Gjatë muajit janar të këtij viti, bankat komerciale në Kosovë kanë shënuar fitim neto në vlerë të 16 milionë eurove. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bankat kishin mbledhur 13.4 milionë euro për vetëm një muaj.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar, në muajin janar të vitit 2024, të hyrat totale në këtë sektor ishin në vlerë të 39.9 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 31 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi. Ndërsa, shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 23.9 milionë, derisa shpenzimet për interes ishin në vlerë të vetëm 4.3 milionë eurove.
Në bazë të këtij raporti, normat efektive të interesit gjatë muajit janar 2024 mbetën të njëjtat aq sa ishin edhe në fund të dhjetorit 2023, në vlerën 6.4%. Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë ra në 6.0% për dallim nga muaji dhjetor 2023 kur e njëjta ishe ende 6.2%, kurse për ato konsumuese mbeti e njëjta në 6.5%, ndërkaq ajo për kreditë për korporatat jofinanciare u rrit në 6.7% nga 6.5% sa kishte qenë në muajin dhjetor 2023.
Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi në muajin janar të këtij viti, arriti në 4 miliardë e 893.9 nga 4. 913.8 milionë euro sa ishte vlera e tyre në dhjetor 2023. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 925.9 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 933.2 milionë tjera për korporatat jo financiare dhe 17.0 milionë euro për korporatat tjera financiare.
Ndërkohë, depozitat e qytetarëve të ruajtuara nëpër bankat komerciale në vend, deri në fund të muajit janar 2024, ranë në 6 miliardë euro, nga 6 miliardë e 129.0 milionë sa ishte vlera e tyre në dhjetor.
Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 7 miliardë e 356.6 milionë euro.
Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar, bankat komerciale në Kosovë kishin përmbyllur vitin 2023 me gjithsej 155.9 milionë euro. Fitim neto 12 mujor prej mbi 140 milionë euro, ato kishin raportuar edhe gjatë vitit 2022, vite këto gjatë së cilave bankat në vend kanë filluar tejkalimin e mesatares disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80 deri 100 milionë euro. /Buletini Ekonomik/