Pas mbështetjes që iu dha vjet Qeveria – fermerëve në Shqipëri me subvencione direkte, sasia e lartë e grurit të prodhuar ka mbetur ende stok në magazina. Shkak është rënia e çmimit të shitjes nën kosto. Fermerët po e përdorin stokun e grurit për blegtorinë ose po e shkëmbejnë me produkte plehërimi. Arat e mbjella me grurë atje sivjet u pakësuan me 70%. Fermerët kanë ulur edhe shërbimet. Shoqata e Përpunuesve të Miellit pohon se fabrikat e blojës vijojnë të blejnë sasi të ulëta të grurit vendas, për shkak të mungesës së cilësisë.
Met Salliu, një ndër kultivuesit më të vjetër të drithërave në fshatin Plug të zonës së Myzeqesë, prej muajit korrik mban ende të pashitur 500 tonë grurë të prodhuar vjet. Çmimi i shitjes së grurit, sipas tij, ka arritur në 20 lekë për kg dhe mbetet i paleverdishëm.
Z. Salliu, i nxitur nga shtrenjtimi i çmimit të shitjes së grurit, që arriti në 50 lekë për kg në korrik 2022 (pas krizës së shkaktuar nga sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës) dhe subvencioneve direkte me vlerë 30 mijë lekë për ha të shpërndara nga skema kombëtare e bujqësisë, kultivoi 100 ha tokë me grurë, apo 50% më shumë se sezonin paraardhës.
Gruri i subvencionuar, i prodhuar me tepri vjet, po hyn në sezonin e dytë të krizës së shitjes. Fermerët pohojnë se ende kanë stok, në magazina apo në shtëpi, sasi të lartë të grurit dhe misrit. Për ta larguar grurin nga magazinat, disa prodhues po e shkëmbejnë atë me produkte për plehërimin e tokës, por të vlerësuar me çmim nën koston e prodhimit.
Të tjerë po e shesin pa fitim. Kultivuesit e drithërave në mbarë vendin e ngritën shqetësimin për mungesën e tregut të shitjes së grurit që në muajin korrik të vitit të kaluar, pas përfundimit të sezonit të korrjes dhe shirjes.
Prej 9 muajsh rezulton se problemi i tyre nuk ka gjetur zgjidhje.
Edhe për këtë vit, sipas fermerëve, problemi kryesor mbetet rënia e çmimit që po shkakton humbje të thella për ta. Në tregun vendas, çmimi i shitjes së grurit varion nga 20 deri në 25 lekë për kg apo 50-60% më i ulët se vlera e shitjes pas luftës në Ukrainë.
Fermerët pohojnë se çmimi vijon të mbetet nën koston e prodhimit. Për nxjerrjen e shpenzimeve, prodhimin duhet ta shesin të paktën 40 lekë për kg.
Brikel Plasa, një nga kultivuesit më të mëdhenj të drithërave dhe patates në fshatin Pojan të Korçës, pohon se vitin e kaluar kultivoi 30 ha me këtë grurë, i nxitur nga subvencionet dhe leverdishmëria e çmimit të grurit. Ai thotë se vetëm pak ditë më parë arriti të shiste 5 mijë tonë grurë të mbajtur stok prej dy vitesh.
Z. Plasa pohon se u detyrua ta shiste grurin pa fitim, pasi në të kundërt sasia e prodhuar do të krijonte miza dhe nuk do të përdorej as për ushqim për kafshët.
“Ne shtuam prodhimin e grurit, të nxitur nga subvencionet dhe rritja e çmimit. U besuam thirrjeve për të shtuar prodhimin se është me leverdi, por dolëm me humbje. Këto ditë kam shitur 5 mijë tonë të prodhimit të kaluar dhe të një viti më parë, me 25 lekë/kg për një fabrikë të prodhimit të miellit dhe të bukës në zonën e Korçës.
E shita te një i njohuri im, në të kundërt gruri do të zinte miza. Fermerë të tjerë po e shkëmbejnë grurin me çmim 20 lekë për kg me produkte për plehërimin e tokës. Me koston e lartë që ka prodhimi i grurit, çmimi i shitjes është i paleverdishëm.
Me këtë çmim, çdo fermer del me humbje. Për këtë arsye, të gjithë kanë pakësuar të mbjellat”.
Kultura e grurit është një nga drithërat që mbillet më gjerësisht në vend prej fermerëve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar, të nxitur nga subvencionet direkte, u shtuan 2,500 ha sipërfaqe me të mbjella me grurë. Totali i të mbjellave arriti në 57,500 ha.
Me subvencione direkte u mbështetën 4 mijë fermerë me një fond prej 5 milionë USD. Krahasuar me 2022, sipërfaqja e tokës me të mbjella u rrit rreth 5%. Sipas agronomëve, para viteve ’90, sipërfaqja e tokave të mbjella me grurë arrinte deri në 200 mijë ha.
Në raport me vitin 1998, periudha më e hershme e raportuar nga INSTAT, të mbjellat me grurë janë pakësuar me 45%.
Në Korçë, gruri po shitet si ushqim për kafshët
Sipas ekspertëve, gruri nuk është një kulturë me avantazh konkurrues pasi kushtëzohet nga ekonomia e shkallës. Gruri përdoret në masë të gjerë nga fermerët vendas për përpunim të drejtpërdrejtë të miellit për bukën, pra për vetëkonsum, ndërsa përdorimi i tij si ushqim për blegtorinë apo industrinë është dytësor.
