Rasti “Brezovica 1”, dëshmitari thotë se Ministria është përgjegjëse për menaxhimin e zonave të mbrojtura

Me dëgjimin e dëshmitarit Hazer Dana, ish-drejtor i Drejtorisë për Administrimin e Parkut kombëtar “Sharri”, ka vazhduar dje gjykimi në rastin e njohur si “Brezovica 1”

Dëshmitari Dana tha se përgjegjësi për menaxhimin e zonave është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH).

“Drejtoria jonë ka pas për detyrë me menaxhu tërë territorin e Parkut Kombëtar “Sharri”. Menaxhimin dhe mbrojtjen e vlerave të parkut” ka thënë dëshmitari Dana të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Reklama e sponzorizuar

Dëshmitari Dana tha se konkretisht ka mbrojtur dy faktorët për çka është shpallur park kombëtar, që është bota e florës (bimët) dhe faunës (kafshët), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitari Hazer Dana deklaroi kishte qenë drejtor i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, ishte periudha mes viteve 2008 -2017.

I njëjti tha se kjo drejtori zyrat i ka pas në Prizren dhe i është përgjigjur drejtpërdrejt Ministrisë MMPH-së, konkretisht sekretarit permanent të Ministrisë.

Dëshmitari Dana ka deklaruar se në Prizren gjatë periudhës sa kishte qenë në detyrë, kishte pasur gjithsej 18 punëtorë, të cilët kanë pas përgjegjësi të kontrollojnë terrenin dhe të lajmërojnë rastet e degradimit të natyrës.

Sipas të njëjtit, në rast të hasjes së degradimit të natyrës, rojtarët e parkut kanë për detyrë të njoftojnë drejtorin dhe pastaj drejtoria duhet të informojë Ministrinë për veprime eventuale të jashtëligjshme siç janë: prerja e pyjeve, gjueti ilegale etj.

Dana tha se në Parkun Kombëtar prerja e drunjëve është e ndaluar, përjashtimisht nëse drejtoria bën planin e pastrimeve sanitare dhe i njëjti plan aprovohet nga ana e Ministrisë, atëherë këto pastrime mund t’i realizojë drejtoria e parkut.

“Forma të tjera të prerjes së pyjeve janë të ndaluara, ka thënë dëshmitari Dana

Dëshmitari Dana tha se vazhdimisht ka pas degradime në park të cilat janë paraqitur tek organet përkatëse.

Tutje, me kërkesë të prokurorit Maloku, dëshmitari Dana ka sqaruar se në cilat pjesë shtrihet parku kombëtar “Sharri”

“Parku Kombëtar “Sharri”, është shpallur Park Kombëtar më 1986, i njëjti ka sipërfaqe prej 39 mijë hektarë dhe shtrihet në territorin e 4 komunave: Kaçanik, Shtërpcë, Prizren dhe Suharekë, pastaj më vonë më 2013 është bërë zgjerimi edhe me territorin e Dragashit ku sipërfaqja ka arritur deri në 53 mijë hektarë”, ka sqaruar dëshmitari Dana

Dëshmitari Dana theksoi se brenda territorit të parkut ka ndërtime sidomos në zonën turistike.

“Janë tri zona të parkut përmes të cilave përcaktohet regjimi i mbrojtjes. Zona e parë është zona strikte ku nuk lejohet asnjë intervenim, zona e dytë lejon aktivitete që janë tradicionale siç janë blegtoriale dhe bujqësore, dhe zona e tretë që është e paraparë për zhvillimin e turizmit”, deklaroi tutje dëshmitari Dana

Dëshmitari Dana tha se kanë bërë raporte për degradim, gjueti etj, për çka janë dhe statistikat dhe për rastet e evidentuara është njoftuar MMPH-ja.

Tutje në këtë fazë të procedurës janë administruar provat materiale, për të cilat palët në procedurë nuk patën vërejtje ndërsa patën propozime për plotësim të provave.

Prokurori Rasim Maloku ka dorëzuar gjykatës raporte të cilat sipas të njëjtit janë radhitur nga zyrtarët kompetent të parkut në bashkëpunim me zyrtarët e agjensisë MMPH, të cilat raporte sipas prokurorit Maloku pjesërisht vërtetojnë degradimet në këtë pjesë të parkut.

Avokati Dalip Bega ka propozuar gjykatës procesverbale me numër dhe datë, të cilët lidhen me kontrollin apo konstatimin në qendrën e skajimit në Brezovice si dhe në përcjellje të këtyre procesverbaleve ka dorëzuar dhe vendimin nr.06-030/01-13796/18 datë 09.11.2018 sipas të cilit i ndalohet pronarit të qendrës së skajimit në Brezovicë vazhdimi i ankes ndërtimit. Si dhe vendimin me nr.06-030/01-2468/19 datë 27.02.2019.

