Ulje e çmimit të vezëve dhe spinaqit në Kosovë

Në Tregun e Gjelbër kryesor të Prishtinës, por edhe në zinxhirin e shitoreve të specializuara të një prodhuesi produktesh të shpezëve me emër në Kosovë, një amballazhim me 30 copë të vezëve të cilësisë së mirë, kushtojnë 2,5 euro. Ndërsa, sot dhe gjatë tërë javës së kaluar, një kilogram spinaq në tregjet e gjelbra të Prishtinës, por edhe në shitoret e pemëve dhe perimeve, ka çmimin 50 centë dhe shumë shumë deri në 80 centë.

Buletini Ekonomik

Ka ditë, thuaja që nga gjysma e shkurtit, që në tregun e Kosovës ka ndodhur ulje e ndjeshme e çmimit të vezëve dhe të spinaqit, dy produkteve të konsumuara goxha shumë nga kosovarët. Tani, në zinxhirin e shitoreve të specializuara të një prodhuesi produktesh të shpezëve me emër në Kosovë, një amballazhim me 30 copë të vezëve të cilësisë së mirë, kushtojnë 2,5 euro. Në po këto shitore, vetëm para pak ditësh – 30 copë vezë kanë kushtuar 2,8 euro, ndërsa para një muaji e ca, paketimi i 30 copë vezëve është tregtuar me 3,8 euro, madje edhe 4 euro. Çmimi i sotshëm prej 2,5 eurosh, krahasuar me atë prej 4 eurosh, i bie të jetë shumë më i ulët, ndërsa ulja e çmimit të vezëve është evidente në tërë tregun kosovar, por me ndryshime, diku ka ulje më të madhe e diku fare simbolike.

Në Tregun e Gjelbër kryesor të Prishtinës, sot vezët (paketimi 30 copësh) kushtonin njësoj si në shitore, 2,5 euro. Ndërkaq, supermarketet dhe qendrat e mëdha tregtare ku dominojnë produktet ushqimore, çmimin e ulur po e përdorin dhe po e shfrytëzojnë për të promovuar ulje çmimesh (të ashtuquajturat aksione), ku 30 copë vezë të martën, por edhe sot kanë pasur çmimin 2,59, 2,69, por edhe 2,99 euro. Sidoqoftë, çmimi aktual i vezëve, po të krahasohet me çmimet që ky produkt kishte në vjeshtën e vitit 2023, ose në janar të këtij viti, është një ulje goxha evdente.

Reklama e sponzorizuar

Siç dihet dhe siç raportonin mediet dhe ASK-ja, nëpërmjet raporteve të përditësuara të evidentimit të çmimeve të produkteve ushqimore, në muajt e fundit të vitin 2022, e sidomos në prag të festave të fundvitit, ka pasur rritje ekstreme të çmimit të vezëve.

Në dhjetor të 2022-tës, sipas të dhënave statistikore, 30 copë vezë kanë kushtuar saktësisht 4.49 euro deri në 5,5 euro, në ca markete dhe minimarkete. Çmimet enorme të larta në dhjetor të 2022-tës i ka evidentuar edhe ASK-ja, sipas raportit të së cilës më 15-20 dhjetor një komplet me vezë ka kushtuar 4 euro e 29 centë. Dhe, po sipas ASK-së (përditësimit të çmimeve nga ASK-ja të produkteve bazike), është konstatuar se lëvizja më e madhe e çmimit në gjysmën e dytë të dhjetorit 2022, është shënuar pikërisht tek vezët.

Ndërkohë, për shkaqet për këtë ulje çmimi që ka ndodhur tani, askush nga tregtarët, pos hamendësimeve, nuk ka ndonjë shpjegim të saktë. Shumë tregtarë theksojnë se rëndom në këtë sezon, në pranverë, bie çmimi i vezëve. Por, edhe pse në Kosovë ka prodhues të shumtë dhe me kapacitete të mëdha të pularive, gjatë kohës së pandemisë dhe muajve post-pandemik, nuk ka ndodhur të ketë ulje kaq të theksueshme të çmimit të vezëve në asnjë stinë.

Edhe çmimi i spinaqit, një produkti tjetër shumë prezent në tryezat e kosovarëve dhe i karakterizuar me çmim shumë të lartë gjatë tërë vitit 2023 dhe muajve të parë të 2024-tës, këto ditë ka shënuar ulje të madhe.

Sot dhe gjatë tërë javës së kaluar një kilogram spinaq në tregjet e gjelbra të Prishtinës, por edhe në shitoret e pemëve dhe perimeve, ka çmimin 50 centë dhe shumë shumë deri në 80 centë. Po e evidentojmë uljen e çmimit të këtij produkti për shkakun se i njëjti gjatë shumë muajve të vitit të kaluar ishte i paarritshëm për blerësit e shumtë, për shkak të çmimit enorm të tij. Në gushtin e vitit të kaluar, çmimi i spinaqit kishte shkuar në stratosferë, kur pati raste dhe ditë që tregtohej edhe me 7-8 e më shumë euro për një kilogram. Ndërsa, në muajt më të shumtë të 2023-tës, një kilogram spinaq ka kushtuar 2,3 dhe 4 euro. /Buletini Ekonomik/