Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka deklaruar se që nga hyrja në fuqi e Rregullores së re të Bankës Qendrore nuk ka pasur hyrje të valutës së dinarit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur më realizimin e të hyrave për vitin 2023, Llugaliu tha se ka pasur dy tentime për të futur dinarë në Kosovë por që kjo nuk është lejuar.
“Sa i përket Importi të dinarëve, ministria ka kërkuar që në viti 2021 për të trajtuar aspektin e ligjshmërisë të çështjeve të dinarit. Kemi pasur një studim të çështjes dhe kemi ngritur të BQK-ja. Rregullorja e BQK e ka rregulluar këtë çështje. Me rregulloren e re është specifikuar. Tani as një lëvizje nuk mund të bëhet pa prezantuar autorizimin”, ka thënë ai.
Ndërsa deputeti i AAK-së Pal lekaj, tha se çështja e dinarit nuk është dashur të diskutohet në Këshill të Sigurimit. Lekaj, pyeti nëse ka pasur hyrje të dinarit në Kosovë pas këtij vendimi.
“Ajo që më intereson si deputet është se pse ka vazhduar permanent nga të gjitha qeveri që dinari të mirët si valutë në mënyrë jo ligjore. Nuk guxojmë që ta përvetësojmë një rregullore të brendshme dhe çështja të shkoj deri në Këshillë të Sigurimit për diçka që është ligjore. Ne duhet të jemi më të matur sa i përket që problemin e dinarit mos ta shndërrojmë nëpër tavolina as në Bruksel e sidomos në Këshillë të Sigurimit. Pas hyrjes së rregullore së BQK-së a ka pasur hyrje të dinarit”, ka pyetur ai.
Por Llugaliu e pranon se ka pasur tendenca për të sjellë dinarë në Kosovë por që ato tha se janë parandaluar.
“Ka pasur disa tentime që kanë provuar që të sjellin parë dinarë në procedurën që ka qenë më herët. Dogana e Kosovës menaxhimin e parës deri me tash e ka pasur në saj të ligjit për pastrim parave. Nuk qëndron që ka pasur hyrje të dinarit. Dy raste që janë paraqitur në pikë kalimin kufitar dhe normalisht i kemi njoftuar që çfarë do importi parasë duhet të bëhet në bazë të rregullores”, u shpreh ai.