50 organizata të shoqërisë civile në Kosovë dhe organizata për mbrojtjen e lumenjve nga Austria “Riverwatch”, sot më 22 mars, në Ditën Botërore të Ujit, i janë drejtuar me letër të hapur kryeministrit Albin Kurti për t’i kërkuar ndërhyrjen e tij personale në çështjen e hidrocentraleve.
Në njoftimin për media thuhet se që nga viti 2021, organizatat dhe aktivistët, janë duke u përpjekur që të sigurojnë përfshirjen në hartimin e Udhëzimit Administrativ (UA) 04/2022 për Lejet Mjedisore.
“Megjithatë, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu ka refuzuar në çdo hap. Pas kërkesës nga shoqëria civile, ligjore në Zyrën e Kryeministrit (ZKM) ka gjetur se udhëzimi i kaluar nga ministri Aliu nuk përmbush detyrimin që rrjedh nga neni 52 i Kushtetutës së Kosovës dhe direktivat e Bashkimit Evropian. Kështu, që nga 2022 Ministria e Mjedisit është udhëzuar të bëjë plotësimin e këtij UA. Por, me një qasje autoritare, ministri Aliu ka injoruar edhe udhëzimet nga ZKM”, thuhet më tej në letër.
Lexoni të plotë letrën:
Letër e hapur kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti
Në rastin e Ditës Botërore të Ujit, më 22 Mars 2024, po ju drejtohemi me zhgënjim të thellë për të kërkuar anulimin e Udhëzimit Administrativ (UA) MMPHI 04/2022 për Lejet Mjedisore për t’i dhënë fund vendimeve arbitrare dhe abuzimeve me resurset tona natyrore nga Ministria e Mjedisit.
Që nga viti 2021, një grup i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistë janë duke u përpjekur që të sigurojnë përfshirjen e pjesëmarrjes publike në Udhëzimin Administrativ (UA) 04/2022 për Lejet Mjedisore. Kjo është bërë fillimisht duke dërguar komente në draftin e propozuar nga Ministria e Mjedisit në vitin 2021 por që asnjë nga komentet tona nuk është marrë për bazë.
Kërkesa jonë kryesore ishte që publiku i ndikuar të njoftohej dhe të kishte të drejtë të paraqiste dëshmi për gjendjen e mjedisit para dhënies së lejes mjedisore, e cila është akti i fundit administrativ dhe që mundëson operimin apo shfrytëzimin e resurseve.
Kjo është kërkuar për arsye se për lëshimin e lejeve mjedisore, Ministria e Mjedisit merr parasysh vetëm informatat e dorëzuara nga operatoret, që, siç dihet në rastet e hidrocentraleve në Lumbardhë dhe Lepenc, operatorët nuk kanë lajmëruar asnjëherë shkatërrimet masive.
Kur mësuam se komentet tona nuk janë marrë fare parasysh dhe nuk figurojnë as në faqen zyrtare, së bashku me organizatën Austriake Riverwatch, jemi angazhuar që përmes një analize ligjore, të e njoftojmë drejtpërdrejtë ministrin Liburn Aliu që ky UA nuk përmbush detyrimin që rrjedh nga neni 52 i Kushtetutës së Kosovës dhe direktiva e Bashkimit Evropian që synon ta transpozojë, e të cilat Kosova i ka obligim për ti transpozuar drejt dhe në mënyrë të plotë.
Por, letra jonë është injoruar dhe pa asnjë komunikim dhe sqarim, ministri Aliu e nënshkroi këtë UA duke e bërë Ministrinë e Mjedisit dhe siç u pa më vonë, veten dhe operatoret e hidrocentraleve, të vetmit autoritete që të vendosin se çka përcakton degradim apo rehabilitim të mjedisit ku ne jetojmë.
Pas kalimit të këtij udhëzimi në 2022, siç e dini, ne kemi kërkuar zyrtarisht nga ju anulimin e tij dhe pas analizës që i është bërë nga zyra juaj ligjore, Ministria e Mjedisit është udhëzuar të e bëjë plotësimin për të përfshirë pjesëmarrjen publike.
Por, ministri Aliu injoroi edhe udhëzimet tuaja. Tash në fund, është mësuar se pikërisht në kohën kur ne dhe zyra juaj ligjore kemi bërë këto përpjekje për komunikim, ministri Aliu ka mbajtur takime të fshehta me kompaninë Kelkos, ku edhe janë dakorduar për lëshimin e lejeve mjedisore, edhe pse dëmet masive nga hidrocentrali në fjalë asnjëherë as nuk janë raportuar dhe as nuk janë rehabilituar.
