuar më 2018 përmes një vendimi të Ministrisë së Transportit, që mban datën 20.06.2018. Mirëpo, ky revokim, sipas vendimit të ri, nuk do të vlejë për sezonin dimëror 2023/2024, që do të thotë se deri të përfundojë ky sezon dimëror, kjo kompani ende do të ushtrojë këto të drejta.
“REVOKOHET autorizimi i lëshuar përmes Vendimit nr. Ref.533/18, të Ministrisë përgjegjëse për transport, për Kompaninë Eurowings GmbH, me COA nr. D-003 (sig është ndryshuar EASA.AOC.005 dhe EASA.AOC,.006), që në bashkëpunim me agjentin e autorizuar Kosova Airlines (të regjistruar me nr. biznesi 8025352) të ushtrojnë të drejtat e pakufizuara të trafikut ajror për në, dhe nga Zvicra. 2. Revokimi i autorizimi nga pika 1 e këtij Vendimi nuk vlen për Sezonin Dimëror 2023/2024. 3. Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”, thuhet në vendimin e Autoritetit të Aviacionit Civil, të cilin e ka siguruar Buletini Ekonomik.
Në këtë vendim thuhet se kontrata në fjalë më 2018 iu është dhënë këtyre dy kompanive në pajtim me nenin 3 të Marrëveshjes për Shërbime Ajrore në mes të Republikës së Kosovës dhe Këshillit Federal të Zvicrës, dhe në pajtim me Memorandumin për Shërbime të Trafikut të Rregullt Ajror. Por, autorizimi i dhënë përmes Vendimit me nr. Ref.533/1 8, sipas vendimit të tanishëm për revokim, nuk kishte paraparë asnjë kusht për mënyrën e shfrytëzimit të këtyre të drejtave, të dhëna përmes Vendimit në fjalë.
Arsyetimi i Aviacionit Civil për revokim të këtij autorizimi për kompaninë Eurowings, ngërthen në vete ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil, përmes Ligjit Nr.08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura, i cili sipas tyre, i ka dhënë Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës përgjegjësi për rregullimin e veprimtarisë së transportuesit ajror në linjat e përcaktuara në përputhje me marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe.
Nga ky vendim më 2018, së paku është pritur që nga shërbimet ajrore të ofruara nga kompania Eurowings midis Kosovës dhe Zvicrës të përfitojnë qytetarët e Kosovës dhe të ketë efekt në zhvillimin e aviacionit civil, por Autoriteti i Aviacionit Civil (ACC) tregon se në bazë të statistikave të trafikur ajror kjo nuk qëndron, pasi në periudhën 2019-2023 – pjesëmarrja e Eurowings GmbH në trafikun e gjithëmbarshëm midis Kosovës dhe Zvicrës ka qenë vetëm 2%.
Prandaj, sipas ACC-së, duke marrë parasysh faktin që Kosova nuk ka kompani ajrore shtetërore e cila do të autorizohej për të ushtruar të drejtat e trafikut ajror në bazë të marrëveshjeve bilaterale të transportit ajror, dhe në anën tjetër duke parë që kompania Eurowings GmbH nuk ka pasur ndonjë kusht që përcakton mënyrën se si duhet të shfrytëzohet e drejta e marrë përmes Vendimit nr. Ref.533/18, Autoriteti i Aviacionit Civil shpjegon se në përputhje me kompetencat që ka sipas Ligjit Nr. 03/L-051 me ndryshime, ka vendosur ta revokojë autorizimin e lëshuar.
Autoriteti i Aviacionit Civil (ACC) njofton po ashtu se së shpejti do të publikojë shprehjen e interesit për marrjen e të drejtave të trafikut ajror në emër të Kosovës, për në dhe nga Zvicra (designation), ku do të përcaktohen dhe publikohen kushtet në bazë të të cilave kompanitë ajrore do të mund të shfrytëzojnë autorizimin për ushtrimin e të drejtave të trafikut ajror në emër të Kosovës, për në Kosovë dhe nga Zvicra, në pajtim me Marrëveshjen për Shërbime Ajrore në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës.
Ndryshe, ky vendim është marrë më 30 janar të këtij viti nga U.D. së Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Alban Ramabaja.
Vendimi tutje i është përcjellur edhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI)/Buletini Ekonomik/