Kosova ka humbur hapin për të përmbushur premtimet për energjinë diellore

Panele solare dhe turbinat me erë

Pse duket e parealizueshme perspektiva e premtuar për impiante të reja të energjisë së rinovueshme, dhe patjetër, vështirë i realizueshëm tranzicioni energjetik i Kosovës, i afatizuar edhe ky me parashikimet ambicioze të vijëzuara në Strategjinë energjetike të Kosovës 2022 – 2031, që siç dihet, objektiv strategjik ka dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme? Nuk ka përgjigje nga zyrtarët as se a do të realizohet ndërtimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme prej 500 megavatësh deri më 2025, siç u premtua nga zyrtarët shumë herë në këto vite, kur dihet se deri në këtë afat kanë mbetur rreth nëntë muaj dhe kur dihet se akoma nuk ka nisur ndonjë punë konkrete për të ndërtuar ndonjë kapacitet të ri qoftë nga energjia në bazë të erës, qoftë nga ajo solare.

Mehmet GJATA

Bota mbarë e sidomos shtetet e Europës, anëtare të BE-së, tash e sa vite iu kanë përkushtuar me seriozitet rritjes së kapaciteteve elektroenergjetike në bazë të paneleve diellore.

“Falë dekreteve të gjelbra të hartuara nga Bashkimi Europian, fushat dhe çatitë e kontinentit po shtrohen gjithnjë e më shumë me panele fotovoltaike”, shkruan The Economist.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin 2023, çdo javë në shtetet e BE-së instalohej një sasi energjie diellore e barasvlefshme me një central bërthamor. Vetëm në tre vitet e fundit, në rrjetet energjetike të BE-së, janë instaluar pothuajse po aq panele fotovoltaike sa ç’janë instaluar që nga koha kur kjo industri u krijua në fillimin e shekullit. Ndërsa, deri në vitin 2030, shtetet anëtare të BE-së, synojnë të trefishojnë numrin e paneleve diellore, duke mbuluar një sipërfaqe më të madhe se 300,000 fusha futbolli, ose njëzet e katër herë më të madhe se Parisi, raportojnë mediet e botës.

Ndërkohë që i gjithë tregu i paneleve diellore në botë, sipas statistikave botërore, u rrit në vitin 2022 dhe 2023. Sidomos sistemet solare në çati panë një rritje të jashtëzakonshme, pasi konsumatorët kërkuan siguri dhe pavarësi energjetike.

Më 2022, tregu i FV-ve diellore hyri në një “dimension të ri rritjeje”, ku 239 GË kapacitet diellor u shtuan në të gjithë botën që përfaqëson dy të tretat e të gjithë kapacitetit të ri të burimeve të ripërtëritshme. Kjo është sipas Perspektivës së Tregut Global të Evropës Solar Poëer për energjinë diellore 2023-2027, e cila parashikon se rritja e fortë do të vazhdojë deri në vitin 2023 dhe më tej.

Performuesi më i mirë në tregun e PV-ve të vitit 2022 ishte sektori i sistemeve të çatisë. Projektet në shkallë të gjerë vazhduan të ishin kontribuesi më i madh në shtimin e kapaciteteve, por të dy sektorët ishin pothuajse të barabartë: instalimet në çati në të gjithë botën përbënin 49.5% – 118 GË – të kapacitetit të ri në 2022. Tendenca nuk është befasuese pasi efektet e luftës në Ukrainë, kriza e energjisë që pasoi dhe çmimet e luhatshme i kanë shtyrë konsumatorët të kërkojnë pavarësi energjetike në të gjithë botën.

Edhe në shtetet e rajonit shohim potencial të madh te energjia e pastër, dhe sidomos te ajo solare, dhe thuaja në shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë rritur ndjeshëm investimet në ngritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë solare. Qytete të ndryshme të shteteve të Ballkanit tani janë bërë kantiere të mëdha ndërtimi të kapaciteteve të energjisë solare.

Krejt e kundërta e këtyre zhvillimeve ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në Kosovë. Sado që sektori i energjisë së rinovueshme, rrjedhimisht, në këtë kuadër edhe të asaj diellore në Kosovë, ka tre-katër vjet, ose që kur nga institucionet ndërkombëtare energjetike dhe nga shtetet e fuqishme ekonomike, thëngjilli, si burimi kryesor i prodhimit të rrymës në shumë vende të botës, u apostrofua si “heretik”, dhe praktikisht u bë temë-tabu në mjediset e sektorit energjetik, për shkak të paralajmërimeve të sanksioneve për përdoruesit e tij, ishte një shpresë se edhe Kosova e varfër, nuk do ta prekë fundin e botës, sa i përket prodhimit të energjisë, vendi jonë fatkeqësisht e humbi hapin për të përmbushur sado pak shpresën.

Në këto vite, pra, Kosova, për shkak të dështimit paraprak për të ndërtuar një termocentral të ri me thëngjill (500 megavatë-orë të reja vlerësohej se do të ishin të mjaftueshme për disa vitet e ardhshme), edhe në vizione të zhvillimit energjetik, edhe në dokumente zhvillimore për të ardhmen (Strategjia energjetike 2022-2031), vend parësor i dha zhvillimit elektroenergjetik në bazë të burimeve të ripërtëritshme, duke konkretizuar këto burime që dominoheshin nga energjia në bazë të erës dhe të diellit.

