Rizvanolli thotë se në ankandin solar ofertuan kompani serioze

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas hapjes së ofertave të ankandit solar tha se kjo është hera e parë që po ndodh në Kosovë.

Ajo bëri me dije se kompanitë që kanë shprehur interesim për këtë ankand janë nga Kosova, Turqia, Franca dhe Egjipti, raporton RTKlive. Dy konsorciume janë nga Turqia, dy nga Kosova, ndërsa një nga Franca dhe një tjetër nga Egjipti.

“Sot shpalosëm gjashtë kompani ose konsorciume që kanë dorëzuar ofertat e tyre për ndërtimin e impiantit solar në Kosovë prej 100 megavatesh. Gjatë procesit përmes përgjigjeve në më shumë se dhjetë raundeve të sqarimeve jemi siguruar që të udhëheqim një proces të drejtë dhe të hapur, ku të gjitha palët janë të mirinformuara. Deri tani me përkrahjen e USAID-it, kemi zhvilluar një proces të drejtë konkurrues me transparencë të plotë dhe mund të themi lirisht se kemi bërë një proces shembull për rajonin”, u shpreh Rizvanolli.

Reklama e sponzorizuar

Rizvanolli, bëri me dije se ka qenë proces me transparencë e shembull për rajonin. Sipas saj, në javët në vijim do të vlerësohen ofertat e kompanive që kanë shprehur gatishmëri për këtë ankand.

“Në fazën e dytë do të organizohet një ankand elektronik, ku kompanitë ose koncerciumet e kualifikuara do të kenë mundësinë që të ulin çmimin e tyre fillestar, duke garuar me njëra-tjetrën dhe në fund ofertuesi që ka dorëzuar çmimin më të ulët në përmbyllje të ankandit të fazës së dytë, do të shpallet fituese. Pranimi i këtyre ofertave sot, nga investitorë serioz dhe me eksperiencë në fushën e energjisë së ripërtërishme duke përfshirë këtu edhe kompanitë serioze nga vendi e diaspora, na bën tejet të lumtur dhe e shohim si një rezultat i një pune të palodhshme të Ministrisë së Ekonomisë por jo vetëm”, tha Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.