Taksitë ilegale, linjat e autobusëve e kombibusët, kanë qenë cak i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës dhe Policisë së Kosovës të martën.
Aksioni që ka nisur të hënën, ka për qëllim t’i identifikojë taksitë ilegale, linjat e autobusëve e kombibusët, pasi konsiderohen si shkaktarë të tollovisë në kryeqytet.
Drejtori i Inspektoratit të Kryeqytetit, Florian Dushi, vlerësoi lartë mbështetjen që kanë marrë nga Policia e Kosovës. Tha se kjo dukuri është e shfaqur tejmase në rrugët e Prishtinës.
“Jemi sot në një aksion i cili po vazhdon që nga dje në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës, i cili ka për qëllim linjat e autobusëve, taksitë ilegalë, taksitë që punojnë me pa leje pune por edhe kombibusët. Ju e dini që një nga problemet më të mëdha sipas vlerësimeve tona por edhe sipas vlerësimeve të policisë, këto janë nga disa çështjet që po e mbingarkojnë jashtëzakonisht rrjedhën e komunikacionit në Prishtinë prandaj kemi vendosur që prej dje t’i vendosim disa pika kontrolle në Kryeqytet dhe të shohim bashkërisht dhe të bëjmë kontrollin e nevojshëm për të parë sa është shfaqur kjo dukuri në Kryeqytet”, tha Dushi.
“Gjithashtu është me rëndësi që të theksohet se si Inspektorati ne kemi pasur kontrolle edhe në të kaluarën ndaj këtyre problematikave në Kryeqytet por megjithatë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë që koordinimin që e kemi me Policinë dhe mbështetjen, veçanërisht këtë aksion që ka filluar dje”, tha tutje Dushi.
Ndërsa zëvendëskomandanti rajonal për Komunikacion Rrugor, Sylejman Halili, tha se Policia e përkrah aksionin e përbashkët për këtë dukuri negative të cilat me vite na shfaqën në kryeqytetin e Prishtinës sidomos me taksitë ilegal.
“Shpresoj se ky aksion nuk do të përfundojë pa një vlerësim mujor”, u shpreh Halili.