Pra, ne jemi në dijeni se kalimi i këtij UA dhe përjashtimi i publikut janë i kalkuluar me qëllim që të rehatohen operatorët që po përfitojnë miliona euro nga abuzimi me ujin tonë të pakët apo edhe resurse tjera dhe nuk kane interes në respektim të ligjit. Por këto veprime të ministrit Aliu kanë krijuar një situatë tejet të pasigurt për bizneset që duan të investojnë dhe respektojnë ligjin në Kosovë sepse çdo leje e lëshuar përmes këtij UA do të kontestohet në gjykatë.
Si organizata që ndjek punën e Ministrisë së Mjedisit, jemi të skandalizuar nga qasja e ministrit Aliu, ku me një arrogancë të paparë injoron Kushtetutën e Kosovës, obligimet që rrjedhin nga direktivat e BE-së, udhëzimet ligjore nga ju, rolin dhe te gjeturat e institucioneve mbikëqyrëse, thërret konferenca për media dhe lëshon deklarata publike kundër shoqërisë civile, dhe më e rëndësishmja, injoron evidencën dhe faktet shkencore që dëshmojnë tharjen e lumenjve, humbjen e ujerave nëntokësore dhe zhdukjen e biodiversitetit.
Është alarmante kur dëgjojmë propagandën e vazhdueshme për arritjet e ministrisë për të mbrojtur lumenjtë e Kosovës, pasi gjendja e lumenjve tanë, sidomos ata në parqet kombëtare, në Sharr dhe Bjeshkët e Nemuna, dëshmon qartë dështimin e ministrit Aliu për të mbrojtur ujërat e rrezikuara.
Ju lutem shihni videon https://youtu.be/dhbEmCj6axs?si=25s_nL7XDDP7wD36 dhe fotot më poshtë, se në çfarë gjendje është Lumbardhi i Deçanit, lumi i Moravës së Binçes, lumi Lepenc, nga operimi i kundërligjshëm i hidrocentraleve nën udhëheqjen e ministrit Aliu.
Kryeministër, ky dështim dhe kjo qasje autoritare e ministrit Aliu është e paparë në historinë tonë të re. Përjashtimi i publikut nga procesi i vendimmarrjes nuk është thjesht një procedurë administrative, por është goditje e rëndë mbi sakrificat tona të përbashkëta për të fituar të drejtat tona kushtetuese dhe për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm. Por, është një fitore e madhe për një grup të ngushtë, për të cilin çdo pikë e ujit në lum është humbje në xhepat e tyre.
Prandaj, duke pasur parasysh faktin se ministri Aliu refuzon të respektojë Kushtetutën e Kosovës, direktivat e BE-së, injoron edhe udhëzimet nga ju dhe personalisht angazhohet të heshtë çdo zë kritik, ndërhyrja juaj e menjëhershme është urgjente.
Rrjedhimisht, ne kërkojmë nga ju: anulimin e menjëhershëm të Udhëzimit Administrativ për Leje Mjedisore dhe sigurimin e plotësimit të tij menjëherë, sipas Kushtetutës dhe Direktivave të BE-së, për pjesëmarrje publike në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore dhe ndërhyrjen tuaj personale për të sjellë fundin e fushatave sulmuese ndaj shoqërisë civile deri në restaurimin e zbatimit të ligjit nga Ministria e Mjedisit dhe kthimin e besimit të plotë, çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ujërave dhe hidrocentraleve, si dhe aspekte të tjera relevante, të jenë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të zyrës suaj.
Për fund, i nderuar kryeministër, ne jemi duke kërkuar vëmendje për çështjet që ju personalisht keni premtuar dhe keni dhënë edhe besën se do të kujdeseni nëse vini në pushtet.
Për më tepër, para zgjedhjeve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtarët e saj, si ministri Aliu dhe kryesuesja e Komisionit për Mjedis, Fitore Pacolli, u angazhuan intensivisht në ekspozimin e shkeljeve ligjore nga institucionet publike dhe operatoret e hidrocentraleve, dhe premtonin në çdo platformë që këtyre abuzimeve do t’i vijë fundi.
Por, kanë kaluar tre vite që ne jemi duke pritur ndryshimin e premtuar. Nuk mund të kthejmë kohën pas, por sulmeve ndaj lumenjve dhe demokracisë sonë duhet tu vijë fundi menjëherë.
Përfaqësues nga shoqëria civile në Kosovë dhe organizata “Riverwatch” në Austri, presim të ju takojmë sa më parë që të diskutojmë më tej shqetësimet tona. /Telegrafi/