Kompleksiteti i tregut të ndërtimeve në Kosovë shquhet për shkakun se edhe më tutje nuk përfillen ligjet e tregut (i ofertës dhe kërkesës), edhe më tutje ka ngritje çmimesh, sikundër që edhe më tej po ndërtohet jo pak, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në thuaja të gjitha qendrat komunale.
Mehmet GJATA
Tregu i ndërtimeve në Kosovë, pas rënies evidente të shitëblerjes së banesave më 2023, sipas njohësve të rrethanave të ecurive ndërtimore, është bërë edhe më kompleks. Në radhë të parë, kompleksiteti i këtij tregu shquhet për shkakun se edhe më tutje nuk përfillen ligjet e tregut (i ofertës dhe kërkesës), edhe më tutje ka ngritje çmimesh, sikundër që edhe më tej po ndërtohet jo pak, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në thuaja të gjitha qendrat komunale. Dhe, kur praktikisht pritej që sektori i ndërtimteve në vend, pas rënies së prekshme të shitblerjes së banesave më 2023 (në bazë të të dhënave të ASK-së edhe më 2022 ka pasur paksa rënie të shitblerjeve të banesave), kushtimisht në një mënyrë apo tjetër, t’i rikthehet ligjeve të tregut, që nënkupton të ulen, ose së paku të mosngriten edhe më shumë çmimet e banesave, po vazhdon avazi i vjetër, ngritja e çmimeve pothuaj në të gjitha qendrat e Kosovës.
Ndërtimtarët kosovarë, bazuar së paku në ngritjen e çmimeve të metrit katror të banesave, nuk u trembën shumë nga krijimi i mundshëm i stoqeve të numrit të banesave që presin blerës, as nga mundësia e mosqarkullimit të mjeteve të bllokuara në stoqe, dhe as nga falimentimi i mundshëm i shumë e shumë kompanive ndërtimesh dhe sosh shërbimesh që kryejnë shumë punë në ndërtimtarinë e Kosovës, si pasojë e këtyre zhvillimeve. Ata, po vazhdojnë të ndërtojnë, edhe në kryeqytetin e “ngopur” nga ndërtesat banesore, pothuajse në të gjitha zonat, dhe sidomos në qendrat e shumta komunale.
Një nga ndërtimtarët e njohur, që e kërkon anonimitetin, i ka thënë këto ditë Buletinit Ekonomik se aktualisht konditat për të blerë banesë në Kosovë nuk janë më të favorshmet, madje ato janë vështirësuar shumë me rënien e fuqisë blerëse të kosovarëve, me mungesën e parasë kesh, por edhe me ashpërsimin e kushteve të kredimarrjes nga bankat komerciale që operojnë në vend (rritjes së kamatave për kredi dhe ashpërsimi i kritereve për ta siguruar një kredi). Megjithatë, sipas tij, po ndërtohet jo pak, por edhe nuk është se nuk ka shitje.
“Jo si më parë, gjithsesi, por, po të mos kishte shitblerje të banesave edhe në këtë periudhë, nuk do të kishte ndërtime kaq të shumta”, thotë ai.
Ndërtimtarët, të cilët e preferojnë anonimitetin gjatë bisedës me Buletinin Ekonomik, natyrisht, nuk e fshehin shqetësimin për rënien evidente të shitblerjeve të produkteve të tyre, por edhe mbrojnë me ngulmë çmimet e ngitura të banesave duke i arsyetuar çmimet e reja me ngritjen e kostos së ndërtimit.
“Kostoja e ndërtimit-çmimet e ngritura të materialeve, pos hekurit që muajt e fundit ka ulje çmimi pas rritjes enorme pas shpërthimit të luftës ruso-ukrainase, i ka bërë më të shtrenjta banesat”, thotë një nga ndërtimtarët kryeqytetas për Buletinin Ekonomik.
Sipas tij, tashmë edhe tokat janë shtrenjtuar shumë, madje çmimi i tokave vende – vende, sidomos në zonat më të përafërta me qendrën e qytetit, janë ngritur në nivele stratosferike. Vjet, më 2023 pra, rënia e shitblerjeve të banesave ishte goxha e shprehur. Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronës Banesore, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të 2023-tës janë shitur vetëm 1.628 banesa, që është ndjeshëm, ose rreth 3 herë më pak se më 2022 kur janë regjistruar 4.967 shitblerje të banesave, ndërsa edhe shumë më pak se më 2021, kur, sipas të dhënave statistikore në Kosovë, janë shitur 6.561 prona dhe njësi banesore.
