Evropa ka sot më shumë se kurrë nevojë për drejtues të mjeteve të rënda, sidomos kamionëve. Raporti i fundit nga Unioni Ndërkombëtar i Transportit Rrugor 2023 parashikon që deri në vitin 2028 vendet e lira të punës në kontinent për këtë profesion do të arrijnë rreth 745,000.
Në të njëjtën kohë, profesioni i drejtuesit të kamionit ndikohet edhe nga një popullsi në plakje, siç dëshmohet nga fakti se në Evropë vetëm 5% e shoferëve janë nën 25 vjeç. Në përpjekje për të ringjallur kompanitë e transportit, Bashkimi Evropian po promovon, ndër të tjera, futjen e mundësisë së dhënies së patentës për drejtues kamioni që nga mosha 17-vjeçare.
Megjithatë, kjo nismë ka shkaktuar reagime të shumta dhe kompanitë e transportit po përpiqen të tërheqin shoferë nga vendet e treta. Për shembull, Spanja, në përpjekjen e saj për të plotësuar mijëra vende të lira pune, po përgatitet të nisë një fushatë masive rekrutimi që synon të tërheqë shoferë profesionistë marokenë.
Në veçanti, sektori i transportit rrugor të mallrave në Spanjë pritet të tërheqë rreth 26,000 shoferë marokenë. Duke marrë parasysh faktin se pagat do të variojnë nga 1600 deri në 2000 euro (bazuar në përvojën e çdo drejtuesi), vlerësohet se do të ketë mijëra të interesuar.
Por, ky problem ekziston edhe në vende të tjera përtej Evropës. Japonia duket se po ndjek të njëjtën rrugë, ku një kompani ka filluar të trajnojë njerëz nga Uzbekistani për të plotësuar vendet vakante. Kompania, duke përfituar nga afrimiteti gramatikor midis gjuhëve uzbekisht dhe japoneze, ofron një shkollë gjuhësore në qytetin Tsukuba dhe ka një projekt përkatës në Uzbekistan./Scan tv/