Ka dështuar të mbahet raportimi i ministres së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në Komisionin parlamentar për Ekonomi lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planet e ministrisë për vitin 2024. Komisioni vendosi që raportimi i Hajdarit të ndodhë në mbledhjen e radhës.
Përveç kësaj, Komisioni me gjashtë vota pro, ka miratuar Propozim – vendimit të Qeverisë për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Kandidatët për anëtarë të këtij Bordi janë: Habib Basholli, Nasuf Mjekiqi, Bahri Karaxha, Avdi Mjeku, Hasan Preteni dhe Kaltrinë Demiri.
Megjithatë, kryetari i Komisionit, Ferat Shala pati kritika për propozimin e Qeverisë për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Ai tha se ka shkelje ligjore, profesionale dhe siç e shprehu ai dyshimin për konflikte të interesit.
“Shkelja tjetër është, sepse ka bazë të dyshimit që në këtë proces ka edhe konflikte të hapura të interesit minimalisht dy në proces. Një në fazën e përzgjedhjes së panelit, ku njëri nga kandidatët panelist që na ka sjellë listën këtu, ka qenë dhe mbetet pjesë e financimit nga kompanitë minerare, për të cilat ai është përgjegjës”, theksoi ai.