Dinari mbledh për herë të katërt Kosovën dhe Serbinë në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të zhvillojnë sot takim për të diskutuar lidhur me çështjen e dinarit. Ky është takimi i katërt me radhë për këtë çështje.

Në Bruksel sot do të mbahet takimi i katërt në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq ku do të vazhdojnë bisedimet për vendimin e BQK-së rreth dinarit.

Dy ditë më parë, drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq tha se ai dhe ekipi i tij do të udhëtojë për në Bruksel, ku të enjten pritet një raund i ri, i i dialogut vendimin e BQK-së për dinarin.

Reklama e sponzorizuar

“Po shkojmë me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje për dinarin, edhe pse nuk jam optimist, duke pasur parasysh mosgatishmërinë e Prishtinës për të kërkuar zgjidhje përmes kompromisit”, tha Petkoviq.

Edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të pres kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq për një raund tjetër bisedimesh për të gjetur zgjidhje rreth dinarit.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai theksoi se pret që palët të shkojnë në takimin në Bruksel me mendje të hapur.

“Pres që të dyja palët të vijnë në takim me një mendje të hapur, fleksibilitet dhe një qasje të orientuar drejt zgjidhjes bazuar në idetë e paraqitura gjatë takimeve të mëparshme”.

Ky takim vjen një ditë pasi autoritetet serbe ndaluan autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Bashkimi Evropian ka potencuar se është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi.

Takimi i fundit ku është diskutuar rreth Rregullores së Bankës Qendrore, me anë të së cilës ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovës është zhvilluar me 4 prill.

Kosova e Serbia në atë takim nuk kishin arritur pajtim.

Takimet në nivel kryenegociatorësh në Bruksel janë zhvilluar pasi rregullorja e re e Bankës Qendrore (BQK), e cila e përcakton euron si të vetmen valutë për pagesa në Kosovë, ka nxitur reagimin nga Serbia dhe nga faktori ndërkombëtar rreth implikimeve që mund t’i ketë për serbët e Kosovës që pranojnë pagesa në dinarë nga Beogradi.