Në kohët e fundit, gjatë 2022-tës dhe sidomos gjatë 2023-tës, tek zyrtarët e Kosovës ka dominuar pikëpamja për t’i dhënë përparësi energjisë diellore. Dhe, për këtë u deklaruan publikisht sa e sa herë vendimmarrësit e Kosovës, kryeministri dhe sidomos ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke shpërfaqë vizione të ngritjes së kapaciteteve në bazë të diellit, me fuqi parashikuese të prodhimit dhe duke përcaktuar edhe afate konkrete për realizimin e synimeve të “bumit’ të energjisë diellore edhe në Kosovën e varfër. Dhe nga të gjitha këto vizione të shpërfaqura me optimizëm të theksuar nga vendimmarrësit në republikën tonë, ende as më 2022, as më 2023 dhe as në këta tre muajt e 2024-tës, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë solare.

Me fjalë të tjera, Kosova vazhdon të ketë shumë fjalë, të bëjë premtime të mëdha të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së rinovueshme. Vazhdon të prezantojë projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë së rinovueshme në Kosovë. Por, ka fare pak vepra. Praktikisht, pos ndërtimit të dy kapaciteteve që ia vlen të përmenden – ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 megavatësh, dhe disa minihidrocentraleve me fuqi prodhuese minimaliste, tani për tani Kosova nuk ka ndonjë kapacitet të energjisë së rinovueshme, as duke u ndërtuar. Ndërkohë, që fjalët e mëdha, premtimet e pandalura për dekarbonizimin e Kosovës vazhdojnë pa pra nga zyrtarët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 maj 2023 , me rastin e shpalljes së ankandit të parë solar (Ankandi Solar 100 MË), kishte ripërsëritur se “ky potencial do të shtojë benficione shtesë sa i përket zvogëlimit të kostos dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtëritshme. Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik. Ky është një progres i gjelbër i prekshëm“.

Edhe në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, e mbajtur në Prishtinë më 24 maj 2023, Kurti kishte vënë në dukje se “qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme”. Ai me këtë rast ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme. Fjalë të mira dhe goxha vizione, pa veprimet e nevojshme institucionale për ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, përbëjnë edhe deklarimet e stërpërsëritura dhe të bëra si recitale të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit’, në shumë raste brenda dhe jashtë vendit. Dhe prap, të gjitha këto mbeten vetëm fjalë dhe vizione të mira. Sepse, po e përsërisim: Në Kosovë ende as më 2022, as më 2023 dhe as në këta muajt e 2024-tës, nuk është bërë asnjë nismë ndërtimore, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër, ndërkohë që në shumë shtete të botës “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke bërë real dhe evident një ndryshim të mrekullueshëm dhe dramatik në ngritjen e kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme.

Dhe, përkundër se Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike urgjentisht, edhe sosh të energjisë së rinovueshme, por edhe përkundër se Kosova ka mundësi reale që 2-3 kapacitete 100 megavatësh të energjisë së rinovueshme t’i ndërtojë edhe me para vetanake, të cilat siç dihet, kanë qëndruar në stoqe dhe të pashfrytëzuara me muaj e vite, edhe pse janë të dedikuara për investime kapitale, edhe më tutje, rreth një vjet që kur është shpalluar ankandi i parë publik për të ndërtuar një kapacitet solar 100 megavatësh, ende as që dihet kur do të fillojë ky projekt (deri më tash ka ndodhur 3-4 herë shtyrja e afateve për shpalljen e rrethit të ngushtë të pretendentëve për ta fituar ankandin, dhe kur më në fund u shpallën katër pretendentë, edhe më tutje zvarritet përzgjedhja e fituesit të ankandit).

Ka mbetur vetëm si vision edhe projekti për instalimin e impianteve solare në djerrinat e krijuara nga hiri i termocentraleve të KEK-ut (bëhet fjalë për ndërtimin e parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 3 vjet), dhe ende nuk dihet se kur do të ndodhë nisma e implementimit të këtij projekti dhe a do të ndodhë fare në ndonjë afat të afërt apo të largët. Po kështu, nuk dihet saktësisht as në ç’fazë gjendet tani Projekti i impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MË që do t’u shërbejë rreth 40.000 qytetarëve në Prishtinë, që, në planet nismëtare thuhej se është një nga projektet më të mëdha në Evropë sikundër që nuk dihet ku ka arritur “Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori” dhe që në planet dhe vizionet nismëtare për të – thuhej se është “investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energji”.

Në këtë mënyrë, duket e parealizueshme perspektiva e premtuar për impiante të reja të energjisë së rinovueshme, dhe, patjetër, vështirë i realizueshëm tranzicioni energjetik i Kosovës, i afatizuar edhe ky me parashikimet ambicioze të vijëzuara në Strategjinë energjetike të Kosovës 2022 – 2031, që siç dihet, objektiv strategjik ka dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme. Sepse, askush në institucionet e vendit tani nuk ka përgjigje se si do të realizohet parashikimi i autoriteteve vendimmarrëse se “për më pak se 10 vjet Kosova do të ketë më shumë se 1.300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”. Nuk ka përgjigje nga zyrtarët as se a do të realizohet ndërtimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme prej 500 megavatësh deri më 2025, siç u premtua nga zyrtarët shumë herë në këto vite, kur dihet se deri në këtë afat kanë mbetur rreth nëntë muaj dhe kur dihet se akoma nuk ka nisur ndonjë punë konkrete për të ndërtuar ndonjë kapacitet të ri qoftë nga energjia në bazë të erës, qoftë nga ajo solare. /Buletini Ekonomik/