Kurti flet për rrugët dhe hekurudhat: Kosova e Shqipëria po lidhen edhe më shumë me tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti po vazhdon të tregojë disa nga të arriturat e shënuar gjatë qeverisjes së tij.

Kurti ka publikuar disa të dhëna mbi punimet që kanë kryer e që lidhen me infrastrukturë. Ai ka treguar se si Kosova dhe Shqipëria po lidhen edhe më shumë mes vete përmes hekurudhave dhe rrugëve.

“Kemi arritur në fazën e përgatitjes së projektit ideor për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës, që na lidhë edhe më shumë me Republikën e Shqipërisë dhe që i forcon edhe më tej ekonomitë tona. Po ndërtojmë rrugë që ndërlidhin fshatra të Kosovës me Shqipërinë për më shumë shkëmbime e më shumë turizëm malor”.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu Kurti ka treguar se Kosova po lidhet edhe me Malin e Zi.

“Nga ana jonë si palë kemi bërë krejt çka duhet për rrugët që lidhin Pejën me Rozhajën, dhe Deçanin me Plavë, për të cilat kemi marrëveshje bashkëpunimi me Malin e Zi. Për ekonomi të shëndoshë e zhvillim të qëndrueshëm, infrastruktura është element kyç. Jo vetëm në ndërlidhjen më të shpejtë e të afërt ndërmjet qyteteve së brendshmi, por edhe në lehtësimin e qasjes në rrugë e bashkëpunim rajonal”.

Tutje, kryeministri ka shkruar se nuk ka qenë e lehtë punimi i disa rrugëve që sipas tij, ishin lënë keq nga qeveritë e mëhershme.

“Po, do t’i përfundojmë punët që qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë, si rruga Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rruga Prishtinë-Pejë. Nuk ka qenë e lehtë të zhbëjmë labirintin burokratik, keqplanifikimet me projekte dhe keqmenaxhimet me kontrata, por po ia dalim.

Kanë filluar punimet me hov të merituar në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Puna në segmentin e parë të kësaj rrugë kishte nisur në vitin 2009, para 15 vjetëve. Nga një rrugë e cila ishte me dy korsi, po e kthejmë atë në rrugë nacionale me dy drejtime, me gjithsej katër korsi”, theksoi ai.

Kurti tutje ka pohuar se “puna po vazhdon edhe në rrugën Prishtinë-Podujevë, e cila ka filluar të ndërtohet në vitin 2016, para 8 vjetëve. Atë po e zgjerojmë dhe po ia shtrojmë të shumëpriturat 15 kilometrat e mbetur në segmentin Prishtinë-Lluzhan, për çka kemi ndarë 35 milionë euro”.

“Autostrada Prishtinë-Gjilan po shkon drejt përfundimit. Mbi 75% të punimeve deri në fshatin Bresalc janë finalizuar. Është ndarë buxheti për vazhdimin e saj deri te Dheu i Bardhë. Jemi të vetëdijshëm për vonesat, por edhe jemi të vendosur që puna të ecë e të përfundojë me cilësinë e duhur dhe sa më parë. Ndërkaq tash së fundmi janë nënshkruar kontratat për fillimin e ndërtimit të rrugës me katër korsi Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Dollc, me një gjatësi 12.8 km, në vlerë prej 21 milionë euro. E kemi ndarë buxhetin për të vazhduar pastaj me segmentin nga Dollci e deri në Zahaq”.

Më tej ai ka shkruar ”kemi filluar procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës nga dalja jug e autostradës në Prizren e deri në hyrje të tunelit të rrugës Prizren–Tetovë si dhe ndërtimin e rrugës nga fshati Kërstec në komunën e Sharrit e deri në fshatin Zapod të Bashkisë së Kukësit. Jemi afër përfundimit të urës në Drelaj dhe janë nënshkruar kontratat për ndërtimin e urave në Badoc e Rogovë të Hasit”.

“Ndërtuam e asfaltuam rrugë edhe në zona e fshatra në veri të Republikës me të cilat lidhëm fshatrat mes vete si dhe me komuna në jug. Atje po ashtu për herë të parë po ndërtojmë e rinovojmë dhjetëra shtëpi të banorëve shqiptarë që janë dëmtuar nga lufta e fundit në Kosovë. E pas 24 vjetëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq hapëm e funksionalizuam Zyrat Kadastrale Komunale.

Të gjitha këto janë bërë, ndërkohë që borxhin për shpronësime e kemi ulur për 86 milionë euro”, shton kryeministri.

Kryeministri ka pohuar se shtrimi i rrugëve është i rëndësishëm aq sa mirëmbajtja e tyre.

“Më herët mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë euro për tri vjet. Tani, me kontratat që kemi nënshkruar ne, me paramasa të ndryshuara, duke shtuar pozicione që e rrisin kualitetin e sanimeve siç janë rrjetat geogrid në shtresa të asfaltit dhe duke hequr pozicionet fiktive dhe ato të duplifikuara, e kemi zbritur atë në 38 milionë euro”.

“Përveç këtyre projekteve kemi trasuar udhën edhe për projekte të mëdha të Qeverisë sonë. Kemi nënshkruar marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për rrugën Prizren-Tetovë, që do të kalojë mes për mes malit të Vërtopit.

Kemi paraparë 200 milionë euro investime për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, që do të mundësojë operimin e trenave me shpejtësi deri në 100km/orë në shumicën e seksioneve të linjës. Po punohet për rehabilitimin e linjave hekurudhore Fushë Kosovë-Klinë-Pejë me gjatësi 81 km, dhe linjës Klinë-Prizren, me gjatësi prej 58 km. Ne e kemi filluar punën tonë para tri viteve, me bindjen se kur ka vullnet të mirë, zgjidhja e drejtë është veçse një hap i guximshëm larg”.