Kërkesa botërore për naftë pritet të rritet – Shkak, rrugët e gjata të transportit si pasojë e sulmeve në Detin e Kuq

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë rriti me 110 mijë fuçi në ditë parashikimet e saj të kërkesës për naftë me 110,000 fuçi në ditë, krahasuar me ato të një muaji më parë, pasi sulmet Huthi po pengojnë transportin në Detin e Kuq.

IEA, e cila përfaqëson vendet e industrializuara, ka parashikuar se kërkesa për naftë do të arrijë kulmin deri në vitin 2030, ndërsa bota po kalon drejt energjisë më të pastër. Nga ana tjetër, OPEC sheh një zhvendosje më të ngadaltë dhe pret që përdorimi i naftës të vazhdojë të rritet për dy dekadat e ardhshme.

Kërkesa botërore për naftë do të rritet me 1.3 milionë fuçi në ditë në vitin 2024, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në një raport mujor. Agjencia më parë pa një ngadalësim më të mprehtë të kërkesës këtë vit, pasi fillimisht kishte parashikuar rritje të kërkesës për vitin 2024 prej 860,000 fuçi në ditë në qershor 2023.

Reklama e sponzorizuar

OPEC të martën e kishte mbajtur të pandryshuar parashikimin e rritjes së kërkesës në 2.25 milionë fuçi në ditë. Me rishikimin e fundit në rritje të IEA-s, ajo ende mbetet prapa OPEC me afro 1 milion fuçi në ditë, ose pothuajse 1% e kërkesës ditore botërore.

Ndërprerjet në transportin global që kanë detyruar rritjen e transportit tregtar rreth Kepit të Shpresës së Mirë, nënkuptojnë se gati 1.9 miliardë fuçi naftë gjendeshin nëpër anije në fund të muajit të kaluar.

“Ngadalësimi i ekonomisë globale vepron si një pengesë shtesë për përdorimin e naftës, ashtu si edhe zgjerimi i flotës së automjeteve elektrike”, tha agjencia me bazë në Paris. /Scan tv/