Sipas ndërtimtarëve, shkaqet e rënies së shitblerjeve të banesave duhet kërkuar të ngopja e klientelës me blerjen e shtëpive, e sidomos të klientelës potente nga diaspora, e cila tashmë numerikisht nuk është e vogël që ka siguruar në vitet e mëhershme banesa në vendlindje (Diaspora e Kosovës, sipas BQK-së, zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja, që bëhen kryesisht në patundshmëri).
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për periudhën janar-shtator të këtij viti, nga mbi 612 milionë euro investime të huaja sa janë bërë në Kosovë, rreth 370 milionë euro i ka absorbuar sektori i patundshmërive. Por, diaspora, tashmë paratë e kursyera, dhe ato nga fitimet, ose po i ruan në banka e në shtëpi, ose janë në kërkim të gjetjes së ndonjë pozicioni më atraktiv dhe fitimprurës për paranë e tyre. S’do mend se rënia e shitblerjeve te pronave është edhe pasojë e rënies së fuqisë blerëse (ndikimi i rritjes së çmimeve tek qytetarët) dhe krizës së likuiditetit. Por, ndër faktorët përcaktues të rënies nuk duhet lënë anash as çmimet e ngritura tejmase të banesave në Kosovë në vitet pas pandemisë dhe sidomos pas fillimit të luftës ruso-ukrainase.
Këto ditë të fillim marsit të 2024-tës, një metër katror në të gjitha zonat e kryeqytetit, është me shtrenjtë për 200 e më shumë euro, ndërsa në qendra të ndryshme komunale edhe mbi 300 euro. Përfaqësues të ndërtimtarëve, një faj jo të vogël për rënien e tregtimit të banesave në Kosovë ua adresojnë edhe bankave komerciale të këtushme, përkatësisht politikës restriktive të këtyre kreditorëve, sidomos të shprehur në rritjen e kamatave gjatë tërë vitit 2022 dhe në muajt e deritashëm të 2023-tës. Për krahasim, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë – gjashtë kilometra larg Prishtinës – ka arritur në 700-800 euro e më shumë në vitin e kaluar, nga 500 sa ka qenë vetëm pak kohë përpara. Në Podujevë në dy lokacione të reja, shumë pranë qendrës, një metër katror tani kushton 1 mijë euro dhe, siç njoftojnë ndërtuesit e këtyre banesave, një numër shumë i madh i tyre është shitur që në nismën e themeleve të ndërtesës banesore.
Në Prishtinë, tani ,edhe në zonat periferike, nuk mund të gjesh banesë nën 1,200-1,300euro. Në zonën në drejtim të Veternikut, këto ditë banesat e disa ndërtmtarëve kanë çmimin 1.500 euro për metër katror, ndërsa vetëm para 1-2 vjetësh çmimi i një metri katror në këtë zonë ka qenë 700-800 euro.
Këto ecuri të tregut të banesave në Kosovë i bëjnë më të komplikuara parashikimet dhe vizionet për të ardhmen e ecurive të çmimeve në tregun e banesave në Kosovë. Prandaj, sipas njohësve të zhvillimeve në këtë treg, asgjë nuk është e sigurtë për zhvillimet në vitet në vijim. Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një raport të publikuar në muajin gusht të vitit të kaluar, ka parashikuar se sektori i ndërtimit dhe i patundshmërive do të përballet me probleme financiare, për shkak të rritjes së kostove të produkteve dhe lëvizjes së çmimeve. Çdo gjë në sektorin e ndërtimeve në vend lëviz shpejtë dhe nuk ka ndonjë standard që do të vlente në parashikimin e ecurive në këtë sektor.
Mbase edhe të dhënat për çmimet konkrete të banesave në Kosovë, të mbledhura gjatë javës nëpër agjencitë e tregtimit të paluajtshmërive, por edhe ndër ndërtimtarët, shpejt bëhen të vjetëruara, dhe jo shumë të vlefshme për trajtimin e temës së këtij sektori. Por, gjithsesi rënia e shitblerjeve të banesave më 2023, duhet të kihet parasysh, së paku si një indikator domethënës për zhvillimet e ardhshme në ndërtimtarinë e Kosovës, aq më parë kur kihen parasysh zhvillimet aktuale demografike, emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore që kanë zënë të bëhen në një problem sistemik i mbarë ekonomisë së vendit dhe në veçanti i sektorit të ndërtimit. /Buletini Ekonomik/