Në Kosovë në mungesë të një politike të mirëfilltë bujqësore dhe tregtare, produktet agroushqimore është më lehtë dhe më lirë të importohen se sa të organizohet prodhimtaria vendore. Tregtia e lirë i ka shtyrë shumë shtete në rajon të specializohen në prodhimin e disa prej produkteve agroushqimore dhe të importojnë ato që mund të jenë më të lira ose më të lehta për t’u siguruar nga vendet tjera. Kjo “matematikë”, natyrisht, nuk ndodhë në Kosovë. Këtu ka shumë dobësi në politikat subvencionuese… Profesor Halim Gjergjizi, ligjërues shumëvjeçar i politikave agrare në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë, në intervistën për Buletinin Ekonomik ka shtuar se “institutet bujqësore në vend – pothuaj nuk ekzistojnë. Sipas tij, ka rënë në mënyrë drastike interesimi të rinjëve për studimin e shkencave bujqësore. “Nuk ka investime në sigurimin e prodhuesve nga breshëri, përmbytjet dhe nga fatkeqësitë e tjera natyrore. Tokat bujqësore dhe sipërfaqet në kuadër të sistemeve të ujitjes po transformohen në toka ndërtimore në përmasa alarmante. Në anën tjetër është prezente edhe lënja e tokave djerrinë.”
Mehmet GJATA
Në politikat bujqësore, por edhe në politikat tregtare në Kosovë ka improvizime të shumta dhe pak vullnet, dije dhe përkushtim të sinqertë për të siguruar një ndryshim pozitiv afatgjatë në prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore vendore. Derisa Evropa u bashkua në fillim për të siguruar ushqim të mjaftueshëm dhe cilësorë, dhe kjo strategji u mbështet fort nga shkenca dhe arsimimi bashkëkohor bujqësor, u ndanë fonde të fuqishme dhe të lira si dhe u aplikuan politikat stimuluese, tek ne, në dekadat e fundit, në vend se të organizohemi për t’u integruar me “lokomotivën evropiane” të zhvillimit bujqësor, lejuam që tokat e punueshme të urbanizohen dhe tregu i produkteve agroushqimore u liberalizua në masë sa që u pamundësua prodhimi vendor. Prandaj Kosova me vite importon nga Evropa, Turqia, Kina dhe shtetet fqinje sasi të mëdha qepësh, patate, drithëra, produkte blegtorale, dhe pothuaj të gjitha produktet agroushqimore, ka konstatuar në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomi prof. dr. ass. Halim GJERGJIZI, ligjërues shumëvjeçar i politikave agrare ne Fakultetin e Bujqësise dhe Veterinarisë në Prishtinë.
Sipas tij, “kur kësaj i shtojmë se jetojmë në kohën e globalizimit, ku tregtia e lirë është interes global i shteteve të fuqishme, atëherë mund të kemi një pasqyrë më të përafërt për “argumentet” pse importojmë edhe ato produkte bujqësore për të cilat kemi kushe natyrore për prodhim dhe dikur kemi qenë prodhues të njohur si në regjion dhe poashtu edhe më gjerë”. Prandaj, prof. Gjergjizi në këtë intervistë ka vënë në dukje se “në Kosovë në mungesë të një politike të mirëfilltë bujqësore dhe tregtare, produktet agroushqimore është më lehtë dhe më lirë të importohen se sa të organizohet prodhimtaria vendore.
Tregtia e lirë i ka shtyrë shumë shtete në rajon të specializohen në prodhimin e disa prej produkteve agroushqimore dhe të importojnë ato që mund të jenë më të lira ose më të lehta për t’u siguruar nga vendet tjera. Kjo “matematikë”, natyrisht, nuk ndodhë në Kosovë.
Halim Gjergjizi, njohës i mirë i zhvillimeve në agrarin e Kosovës në intervistën ekskluzive për Buletinin Ekonomik, ka vlerësuar se politikat e subvencioneve në agrarin kosovar “janë me shumë dobësira”. Ai thotë se “shpenzohen shuma të konsiderueshme të mjeteve por nuk ka efekte në rritjen e prodhimit bujqësor, sidomos jo për treg. Nuk ka monitorim të duhur për shpenzimin e mjeteve dhe aq më pak vlerësime profesionale për efektet në prodhimtari dhe për tregtimin e tyre”.
