Sipas të dhënave të BQK-së, në shumë vite deri më 2022, vlera e kredive të këqija në Kosovë ishte e ulët dhe simbolike thuajse. Që nga tremujori i fundit i vitit 2022, vlera e kredive jo-performuese në Kosovë filloi të rritet, më konkretisht u rrit për 4.3 për qind në fund të vitit 2022 për të arritur në 8.4 për qind në shtator të vitit 2023. Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive të këqija në dhjetor ra në 4.7% – nga 5.1% që ishte në nëntor dhe 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Ky tregues ka prekur nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2008 atje.
Buletini Ekonomik
Që nga fillimi i afarizmit të bankave të para komerciale në Kosovë, në vitet e para të pasluftës, në të gjitha bankat thuajse, kreditë e këqija kanë qenë thuaja simbolike, fare të papërfillshme dhe me pak ndikim në të hyrat e mëdha dhe fitimet neto të këtyre bankave.
Sipas të dhënave, deri më 2022, vlera e kredive të këqija (në raportet e BQK-së kreditë e këqija emërtohen si kredi jo-performuese) ishte 2 deri në 2,5 për qind dhe shumë –shumë deri në 3 për qind. Në këtë mënyrë, sektori bankar i Kosovës, sipas raportit të vlerësimit të Ekonomisë në tremujorin e tretë të 2023-tës nga BQK-ja, ndër vite ka arritur të sigurojë nivel të lartë të kapitalizimit dhe likuiditetit, si dhe të mbajë nivel të ulët të kredive joperformuese.
Sipas po këtij raporti të BQK-së, cilësia e aseteve, më saktësisht portofolios kreditore shënoi përmirësim duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2021 deri në shtator të vitit të kaluar, ku vlera e kredive të këqija kishte trend rënës prej mesatarisht 2.5 për qind. Mirëpo, që nga tremujori i fundit i vitit 2022, vlera e kredive jo-performuese filloi të rritet, më konkretisht u rrit për 4.3 për qind në fund të vitit 2022 për të arritur në 8.4 për qind në shtator të vitit 2023.
Ndërsa, sipas të dhënave të BQK-së, në raport karshi stokut të kredive, kreditë e këqija u zvogëluan në 2.0 përqind nga 2.1 përqind në shtator të vitit të kaluar, si rezultat i rritjes më të theksuar të kreditimit gjatë kësaj periudhe. Po sipas këtyre të dhënave, mbulueshmëria me provizione nga humbjet e mundshme nga kreditë, në shtator të 2023-tës u zvogëlua lehtësisht në 143.5 për qind, nga 150.6 për qind sa ishte në shtator 2022, për shkak të rritjes më të lartë të vlerës së kredive të këqija se sa i vlerës së provizioneve të ndara për mbulimin e kredive.
Ndërsa, sipas raportit të BQK-së, kreditë e këqija për segmentin e ekonomive familjare vazhdojnë të jenë të ulëta, ose 1.4 për qind, megjithëse si vlerë janë rritur për 4.7 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Ndërsa për segmentin e korporatave jofinanciare, raporti i kredive të këqija qëndroi në 2.4 për qind, dhe vlera e tyre shënoi rritje vjetore për 1.4 përqind.
Me rritje të vlerës së kredive të këqija u karakterizua sektori i energjisë dhe prodhimtarisë për 3.5 milionë euro, përkatësisht 3.7 milionë euro, kurse si raport ndaj kredive është rritur për 6.6 pikë përqindje, respektivisht 0.5 pikë përqindje, duke arritur në nivelin 9.1 për qind dhe 1.9 për qind. Vlera e kredive të këqija për sektorin e tregtisë u zvogëlua për 2.0 milionë euro, ndërsa si raport ndaj kredive zbriti në 1.8 për qind nga 2.2 për qind. Ndërsa për sektorët e tjerë vlera dhe raporti i kredive të këqija, ose siç i quan BQK-ja kredi jo-formuese, pësuan lëvizje margjinale krahasuar me vitin paraprak.
