Importet gjatë vitit 2023, Shqipëria bleu rreth 68 milionë euro energji

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bleu në tregun e lirë në vitin 2023 më shumë se 561 mijë MWh energji, me një vlerë prej rreth 68 milionë eurosh me TVSH.

Të dhënat vjetore të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) tregojnë se këto importe janë disa herë më të ulëta në vlerë krahasuar me vitin 2022 kur kaluan 500 milionë euro. Çmimi mestar me të cilin KESH siguroi 1 MWh energji ishte 110 euro, me rënie të dukshme nga çmimet në kulmin e krizës së energjisë siç ishte viti 2022 kur në fund të gushtit në oraret pik 1 MWh energji u shit për 1047 euro.

Për shkak të krizës së energjisë vendi u vu në gjendje emergjencë për furnizimin dhe KESH ishte kompania së cilës ju ngarkua sigurimi i energjisë për konsum në vend. Ky i fundit sipas kërkesës duhet të llogariste ashtu si në 2022 edhe gjatë vitit 2023, mundësitë për të plotësuar nevojën përmes prodhimit nga kaskada e Drinit si dhe blerjeve në treg të lirë.

Reklama e sponzorizuar

Përgjithësisht, blerjet e energjisë sipas të dhënave të raportuara u përqendruan gjatë pjesës së dytë të vitit teksa në 6-mujorin e parë peshën totale e mbajti prodhimi nga kaskada.

2023-shi cilësohet një vit i mirë hidrik ku pjesa kryesore e furnizimit në vend u bazua në prodhimin e kompanisë publike. Kjo e fundit në disa raste të prurjeve të larta arriti që të kryente edhe procedura shitjeje të energjisë. Sipas të dhënave KESH shiti gjatë vitit të kaluar rreth 56 milionë euro energji në kushte të prurjeve të mëdha. Çmimi mestar me të cilën u shitën mbi 639 mijë MWh ishte 87.55 euro/MWh.

Një tjetër zë që del nga statistikat e raportuara nga ERE është efekti i përfituar nga shitjet për optimizmin e portofolit ekonomik të KESH që është një praktikë kur kompania shet energji në oraret që kanë çmim më të shtrenjtë dhe ble në oraret që kanë çmim më të lirë. Ky efekt llogaritet në një vlerë prej 20.7 milionë euro me TVSH.

Gjatë vitit të shkuar, KESH gjithashtu pati një sërë shkëmbimesh me Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës sipas marrëveshjes së depozitimit që dy kompanitë kanë të vendosur prej vitesh me njëra tjetrën. /Monitor.al