Profesori thotë në këtë intervistë se “institutet bujqësore në vend pothuaj nuk ekzistojnë. Ka rënë në mënyrë drastke interesimi i të rinjëve për studimin e shkencave bujqësore. Nuk ka investime në sigurimin e prodhuesve nga breshëri, përmbytjet dhe nga fatkeqësitë e tjera natyrore. Tokat bujqësore dhe sipërfaqet në kuadër sistemeve të ujitjes po transformohen në toka ndërtimore në përmasa alarmante. Në anën tjetër është prezente edhe lënja e tokave djerrinë.
Intervista e plotë e Buletinit Ekonomik me profesorin Halim Gjergjizi (ligjërues shumëvjeçar i politikave agrare në Fakuletin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë)
Buletini Ekonomik: Kosova e varfër dhe “vend i perimeve”, më 2023 ka importuar 4,8 milionë euro qepë, ndërkohë që në sipërfaqet dërrmuese të tokave të Kosovës, qepa bëhet dhe me pak përkujdesje dhe rendimentet gjithnjë deri kohët e fundit kanë qenë imponuese. Në këtë kontekst, pse në vitet e fundit nuk ka mjaftueshëm qepë vendore në tregjet e vendit, sikundër që nuk ka as perime të tjera të mjaftueshme (domatë, speca, fasule), poashtu tradicionalisht me vite të tëra të kultivuara në Kosovë dhe thuaja të bollshme për konsumin e vendit për këto produkte?
Halim Gjergjizi: Arsyet e thellimit të deficitit tregtar të produkteve agro-ushqimore në Kosovë janë të shumta. Të ndalemi tek shkaqet subjektive. Në politikat bujqësore por edhe në politikat tregtare në Kosovë ka improvizime të shumta dhe pak vullnet, dije dhe përkushtime të sinqerta për të siguruar një ndryshim pozitiv afatgjatë në prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore vendore. Derisa Evropa u bashkua në fillim për të siguruar ushqim të mjaftushëm dhe cilësor, e cila strategji u mbështet fuqimisht nga shkenca dhe arsimimi bashkëkohor bujqësor, u ndanë fonde të fuqishme dhe të lira si dhe u aplikuan politikat stimuluese, tek ne, në dekadat e fundit, në vend se të organizohemi për t’u integruar me “llokomotivën evropiane” të zhvillimit bujqësor, lejuam që tokat e punueshme të urbanizohen dhe tregu i produkteve agroushqimore u liberalizua në masë sa që u pamundësua prodhimi vendor. Prandaj Kosova me vite importon nga Evropa, Turqia, Kina dhe shtetet fqinje sasi të mëdha qepësh, patate, drithëra, produkte blegtorale, dhe pothuaj të gjitha produktet agroushqimore. Kur kësaj i shtojmë se jetojmë në kohën e globalizimit ku tregtia e lirë është interes global i shteteve të fuqishme, atëherë mund të kemi një pasqyrë më të përafërt për “argumentet” pse importojmë edhe ato produkte bujqësore për të cilat kemi kushte natyrore për prodhim dhe dikur kemi qenë prodhues të njohur si në regjion dhe poashtu edhe më gjerë. Në Kosovë, në mungesë të një politike të mirëfilltë bujqësore dhe tregtare, produktet agroushqimore është më lehtë dhe më lirë të importohen se sa të organizohet prodhimtaria vendore. Tregtia e lirë i ka shtyrë shumë shtete në rajon të specializohen në prodhimin e disa prej produkteve agroushqimore dhe të importojnë ato që mund të jenë më të lira ose më të lehta për t’u siguruar nga vendet tjera. Kjo “matematikë”, natyrisht, nuk ndodhë në Kosovë.
Buletini Ekonomik: Duke u përqëndruar edhe më tej në këtë tëmë, imponohet pyetja pse gjithë ky degradim dhe huqje në agrarin kosovar dhe pse nuk po tregohen të efektshme masat e politikëbërësve në sektorin e perimtarisë dhe dështimet evidente të vizioneve të tyre zhvillimore në bujqësinë kosovare, por edhe për paefektshmërinë e masave të shumta të ndërmarra nga dikasteret kompetente, të identifikuara pa rreshtur me miliona subvencione për ta intensifikuar agrarin kosovar?
Halim Gjergjizi: Politikat e subvencioneve në Kosovë janë me shumë dobësira. Shpenzohen shuma të konsiderueshme të mjeteve por nuk ka efekte në rritjen e prodhimit bujqësor, sidomos jo për treg. Nuk ka monitorim të duhur për shpenzimin e mjeteve dhe aq më pak vlerësime profesionale për efektet në prodhimtari dhe për tregtimin e tyre.
