Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ri ekzekutiv të KEK-ut, pa humbur kohë ka shkarkuar një numër drejtorësh, ndër ta edhe profesionistë dhe ekspertë të dëshmuar në sektorin energjetik. Deri tash nga drejtorët e “mëdhenj” të sektorëve më të ndjeshëm dhe më të fuqishëm në KEK, ka mbetur pa u shkarkuar akoma vetëm drejtori i termocentraleve Kosova A.
Buletini Ekonomik
“Shefi” i ri i KEK-ut, Bekir Gërguri, i emëruar në fund të shkurtit në pozitën e kreut të Korporatës Energjetike të Kosovës, vetëm pak ditë pas ushtrimit të funksionit të ri, me “fshesë’ ka nisë “spastrimin” e drejtorive të shumta të KEK-ut nga udhëheqësit e deritashëm.
U.d. së kryeshefit të ri ekzekutiv të ndërmarrjes më të madhe publike të Kosovës, pa humbur kohë ka shkarkuar një numër drejtorësh, ndër ta edhe profesionistë dhe ekspertë të dëshmuar në sektorin energjetik.
Burime të Buletinit Ekonomik bëjnë me dije se tashmë Gërguri ka shkarkuar, ose ka liruar nga pozita e deritashme, siç thuhet në letrat zyrtare që kanë dalur nga kabineti i “shefit” të ri, Luigj Imerin, drejtorin e deritashëm operativ të KEK-ut dhe ish-kreun e Korporatës Energjetike. Nuk është dhënë asnjë arsyetim zyrtar për këtë shkarkim. Por, njohësit e KEK-ut dhe të rrethanave në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, theksojnë se Luigj Imeri ka qenë njohës i shkëlqyer i zhvillimeve energjetike në Kosovë dhe brenda për brenda KEK-ut, një ekspert i admiruar dhe me punën e tij shumëvjeçare ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Korporatë. Mësohet se në vend të Imerit është emëruar Remzi Topxhiu.
Fare shpejt është shkarkuar nga detyra e drejtorit të Minierave Sipërfaqëesore të Thëngjillit edhe drejtori i deritashëm Hamit Bytyqi, dhe në vend të tij është emëruar Sami Tërnava. Po kështu, edhe drejtori i Shërbimeve të KEK-ut, Nexhat Podrimja, është shkarkuar-liruar nga detyra e deritashme dhe në vend të tij është emëruar Fitim Ahmeti.
Gjatë ngarendjes së përdorimit të “fshesës’ për kuadrot e deritashme është shkarkuar edhe drejtori i termocentraleve Kosova B, Jonuz Saraqi dhe vendin e tij tashmë e ka zënë Jakup Pllana.
Deri tash, nga drejtorët e “mëdhenj” të sektorëve më të ndjeshëm dhe më të fuqishëm në KEK, ka mbetur pa u shkarkuar akoma vetëm drejtori i termocentraleve Kosova A.
Në një farë mënyre, “shefi” i ri i KEK-ut ka ndjekur goxha besnikërisht rugën dhe ka aplikuar përvojat e pararendësve të tij. Me të ardhur, pra ka sjellë në pozita kyqe njerëz të besueshëm të partisë, militantë i së cilës është edhe vet ai. Por, Bekir Gërguri megjithatë është i pari drejtor i KEK-ut që ka bërë ndërrime kaq të shumta numerikisht.
Për Bekir Gërgurin, kryeshefin e ri të emëruar në krye të KEK-ut dhe për zëvendësshefin e ri Ramadan Budakovën, nga mediet e shumta është shkruar dhe është folur se janë idhtarë, madje edhe militantë të VV-së. Për këto informacione nuk ka pasur asnjë përgënjeshtrim deri më tash nga ana e tyre. Sikundër që nuk ka pasur përgënjeshtrime në informacionin e shumtë të plasuar në medie se “Bekir Gërguri” ka qenë kanditat i Lëvizjës Vetëvendosje për asamblist në Kuvendin e Komunës së Fushë – Kosovës. /Buletini Ekonomik/