Disa fermerë në Korçë, sipas agronomit Telha, po e shesin grurin edhe për ushqim për kafshët.
Vasfi Sherifi, përfaqësues nga AGROVAS-SHE, tha se sasia e grurit e shitur si ushqim për kafshët është e pakët, pasi kjo drithë nuk ka përdorim të gjerë në blegtori.
Më tepër përdoret elbi. Për këtë arsye, sipas tij, disa fermerë në zonën e Korçës kanë nisur të shtojnë të mbjellat me elb për përdorim në blegtori. Sipërfaqja e tokës së mbjellë me elb ishte 5,597 ha në rang vendi, sipas të dhënave të INSTAT. Krahasuar me 2021, sipërfaqet e mbjella me elb u shtuan me 10%.
Të mbjellat me grurë reduktohen 30 deri në 70% nga mungesa e shitjeve
Pas dhënies së subvencioneve direkte dhe rritjes së çmimit të grurit, në fushat e Korçës dhe Myzeqesë, sipërfaqja e parcelave me të mbjella u rrit 40 deri në 50%.
Tashmë, mungesa e tregut për shitjen e drithërave ka ndikuar te pakësimi i të mbjellave me grurë nga 30 deri në 70%, sipas vlerësimeve të fermerëve dhe agronomëve.
“Sivjet pakësova me 50% të mbjellat me grurë dhe misër dhe kam shtuar ato me patate. Për tregtimin e patates parashikojmë rritje të kërkesës në tregun vendas nga turizmi. Por edhe për këtë kulturë po hasim vështirësi në shitje, pasi ka sasi të lartë importi nga Egjipti, Serbia edhe Gjermania.
Por fermerët janë të detyruar t’i punojnë tokat, nuk mund t’i lënë djerr, pasi një pjesë e tyre janë marrë me qira.
Por si për kulturat e drithërave, duke përfshirë grurin dhe misrin, edhe për pataten, që është kultura kryesore që ne kultivojmë, problemi kryesor mbetet çmimi i ulët, i cili kërkohet nga tregtarët e shumicës”, thotë fermeri Brikel Plasa, nga fshati Pojan.
Edhe hambarët e fermerëve të fushës së Myzeqesë vijojnë të jenë plot me grurë. Për shkak të çmimit të shitjes nën koston e prodhimit, edhe Met Salliu, kultivuesi i drithërave në fshatin Plug, tha se sivjet mbolli 30 ha grurë, apo 70% më pak të sipërfaqes së mëparshme.
Agronomi Nevion Telha shton se në zonën fushore të Korçës, ku mbillen kryesisht drithëra, të mbjellat me kulturën e grurit janë reduktuar nga 30 deri në 40%. Arsyeja kryesore, sipas tij, është çmimi i shitjes së grurit nën kosto, duke ndikuar në shtimin e mallit stok.
“Këtë vit, të mbjellat me grurë janë ulur të paktën deri me 40% në zonën e fushës së Korçës. Shumica e fermerëve e kanë grurin stok në shtëpi, të pashitur. Çmimi i grurit nën 40 lekë për kg është nën koston e prodhimit.
Fermeri del me humbje, nëse e shet me këtë çmim. Nuk arrin të marrë dot mbrapsht as shpenzimet për farën, plehërimin, punimin e tokës me traktor, pagesat e punonjësve të korrjes dhe shirjes”, pohon ai.
Rënia e çmimit të grurit po shkakton humbje për gjithë zinxhirin e vlerës së tregut. Vasfi Sherifi, drejtues i kompanisë AGROVAS-SHE, por edhe kultivues i grurit që më pas e shet atë për farë mbjellje te fermerët, thotë se nga 100 ha grurë të mbjella në 2022 për vitin e kaluar, mbolli 50 ha më pak.
“Të gjithë fermerët e kanë stok grurin, ende të pashitur. Çmimi i kërkuar është tërësisht nën koston e prodhimit. Për këtë arsye, edhe ne reduktuam të mbjellat me farë 50%”, nënvizon ai.
Fermerët ulin shërbimet për arat me grurë, pritet rënie e rendimentit të prodhimit
Me më pak toka të mbjella me grurë agronomët presin më pak rendiment në prodhim këtë vit.
Vasfi Sherifi, i kompanisë AGROVAS-SHE, që përveç tregtimit të farave për mbjellje, ofron edhe produkte për plehërimin e tokave bujqësore, ka konstatuar se fermerët në këtë periudhë kanë pakësuar shërbimet ndaj arave të mbjella me grurë.
Ndonëse në qershor do të përcaktohet rendimenti i prodhimit, parashikohet që sasia këtë vit të jetë me rënie.
“Muaji mars është sezoni i plehërimit të tokës së mbjellë me grurë, por nga fermerët e zonës së Korçës, shërbimet ndaj kësaj kulture sivjet janë të pakta. Rënia ka ardhur si prej demoralizimit të mosshitjes së grurit, por edhe nga mungesa e njohurive”, vlerësoi ai.
Sipas të dhënave të INSTAT, rendimenti i prodhimit të grurit për vitin 2022 arriti në 43 kv për ha. Krahasuar me 2021, rendimenti i prodhimit është rritur me rreth 5%.
Për agronomët, rendimenti më i lartë i prodhimit për grurin në sasinë e 70 kv për ha është arritur në periudhën komuniste. Maksimumi i arritur nga disa fermerë, sipas tyre, në vitet e tanishme është 50 deri 60 kv për ha. /Monitor.al/