Avokati Elmaz Zenuni ka dorëzuar vendimin për rrënim nr.06-030/01-2468/19 datë 27.02.2019. Me të cilin sips tij vërtetohet se Dragomir Milosavljeviq si inspektor dhe Hysni Bajrami kanë urdhëruar me vendim rrënimin e objektit, por komuna nuk ka pas ekipe për rrënime të objekteve e që kjo nuk është në domenin e inspektorëve. Poashtu avokati Zenuni ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Dimitrije Raciceviq.

Avokati Betim Shala ka dorëzuar 5 fotografi të objekteve-vikend shtëpizave të ndërtuara në zonën private, fotografi të vitit 2018 dhe gjendjen aktuale momentale, me qëllim të vërtetimit që i pandehuri Labinot Vitija ndërtimin e objektit të quajtur woodland e ka ndërtuar para vitit 2007 dhe të njëjtin e ka ndërtuar në zonë private.

“Poashtu gjykatës i propozoj që duke u bazuar në dëshmin e dëshmitarit sot Hazer Dana, nga Ministria MMPH, të kërkohet komplet raporti me nr.2896/16 26.06.2019 me të cilën provë mbrojtja mendon se do të vërtetohet që 5 vikend shtëpizat të ndërtuara me pretendim sipas aktakuzës në zonën dy dhe tre të parkut kombtar, nuk janë të ndërtuara në ato zona” tha avokati Shala

Lidhur me këto propozime gjykatësi Ilir Bytyqi njoftoi se do të vendos në seancën e radhës, pasiqë të njëjtat do të përkthehen nga gjuha sërbe në gjuhën shqipe.

Tutje, në këtë gjykim dha mbrojtjen e tij i akuzuari Dragomir Millosavljeviq, i cili fillimisht është përgjigjur në pyetjet e avokatit e tij mbrojtës Dalip Bega.

I akuzuari Millosavlejviq tha se si drejtori kishin pranuar njoftim verbal, të cilin e kishte shikuar me kolegun Hysni Bajrami, e më pas kishin përpiluar një procesverbal mbi ngarkimin e punëve të mëtejme e kështu janë anuluar.

“Ne pas kësaj e kemi njoftu drejtorin e urbanizmit pas përpilimit të procesverbalit, drejtori na ka thënë se ne inspektorët e ndërtimit skemi qka të bëjmë aty”, tha i akuzuari Dragomir

Avokati Bega e ka pyetur të akuzuarin Dragomir, se si inspektor i ndërtimit a ka pas për detyrë të bëj vendim për rrënimin e atyre objekteve?, i akuzuari tha se nuk kanë të drejtë të sjellin vendim për rrënim.“Sa i përket objektit të Sanie Geci ky objekt ka leje ndërtimore, por këtë pjesë të objektit ne e quajm aneks objekt. Për ne si inspektor është e drejtë pasiqë projektet me aneksin është vërtetuar nga ana e degës së Urbanizmit” tha i akuzuari Dragomir

I akuzuari deklaroi se objekti i Dalibor Trifunoviqit është ndërtuar në mënyrë ilegale, dhe se është raportuar në Drejtorinë e Urbanizmit.

Seanca e radhës për këtë rast do të vazhdoj më 29 prill 2024 ora 09:30.

Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

Në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci.

Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

Kurse, më 5 shkurt 2024, i akuzuari Gentjan Sula është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”. Ndaj tij, në seancën e mbajtur më 6 shtator 2023, ishte veçuar procedura.

Ndërsa, në seancën e mbajtur më 6 shkurt 2024, i akuzuari Riad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Më 15 shkurt 2024, i akuzuari Fatmir Grainca është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Andaj, gjykimi në rastin “Brezovica 1” është duke vazhduar për të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija dhe Gentjan Sula. Ky i fundit në gjykim të ndarë ndaj tre të tjerëve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Dimitrije Reciceviq në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, akuzohej se ka lëshuar leje ndërtimore në zonën ku ishte i ndaluar ndërtimi në Parkun Kombëtar “Sharri”. Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami si inspektorë komunalë të ndërtimit akuzohen se nuk kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e ndërtimit të objekteve të ndërtuara në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat në Kosovë. Me këtë, ata akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se Gentjan Sula si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, Naser Kelmendi si person përgjegjës i ndërmarrjes “Nic Holding”, Arian Idrizaj si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, Labinot Vitija si pronar i parcelës kadastrale numër 5713/6, Fatmir Grainca si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, Blerim Imeri si pronar i parcelës kadastrale në sipërfaqe prej 30 ari ZK Verbeshticë, Sanije Geci si pronare e parcelës kadastrale nr.5799/16 dhe 5799/17 dhe Riad Hasani si pronar i parcelës kadastrale nr.5713 në sipërfaqe prej 1 hektar e 32 m2, ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347 par.1 lidhur me par.5 të KPRK-së.