Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës (AKRK) ka nisur hetimet preliminare për “monopolin” në tregun e arkave fiskale në Kosovë. Këtë e kanë konfirmuar nga vet institucioni i AKRK-së për Buletinin Ekonomik.
“Autoriteti në vazhdimësi është duke bërë shqyrtimin paraprak/inspektimet, të tregjeve të caktuara. Të gjitha format që konsiderohen shtrembërim apo kufizim i Konkurrencës në tregjet përkatëse, nga operatorët ekonomik që operojnë në këto tregje, do të jenë objekt i shqyrtimit nga Komisioni për mbrojtjen e Konkurrencës, më konkretisht, ju njoftojmë se Sekretariati i AKRK është autorizuar që të bëjë shqyrtimin paraprak të tregut të arkave fiskale”, kanë thënë nga Autoriteti i Konkurrencës.
Buletini Ekonomik ka kërkuar përgjigje nga AKRK muajin e fundit, lidhur me gjetjet e hulumtimit për monopolin në tregun e arkave fiskale në Kosovë. Ata, sipas përgjigjeve të tyre, e kanë të njohur faktin se tregu i pajisjeve fiskale në Kosovë qe disa vite vazhdon të jetë i koncentruar nga dy-tri kompani, të cilat mbulojnë më shumë se 90% të tregut relevant.
Sipas tyre, Autoriteti zhvillon procedurën në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, me ç’rast siç kanë thënë ata, në atë mënyrë vlerësohet nëse propozimi për fillimin e procedurës ka të bëjë me veprime që kanë/apo që nuk kanë efekt të ndjeshëm në konkurrencën e tregut përkatës, dhe se a ka interes publik për të filluar procedurën. Prandaj, ata thonë se varësisht prej veprimeve, nëse konstatohet se ka pasur shkelje të Ligjit të Konkurrencës, atëherë sipas dispozitave ndëshkuese, Autoriteti mund të vendosë gjoba administrative deri në dhjetë për qind (10%) të qarkullimit të përgjithshëm në vitin e fundit për të cilin është përmbyllur raporti financiar.
“Në shqiptimin e gjobës, Autoriteti merr parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese sipas peshës së shkeljes, kohëzgjatjes së shkeljes dhe pasojave të shkeljes për ndërmarrjet e tjera në treg dhe konsumatorët”, thuhet tutje në përgjigjet e AKRK-së.
Nga Autoriteti kanë pohuar për Buletinin Ekonomik se në vitet e kaluara, ata kanë pranuar ankesë edhe nga njëri prej operatorëve të licencuar për arka fiskale – “Global Service EU SH.P.K”, i cili ishte ankuar për problemet të cilat i hasin bizneset në Kosovë, sa i përket përdorimit dhe licencimit të arkave fiskale. Pas kësaj, Autoriteti i Konkurrencës kishte lëshuar një Mendim Profesional në vitin 2019 – drejtuar ATK-së.
Në këtë raport, AKRK kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) që të zbatojë Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave – 02/2018 – për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike dhe Sistemeve Fiskale, pasi mos-zbatimi i këtij Udhëzimi, sipas AKRK-së mund të shpie tek format e keqpërdorimit të pozitës dominuese (në këtë rast nga operatorët), marrëveshjeve të ndaluara apo praktikave të bashkërenduara.
Siç thuhet në Mendimin Profesional të AKRK-së të vitit 2019, ATK-ja me moszbatimin e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Financave, ua ka pamundësuar operatorëve të tjerë të instalojnë pajisje të reja fiskale në treg. Kjo, pasi bizneset nuk kanë pasur mundësi te zgjedhjes mes kompanive të licencuara për pajisje elektronike dhe sisteme fiskale, andaj duke marrë parasysh faktin se transparenca në treg është e ulët, sipas AKRK-së, janë eliminuar, larguar dhe dekurajuar kompanitë tjera për shkak të këtyre barrierave.
Ndryshe, çdo kufizim ligjor ose faktik i numrit të operatorëve të cilët kanë potencial për t’u angazhuar në një veprimtari në një treg të caktuar (numerus clausus), është i ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Pra, ekziston dispozita ligjore që konkurrentët/operatorët të mos kufizohen nëpërmjet kushteve dhe kritereve, sepse për të pasur konkurrencë të mirëfilltë duhet që të ketë më shumë konkurrentë në një treg të caktuar.
Buletini Ekonomik ka tashmë katër vite që raporton për parregullsitë në tregun e arkave fiskale dhe dominimin e këtij tregu nga vetëm “një”, eventualisht dy operatorë ekonomik.
Pas raportimeve tona, tregu ishte hapur disa herë nga ATK-ja për licencim të kompanive, mirëpo nuk ka pasur licencim të ndonjë operatori ekonomik të ri për pajisje me arka fiskale.
Edhe në Mendimin Profesional të AKRK-së për ATK-në më 2019, thuhet se tregu i arkave fiskale vazhdimisht “është karakterizuar me pengesa/barriera administrative për operatorët e tjerë të licencuar për t’u kyçur në ofrimin e shërbimeve, dhe se tregu është pothuajse i njëjtë edhe pse ka pasur hapje të tregut për licencim të operatorëve të rinj”.
E njëjta gjendje qëndron edhe tash në vitin 2024 në këtë treg.
Sipas AKRK-së, transparenca e ulët në këtë sektor, dobëson presionin konkurrues nga ana e kërkesës, nisur nga gjendja aktuale e tregut (e cila aktualisht është e njëjta sikurse më 2019), e cila shpie në përforcimin e dy-tre kompanive ekzistuese, të cilat kanë fuqi të madhe në tregun përkatës. Në këto raste, sipas tyre, ngulfatet konkurrenca, eliminohen, largohen dhe dekurajohen kompanitë tjera potenciale për shkak të këtyre barrierave.
Ndryshe, Buletini në hulumtimet e saja për këtë treg, madje kishte gjetur se dy kompani ‘konkurente’ në tregun e arkave fiskale, ishin pajisur me licencë nga ATK-ja duke pasur pronar të njëjtë. Hulumtimi i Buletinit Ekonomik ka nxjerrë në pah se prapa kompanisë “Gekos” qëndron i njëjti pronar që zotëron 100% të aksioneve në kompaninë tjetër të licencuar për shitjen e arkave fiskale, “Enternet”. Madje dyshohej edhe për marrëveshje të fshehta mes kompanive. /Buletini Ekonomik/
Shënim:
Më poshtë, mund të gjeni të bashkangjitura të gjitha linqet e hulumtimeve të Buletinit Ekonomik ndër vite për monopolin në tregun e arkave fiskale në Kosovë:
- https://buletiniekonomik.com/2020/11/arkat-fiskale/
- https://buletiniekonomik.com/2021/10/monopoli-ne-tregun-e-arkave-fiskale-me-vulen-e-atk-se/
- https://buletiniekonomik.com/2021/11/pas-10-vitesh-monopol-atk-lejon-konkurrencen-ne-tregun-e-arkave-fiskale/
- https://buletiniekonomik.com/2022/04/konkursi-i-atk-se-nuk-e-heq-monopolin-ne-tregun-e-arkave-fiskale/
- https://buletiniekonomik.com/2022/06/236vazhdon-monopoli-dhe-cmimet-e-larta-ne-tregun-e-arkave-fiskale/
- https://buletiniekonomik.com/2023/07/monopoli-me-arka-fiskale-atk-vazhdon-ti-mbaje-te-licencuara-dy-kompani-me-pronare-te-njejte/