Ramadani: Premier Liga nuk e ka autorizuar Artmotion të transmetojë ligën angleze në Kosovë

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Media në Kuvendin e Kosovës, Valon Ramdani, përmes një njoftimi në facebook, ka thënë se në cilësinë e kryetarit i është drejtuar me letër Premier Ligës për të kërkuar sqarime lidhur me të drejtat e transmetimit për Kosovë.

Sipas tij, kjo vjen pas diskutimeve e shqetësimeve të shumta të ngritura në Komision e në publik në lidhje mbi pretendimet për transmetim të paligjshëm dhe të paautorizuar të Premier Ligës Angleze në Kosovë nga platforma “ArtMotion” përmes kanaleve “ArenaSport”.

“Përgjigja e tyre ishte e qartë: Premier Liga nuk e ka autorizuar Artmotion direkt të transmetojë ligën angleze në Kosovë dhe nuk e ka autorizuar Arena Sportin nga Serbia që permes ArtMotion të shpërndajë ndeshjet e Premier Ligës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ramadanit, i cili e ka bashkangjitur edhe përgjigjen zyrtare të Premier Ligës që e ka pranuar pas kërkesës së tij.

Reklama e sponzorizuar

Ramadani ka shtuar se “transmetimet deri tani del të jenë bërë jashtëligjshëm dhe si të tilla do të duhej të trajtoheshin nga Komisioni i Pavarur i Mediave”.