Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi së fundmi një ndryshim në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit’’, i cili heq nga kategoria e ekspozimeve me rrezik të lartë kreditë e dhëna në Kosovë.
“Ky ndryshim parashikon që për qëllime të llogaritjes së aktiveve të ponderuara me rrezikun, nga kategoria e ekspozimeve me rrezik të lartë, ku përfshihet edhe vlera e kredisë së akorduar jashtë territorit ku banka ushtron veprimtarinë nëpërmjet filialeve, degëve ose agjencive të saj, të përjashtohet nga ky trajtim vlera e kredisë së akorduar në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficentët përkatës të rrezikut.
Aktualisht, në tregun bankar kosovar veprojnë dy banka nga Shqipëria, Banka Kombëtare Tregtare, nëpërmjet filialit të kontrolluar prej saj BKT Kosovë, si edhe Credins, nëpërmjet degës së saj Credins Kosovë.