Në Kosovë, shkaqet e rritjes së vlerës së kredive të këqija, sado që nuk apostrofohen te raporti i BQK-së, njohësit e rrethanave i shohin te gjendja sociale dhe shtimi i numrit të të varfërve dhe i rritjes së varfërisë përgjithsisht në Kosovë, që karakterizohet në vitet e pas-pandemisë dhe pas shpërthimit të luftës ruso-ukrainase. Në këtë periudhë, siç kanë vënë në dukje njohësit e zhvillimeve sociale, për shkak të gjendjes së rënduar financiare dhe të mirëqenies – një numër i madh i kosovarëve u ngarkuan me kredi konsumuese pa pyetur për çmimin e kredive dhe të pasojave.
Ndërkohë që sipas të dhënave të BQK-së, kreditë e këqija për segmentin e ekonomive familjare vazhdojnë të jenë të ulëta, ose 1.4 për qind, megjithëse si vlerë janë rritur për 4.7 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Por, sipas ekspertëve, shfrytëzuesit e kredive të ashtuquajtura familjare, që në fakt janë kreditë konsumuese, në ngarendjen për të siguruar ushqimet themelore për familjarët dhe për fëmijët e tyre, brenda një kohe të shkurtër mbetën pa para, edhe pa ato të kredive, afatet për shlyerjen e të cilave vijnë sa “çel e mbyllë sytë’.
“Pamundësia për t’i kthyer anuitetet kreditore nga shumë kredimarrës familjar, doemos ka dorë në shtimin e kredive të këqia në Kosovë”, thonë ekspertët.
Ndërsa në Shqipëri, ecuritë e kredive të këqija, ose siç emërtohen nga Banka e Shtetit të Shqipërisë – kreditë me probleme, kanë zhvillime pozitive dhe raporti i kredive me probleme në fund të vitit të kaluar zbriti në nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit.
Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në dhjetor ra në 4.7%, nga 5.1% që ishte në nëntor dhe 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Ky tregues ka prekur nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2008 atje.
Ecuria e kredive me probleme gjatë vitit të kaluar ishte ndjeshëm më e mirë se pritshmëritë. Në fillim të vitit, projeksionet e Bankës së Shqipërisë dhe të bankave tregtare orientoheshin drejt një rritjeje të lehtë të raportit të kredive me probleme, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe rritjes së normave të interesit. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi. Të dhënat e deritanishme tregojnë se ekonomia në Shqipëri u rrit me ritme më të ngadalta gjatë vitit 2023 (3.1-3.2% deri në fund të 9-mujorit), por megjithatë kjo nuk solli një përkeqësim të portofolit të kredisë bankare.
Ekspertët atje mendojnë se efekti i kufizuar i sektorit të turizmit mbi rritjen ekonomike mund të shpjegohet edhe me një shkallë mjaft të lartë të informalitetit. Përtej asaj që tregojnë statistikat zyrtare, sektori i turizmit vlerësohet të ketë pasur një efekt të rëndësishëm në kërkesën për mallra dhe shërbime dhe në shëndetin e sektorit privat të ekonomisë.
Një ndikim të rëndësishëm në rënien e raportit të kredive me probleme besohet se dha rritja e vogël e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, por edhe forcimi i Lekut në kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interesit vetëm dy herë në 2023 dhe niveli prej 3.25% është ndër më të ulëtit në Europë, larg prej normave të aplikuara nga bankat qendrore në Europë dhe në rajon. Kjo bëri që yield-et dhe normat e interesit të kredive të qëndronin në nivele të ulëta, madje duke e korrigjuar në një masë të madhe rritjen e fortë të fundit të vitit 2022.
Normat e ulëta të interesit ndikuan gjithashtu edhe një ecuri më të mirë se parashikimet e kreditimit. Portofolio i kredisë në fund të vitit të kaluar atje shënoi një rritje vjetore me 4.2%, pavarësisht efektit statistikor negativ të kursit të këmbimit. Zmadhimi i portofolit të kredisë ndihmoi gjithashtu në uljen e peshës specifike të portofolit të kredive me probleme.
Gjithashtu, sipas medieve shqiptare, kursi i këmbimit luajti një rol të rëndësishëm në ruajtjen e aftësisë paguese të huamarrësve në valutë, por me të ardhura në Lekë. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lekë ishte në rënie vjetore me 9.1%, por në periudha të veçanta të vitit rënia vjetore e kursit arriti deri në 14%. /Buletini Ekonomik/