Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, tre vjetorin e marrjes së detyrës si ministër i kësaj ministri e ka shënuar në fshatin Sfeçël të Komunës së Podujevës.
Ai, me këtë rast, duke parë nga afër procesin e mbjelljes së karotës nga fermeri Bekim Vokrri, një agro-ndërmarrës punëtor, tha se ky aktivitet është një shembull për t’u ndjekur.
Në një postim në Facebook, ministri thotë se ky fermer synon që këtë vit t’i rrisë kapacitetet e veta për 15% në përpunim e paketim të karotës ndërsa nga 55 hektar që ka kultivuar më herët, kjo sipërfaqe pritet që të rritet deri në 70-80 hektar.
“Për një hektar të mbjellë me karotë, ai merr rreth 1000 ton rendiment ndërsa thekson me krenari se asnjë punëtor i tij nuk e ka lëshuar Sfeclën e Rajonin e Llapit, për të mërguar; kjo për shkak të kushteve të mira të punës dhe pagës së kënaqshme. Me përkushtimin më të plotë, ai siguron edhe rrogën e 13-të për punëtorët duke vendosur një standart të lartë në tregun e punës. Si Ministër, kënaqem kur shoh se hapat e ndërmarrë si në hartim të politikave, legjislacionit e programeve zhvillimore qofshin subvencione apo grante, kanë bërë që fermerët tanë të krijojnë stabilitet dhe t’iu shtohen mundësitë për ngritje të kapaciteteve”, shkruan ministri Peci.
Ministri thotë se për tre vite të Qeverisë Kurti II, mbi 200 milionë euro është vlera e investimeve në sektorin e bujqësisë, përmes Programit për Pagesa Direkte / Subvencione dhe Programit për Zhvillim Rural/Grante. /RTKlive/