Qytetarët në Kosovë shpesh bien pre e mashtrimeve nëpër markete të ndryshme të vendit. Kështu i ka ndodhur dhe një konsumatori, i cili për produktin e njëjtë ka paguar më shtrenjtë sesa çmimi që ishte në raft.
Gazeta “FaktePlus” ka publikuar foton e denoncimit të konsumatorit, ku shihet në një nga pikat e supermarketit “Viva Fresh Store” në Shtime, çmimi i një artikulli të njëjtë ndryshe shkruhet në artikull, ndërsa ndryshe faturohet në arkë.
Siç edhe mund të shihni në foto, artikulli në fjalë mban çmimin 4.88 euro, ndërsa i njëjti është faturuar 5.21 euro.
Pas publikimit të mashtrimit nga “Fakte Plus”, qytetarë të shumtë kanë denoncuar marketin “Viva Fresh Store” për mashtrime të njëjta.
“Po more ndodhin këto. Unë bleva mish që çmimi ishte 7.99, ajo punëtorja kur e peshoi, ia vnoi çmimin 9.99. I thash pse moj kaq kur kg kushtonte 7.99, ma perzijke me peshën e as që folke për çmimin. Isha për ngutë e nuk disha ku me u anku, do të thotë 2 a 3 euro mi vodhi në vend”, ka shkruar një qytetare.
Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim për ATV-në, MINT-i njoftoi se që nga janari janë adresuar 48 ankesa për mashtrime të tilla dhe në 18 raste janë marrë masa ndëshkuese, në pajtim me ligjet në fuqi.
“Të gjitha ankesat që deponohen përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë trajtohen dhe delegohen tek përgjegjësit për t’i evidentuar shkeljet e mundshme. Edhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në vazhdimësi kryen inspektime të natyrës tillë me ndryshime të çmimeve sipas ankesave të konsumatorëve. Nga janari i këtij viti kemi pranuar 48 ankesa nga konsumatorët për ndryshim çmimi raft-arkë dhe në 18 raste të cilat është konstatuar shkelja janë marr masa ndëshkuese, siç e parasheh ligji. Inspektimet për mos përputhje të çmimeve raft-arkë janë të përditshme, kjo në vazhdën e mbrojtjes së konsumatorit”, thuhet në përgjigjen e MINT-it, për ATV-në.