Buletini Ekonomik: Cili është mendimi i juaj për shumën e mjeteve financiare për suportin e bujqësisë kosovare, që realisht po të kihet parasysh gjendja financiare e vendit, nuk janë të vogla? Pse nuk po mjaftojnë këto subvencione të shtetit për kultivuesit e drithërave (diku rreth 450 euro për një hektar grurë, bie fjala) dhe për perimtarët e Kosovës për të prodhuar më shumë grurë dhe perime të ndryshme për përmbushjen e planeve të tyre për të kultivuar perime të ndryshme?
Halim Gjergjizi: Vetëm tek ne ndodhë të rriten subvencionet por në të njëjtën kohë stagnon ose zvoglohet prodhimtaria bujqësore. Prodhimtaria bujqësore nuk mund të rritet vetëm me subvencionimin e prodhimit. Tek ne mungojnë investimet në krijimin e kushteve të përgjithshme për rritjen e prodhimtarisë bujqësore. Shikoni çfarë po ndodh në Bashkimin Evropian… Atje falë politikave bujqësore afatgjata dhe mirë të harmonizuara, në shumë produkte bujqësore ka teprica dhe bujqit në mbarë Bashkimin Evropian janë duke protestuar kundër importit jolojal të produkteve agroushqimore.
Buletini Ekonomik: Pastaj, pse dhe ku qëndron shkaku që akoma të ne ka shumë sipërfaqe djerrinë dhe akoma te të gjitha kulturat thuaja se arrihen rendimente ndjeshëm më të vogla se tek fqinjtë?
Halim Gjergjizi: Edhe pse është eksperimentuar shumë, megjithatë mungojnë shërbimet efikase bujqësore në Kosovë. Institutet bujqësore pothuaj nuk ekzistojnë. Ka rënë në mënyrë drastike interesimi i të rinjëve për studimin e shkencave bujqësore. Nuk ka investime në sigurimin e prodhuesve nga breshëri, përmbytjet dhe nga fatkeqësitë tjera natyrore. Tokat bujqësore dhe sipërfaqet në kuadër të sistemeve të ujitjes po transformohen në toka ndërtimore në përmasa alarmante. Në anën tjetër është prezente edhe lënia e tokave djerrinë.
Buletini Ekonomik: A do të kenë fuqi dhe mundësi sheti dhe fermerët tonë ta përballojnë këtë çrregullim të gjendjes në bujqësinë kosovare?
Halim Gjergjizi: Ka shumë probleme për ndryshimin e gjendjes. Mungojnë politikat aktive për mbështetjen e prodhimtarisë bujqesore të specializuar. Dihet se prodhuesit e specializuar prodhojnë teprica për treg. Politikat tregtare, duke përfshirë tarifat dhe barrierat tregtare për mbrojtjen e prodhimtarisë vendore pothuaj nuk ekzistojnë.
Buletini Ekonomik: Çka duhet bërë që bashkëpunimi institucione shtetërore-bujq dhe fermerë – të jetë më i frytshëm dhe më i efektshëm? Në këtë vështrim, pse janë kaq të heshtur ekspertët, por edhe stafi akademik në Fakultetin e Bujqësisë, për të dhënë më shumë ndihmesë në përballjen me sfidat reale në bujqësinë kosovare?
Halim Gjergjizi: Fatkeqësisht, në Kosovë bujqësisë nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme as nga ana e profesionit dhe as nga ana e institucioneve arsimore. Ndërsa në fakultetet e bujqësisë në shtetet perendimore, profesorët punojnë paralelisht edhe si pedagogë dhe si hulumtues në institute, tek ne kjo nuk ndodhë. Atje, institutet janë faktorë aktiv të prodhimtarisë agroushqimore.
Buletini Ekonomik: Sipas jush, çka është e nevojshme të ndërmerret urgjentisht për të tejkaluar amullia zhvillimore te agrari kosovar dhe çka duhet ndërmarrë si masa afatgjatë?
Halim Gjergjizi: Një ndër prioritetet më urgjente do të ishte ndalimi i shndërrimit të tokës së punueshme në atë ndërtimore. Fatkeqësisht, deri tani ka një humbje të madhe dhe të pakthyeshme të tokave të punueshme dhe atë më kualitative. Gjithashtu do të ishte me rëndesi qe të përcaktohen disa produkte agroushqimore prioritare, ku prodhuesit do të specializoheshin në prodhimin e tyre dhe do të kishin mbështetjen aktive të politikave shtetërore. Bartësit e politikave bujqësore duhet ta konsiderojnë bujqësinë si një aktivitet kapitalo-intensiv dhe të një rëndësie strategjike për vendin dhe të gjitha veprimet e politikave bujqësore duhet të bazohen ne ato fakte. /Buletini Ekonomik/