Kosova vlerësohet me nota të ulëta sa i përket mirëqenies së fëmijëve, asnjë se kalon notën 3

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), ka publikuar raportit e parë të Monitorimit “Karta e Vlerësimit”.

Raporti u publikua në Kuvendin e Kosovës, me prezencën e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ministrive përkatëse, institucioneve tjera, agjencive ndërkombëtare,  organizatave jo qeveritare si dhe partnerëve të tjerë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas këtij raporti, Kosova vlerësohet me nota të ulëta sa i përket mirëqenies së fëmijëve, mbrojtjes së tyre si dhe shëndetit.

Mirëqenia sociale u notua me notë 2.6, mbrojtja e fëmijëve me 2.5 dhe shëndeti i fëmijëve me 2.25.

Po ashtu u vlerësua arsimi me notë 2.25, zhvillimi në fëmijërinë e hershme me 2.25 si dhe drejtësia për të mitur 2.0.

Qëllimi kryesor i KOMF përmes këtij raporti është realizimi i monitorimit të pavarur të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të fëmijëve në baza vjetore, të bazuar në fakte dhe dëshmi. Raporti ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve, nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe jep rekomandime, të cilat priten të mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Fushat në të cilat është analizuar progresi për politikat, legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe zbatimin e tyre janë: Mirëqenia sociale, Mbrojtja e fëmijës, Shëndeti i fëmijës, Zhvillimi në fëmijërinë e hershme, Arsimi dhe Drejtësia për të mitur.

“Vlerësimi i fushave në këtë raport bazohet në sistemin e notimit sikurse notimi i nxënësve në shkollat e Kosovës, nga nota një deri në notën pesë. Raporti është hartuar nga 24 bashkë-autorë, ekspertë nga organizatat anëtare të KOMF, të cilët kanë ofruar vlerësimin e fushave përmes argumenteve konkrete që mbështesin notën e dhënë. Raporti me të gjetura dhe rekomandime u prezantua nga autorë të raportit, z. Gani Lluga, z. Besim Kodra, znj. Remzije Krasniqi dhe znj. Fatmire Haliti”, njofton KOMF.