Autoriteti i Konkurrencës (AKRK) ka njoftuar sot se ka nisur procedurë hetimore ndaj operatorëve “Devolli Coporation” dhe “Kujtesa”, për siç kanë thënë ata, shitblerjen e aksioneve në treg pa përmbushur detyrimin ligjor për njoftimin e përqendrimit.
“Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, në përputhje me dispozitat ligjore të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, ka filluar procedurën hetimore ndaj dy ndërmarrjeve, Devolli Corporation Sh.p.k. dhe Kujtesa Net Sh.p.k., për dyshimet e arsyeshme se ato kanë realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës pa përmbushur detyrimin ligjor për njoftimin e përqendrimit”, thuhet në komunikatën e lëshuar sot nga AKRK.
Konkluzioni për fillimin e kësaj procedurë hetimore është shpallur me datë 20.03.2024 nga Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas njoftimit, në bazë të informatave të marra gjatë shqyrtimit paraprak të hetimit nga Autoriteti i Konkurrencës, mbi dyshimet e bazuara se këto dy kompani kanë realizuar transaksione të aksioneve në tregun e telekomunikacioneve dhe kabllor në territorin e Republikës së Kosovës, Autoriteti ka vlerësuar se ndërmarrjet në fjalë, Devolli Corporation Sh.p.k. dhe Kujtesa Net Sh.p.k., kanë bërë blerjen dhe shitblerjen e aksioneve pa paraqitur njoftimin e përqendrimit përkatës sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Bazuar në këtë, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur:
1. Fillimin e procedurës hetimore ndaj Devolli Corporation Sh.p.k. dhe Kujtesa Net Sh.p.k. për shkak të dyshimeve të arsyeshme për realizimin e shitblerjeve të aksioneve në tregun përkatës.
2. Kërkesën për paraqitjen e dokumenteve specifike të procedurës hetimore, përfshirë marrëveshjen për shitblerjen e aksioneve, transaksionet bankare dhe dokumentacionin e nevojshëm nga ARBK.
“Autoriteti i Konkurrencës vazhdon të monitorojë dhe të hetojë çdo shkelje të mundshme të ligjit që mund të ndikojë në konkurrencën e drejtë në tregun e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, Buletini Ekonomik vazhdimisht ka raportuar për bashkëpunim dhe marrëveshje të fshehta (kartel) mes këtyre dy operatorëve. /Buletini Ekonomik/